Panariti në Greqi, flamuri shqiptar i varur me kokëposhtë

498
Sigal

Gjatë takimit me homologun Avramopulos në Athinë u ngrit edhe Çështja Çame

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti takoi dje në mesditë në Athinë, ministrin e Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos. Në konferencën e shtypit me homologun grek, Panariti tha se ka diskutuar disa cështje me rëndësi për të dyja shtetet. Por ajo që ra pak më vone në sy, ka qenë flamuri shqiptar kuqezi. Nga krahu i Avramopulos, flamuri shqiptar duket në rregull, po kështu dhe në krahun e Panaritit. Por, sapo Ministri i Jashtëm shqiptar zhvendos kurrizin, zbulohet imazhi se diçka nuk qëndron me flamurin shqiptar. Shqiponja e zezë qëndron me kokëposhtë. Nuk dihet ende nëse kjo është bërë me qëllim apo është thjesht një gabim teknik nga protokolli grek.

Panariti: “Duhet zgjidhje për Çështjen Çame”

Zëdhënës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë bënë të ditur se, ministri Edmond Panariti gjatë takimit me homologun grek Avramopulos në Athinë mes disa temave, preku dhe çështjen çame. “Çështja çame dhe e pronave të shqiptareve ne Greqi kërkon zgjidhje”, citon zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Ministri Panariti kërkoi, gjithashtu, zgjidhjen e shpejtë të problemeve të vërejtura në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve që udhëtojnë drejt Greqisë dhe dokumentet e tyre. Ai kërkoi, gjithashtu, shmangien e legalizimit te dokumenteve të të dy vendeve përmes hyrjes në fuqi në marrëdhëniet reciproke të Konventës për Vulat Apostille. Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, kjo kërkesë, e cila gjeti mirëkuptimin e ministrit Avramopulos. Në axhendën e marrëdhënieve dypalëshe ka edhe çështje, të trashëguara apo të reja, që duhet të futen në rrugën e trajtimit për të gjetur zgjidhje. Këto çështje u ngritën gjatë këtij takimi dhe mund të them se gjetëm mirëkuptim për negocimin e tyre në nivel ekspertësh, në takime të veçanta apo komisione të përbashkëta, sipas vetë çështjeve’, deklaroi me pas për shtypin, Panariti. Gjatë bisedimeve të dy ministrat shprehën shqetësimin për rritjen e frymës nacionaliste dhe siguruan për vullnetin dhe angazhimin e tyre për një politikë që dekurajon çdo retorikë manipuluese e me ngarkesë nacionaliste që dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Nga ana e tij, ministri Avramopulos propozoi institucionalizimin e bashkëpunimit ndërministror përmes takimeve periodike të një grupi ministrash të të dy vendeve për të trajtuar çështje me interes reciprok. Gjithashtu, ai kërkoi realizimin e takimeve më të shpeshta me homologun shqiptar dhe zhvillimin e konsultimeve periodike mes të dy MPJ-ve. Ministri Avramopoulos siguroi për mbështetjen e plotë të Greqisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.