Panariti: LSI kundërshton strukturën e qeverisë: Bujqësia, pa gjymtyrë

405
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, kundërshtoi projektin e shpallur nga Partia Socialiste për shkurtime të strukturave në këtë sektor. I detyruar pas pak javësh, Panariti e cilësoi një masakër propozimin e shpallur në Asamblenë e PS-së. “Një Ministri e Bujqësisë, pa gjymtyrë, pa mision dhe vizion, është ajo çka mbetet pas ‘zhdukjes’ së pakuptimtë të Drejtorive të Bujqësisë dhe Bordeve të ujitjes dhe kullimit në qarqe, pas asgjësimit me një të rënë lapsi të shërbimit qendror veterinar, shërbimit të statistikave bujqësore, mbrojtjes së bimëve, shërbimit të ndihmës dhe këshillimit të fermerëve”, u shpreh Panariti, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas tij, kjo “masakër” strukturore e paparë, mjerisht u gatua “ex catedra”, pa pyetur fermerët, specialistët, profesorët dhe kërkuesit universitarë të fushës, pa marrë parasysh projektet e mbështetjes nga BE-ja dhe donatorët, të cilët vepronin dhe veprojnë mbi këtë shtrat institucional. “Ajo që pritet të ndodhë është paraliza e shërbimeve ndaj fermerëve dhe agrobiznesit, por më e rënda dhe e paevitueshme është lënia e bujqësisë e blegtorisë tërësisht të pambrojtura ndaj sëmundjeve, infeksioneve dhe kërcënimeve të motit”, thotë ministri në largim. Sipas tij, bujqësia rrezikon të rrëshqasë në kaos dhe pasiguri. “Kirurgu e ‘përfundoi’ operacionin, por pacienti mjerisht vdiq”, thotë Panariti. 

Gjithashtu, nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Petrit Vasili, Lëvizja Socialiste për Integrim kritikoi edhe bashkimin në një ministri të sektorëve të turizmit dhe mjedisit. “Kryeministri shkollëpak çuditi dynjanë me injorancën e padëgjuar shtetërore të tij. Turizmin dhe mjedisin, oponentët e papajtueshëm të njëri-tjetrit, injoranca e frikshme e kryeministrit i vuri bashkë. Turizmin, nga mundësi madhore zhvillimi, e ktheu në hiç. Turizmi i drogës ka rëndësi për të dhe ai ka shënuar vërtetë suksese. Do të kemi qeverinë më të kriminalizuar, por edhe kryeinjoranten e Evropës. Shkollëpaktit aferim…”, u shpreh Vasili.
Sigal