Panariti me banorë të komunave Lumas, Kozare dhe Perondi: Zhvillimi i vendit kalon nga bujqësia

413
Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti bashkë me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani bashkëbiseduan me banorë të komunave Lumas, Kozare dhe Perondi. Gjatë këtyre takimeve Panariti tha se zhvillimi i bujqësisë do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin e gjithë vendit.
“Zhvillimi i vendit kalon nga bujqësia. Vendi nuk prodhon as aeroplanë, astanke, as televizorë etj. Ky vend edhe atë industri që ka, e ka të lidhur me bujqësinë. U zhvillua bujqësia, u zhvillua vendi. Ajo që unë shikoj me kënaqësi është që njerëzit po i rikthehen bujqësisë. Pavarësisht se kriza e fqinjëve tanë e grekëve na dëmtoi në kuptimin që ranë të ardhurat që sjell e migracioni, pati një efekt të mirë që e kuptuam që toka nuk të tradhton kurrë, toka është aty, toka prodhon, të garanton një jetë dinjitoze dhe me pak mençuri dhe me mbështetjen e shtetit dhe të mekanizmave të tjerë, mund të të bëjë edhe të pasur”, tha Panariti. 
Më tej Panariti tha se z. Selfo Kapllani është njeriu i duhur për Bashkinë e re të Kuçovës e cila do të ketë në përbërje tashmë edhe Komunën Lumas.“Përshtypja ime për Selfo Kapllanin është se është një burrë me integritet, që i ka shumë të qarta synimet dhe objektivat e tij dhe ajo që është më kryesorja, ka mbështetjen e qeverisë. Duhet të kemi parasysh që Selfo është administrator, është kryetar i një bashkie të madhe. Pra, tashmë komunat Lumas, Kozarë dhe Perondi janë pjesë e bashkisë dhe kjo do të thotë mundësi shumë më të mëdha për financime, për administrim më të mirë dhe më të mençur të burimeve të jashtëzakonshme që kanë këto komuna. Fakti është që duke qenë nën një dorë të vetme administruese nga Këshilli bashkiak dhe Kryetari, e bën shumë më të lehtë edhe për pushtetin për të zhvilluar planet e zhvillimit”, theksoi Panariti.
Ministri i Bujqësisë, Panariti dhe kandidati për Kryetar të Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani u ndalën në një bashkëbisedim dhe me banorë të Komunave Perondi dhe Kozare. Panariti theksoi se Shqipëria është në një moment historik, ku mendarjen e re administrative territoriale, krijohen mundësi të reja zhvillimi. 
“Një bashki e cila do të ketë në administrimin e saj një territor shumë më të gjerë dhe njëkohësisht shumë më tepër mundësi edhe nga pikëpamja financiare, edhe nga pikëpamja e zhvillimit të projekteve, edhe nga pikëpamja e menaxhimit, e kontrollit, të aktiviteteve të bashkisë së re që përfshin edhe Perondinë, edhe Lumasin, edhe Kozarën, gjë që është një avantazh i padiskutueshëm në krahasim me mënyrën e deritanishme të qeverisjes së fragmentarizuar, gjë që nuk ka prodhuar ato rezultate që kishin pritshmëri banorët”, – tha z. Panariti. Ministri u shpreh se vota për kandidatin e së majtës Selfo Kapllani është një votë e “mençur”.
Sigal