Panariti: Ministrat do qëndrojnë deri në fund, kemi qenë kritikë për reformat e PS-së

550
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, është shprehur se fokusi i ardhshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në opozitë do jetë një organizim i gjerë me përfshirjen e shumë masave të shoqërisë. Panariti u shpreh se ministrat e kësaj force politike nuk largohen nga detyra pas prishjes së koalicionit PS-LSI. Sipas tij, qeverisja është përgjegjësi dhe ministrat do vijojnë punën deri në fund. “Nuk e konsiderojmë qeverisjen një shaka, qeverisja është përgjegjësi dhe ne do vijojmë punën deri në fund. Kemi qenë kontestues të shumë reformave, të shumë reformave të marra nga PS, kemi pasur mendimin tonë kritik. Aksioni politik i LSI do të përfshijë shumë shtresa shoqërore, një qeverisje nuk mund të mbahet me epiqendrat e qyteteve, fasadave”, u shpreh Panariti. Nga Konventa e LSI ku u zgjodh kryetare Monika Kryemadhi, Panariti komentoi edhe rezultatin e LSI në zonën e tij zgjedhore në Korçë ku ai kryesonte listën e kandidatëve. Sipas tij, LSI shënoi rritje, pavarësisht se u përballën me presione dhe tentativa për blerjen e votës. “LSI shënoi rritje, pavarësisht nga shantazhi, dhuna, presioni, ndaj anëtarëve, komisionerëve, mjafton të përmend që gjendet i arrestuar një nga komisionerët tonë pa një akuzë. U ndërhy dhunshëm në proces për të dekurajuar. Për pak arritëm të nxirrnim deputetin e dytë në Qarkun e Korçës. Kemi mbajtur shënim dhe shpresojmë që ndërkombëtarët të kenë mbajtur shënim atë që ka ndodhur. Ne jemi përgatitur për programin opozitar. Ne do të jemi një opozitë shumë dinamike, aktive, nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të ndalojmë së denoncuari me abuzimet me pushtetin. Ashtu si po ndodh me punonjësit tanë në administratë të cilët janë duke u pushuar ende pa u kryer tranzicioni politik”, u shpreh Panariti.
Sigal