Panariti në Pogradec: LSI ka prioritet zhvillimin e bujqësisë dhe biznesit, e jo interesat personale

554
“LSI ka një program të qartë për bujqësinë, për të ndihmuar çdo familje fermere. Bujqësia mund të zhvillohet vetëm përmes një programi me heqje taksash dhe të TVSH-se për 4 vitet e ardhshme”
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, njëkohësisht kryesuesi në listën e LSI për Qarkun Korçë, zhvilloi takime me banorë, simpatizantë dhe biseda shtëpi për shtëpi, familje për familje, në Lagjen 1 të Pogradecit, si dhe në fshatrat Vërdovë, Rëmenj, Gështenjas e Starovë, të njësisë Administrative Buçimas. Panariti shoqërohej nga Kryetari i LSI, Pogradec, njëherësh kandidat për deputet, Genti Çala dhe Kryetari i LSI për njësinë administrative Buçimas, Roshi Tollozhina. Gjatë takimeve të tij, Panariti shpalosi programin e LSI, si dhe u tha banorëve të fshatrave të Buçimasit, se bujqësia konsiderohet si motori i zhvillimit të ekonomisë së vendit. “LSI ka një program të qartë për bujqësinë, për të ndihmuar çdo familje fermerë, çdo fermer e blegtor. Bujqësia mund të zhvillohet vetëm sipas programit të LSI, me heqje taksash dhe të TVSH-se për 4 vitet e ardhshme, përjashtimin nga detyrimet fiskale të fermerëve, heqjen e tvsh për imputet bujqësore dhe makineritë, ndërsa është i domosdoshëm dhe i përfshirë në programin tonë, 5-fishimi i fondeve për bujqësinë”, tha Panariti. Sipas tij, LSI ka si synim te saj, të detajuar edhe në programin e saj, edhe arsimimin e mirë, një sistem të fortë dhe të mirë orientuar.“Edhe në fshat, edhe kudo, arsimimi është e ardhmja e një vendi. Ndaj LSI ka një program të mirë studiuar arsimi. Ndërkohë, edhe të rinjtë duhet të orientohen drejt një arsimimi që i bën ata profesionistë dhe që janë të gatshëm për tregun e punës, që janë të profilizuar në degët ku kërkohen specialistë”, tha Ministri u Bujqësisë. Ndërkohë, Panariti nuk la pa përmendur as çështjen e pensioneve, të cilat sipas programit të LSI, do të rriten, ndërsa pensionistët do të trajtohen ndryshe nga sot, duke pasur dhe shërbime e përfitime tjera, veç rritjes së pensionit.

Ndërsa në Lagjen nr.1 të Pogradecit, gjatë takimit me banorë të zonës, Panariti kërkoi mbështetjen dhe votën për LSI më 25 qershor, për të pasur një qeveri të denjë për qytetarët, një qeverisje për qytetarët, për të rinjtë dhe që t’ju ndryshojnë fytyrën, Pogradecit, por edhe gjithë qyteteve tjera. “LSI është një parti, e cila nuk bën demagogji, por është derë e hapur, një mundësi dhe një shans për gjithë shqiptarët. LSI ka në qendër të vëmendjes qytetarin, banorët e këtij vendi dhe jo interesa e karriges e benefitesh personale”, theksoi Panariti, sipas të cilit, shtimi i vendeve të punës dhe mos taksimi i pagave deri në 35 mijë lekë, janë nga pikat kryesore të programit të LSI, pa harruar edhe uljen e taksave për biznesin e vogël. Ndërkohë, Genti Çala dhe Roshi Tollozhina, gjatë të gjitha takimeve, iu bënë thirrje të pranishmëve, që të mbështesin LSI, të bëjnë dallimin se si është shërbimi në institucionet që drejtohen nga LSI dhe ta mbështesin këtë forcë politike më 25 qershor.
Sigal