Panariti-Clinton: Marrëdhëniet mes dy vendeve, në nivel të shkëlqyer

423
Sigal

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Punëve të Jashtme Edmond Panariti mori pjesë në darkën e shtruar nga Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, për nder të delegacioneve të vendeve anëtare të NATO-s. Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, gjatë këtij aktiviteti, Ministri Panariti zhvilloi një bisedë me zonjën Clinton, ku u rikonfirmua edhe një herë niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministri Panariti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Me këtë rast, ai shprehu dëshirën që Clinton të vizitojë Shqipërinë në vigjilje të kremtimeve për 100-Vjetorin e Pavarësisë. Nga ana e saj, Clinton vlerësoi zhvillimet pozitive në Shqipëri në kuadrin e procesit të marrjes së statusit kandidat në BE dhe shprehu mbështetjen e administratës amerikane në këtë drejtim. Gjithashtu, ajo përshëndeti kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në shërbim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë. Sekretarja amerikane e Shtetit, gjithashtu, u shpreh se ky është një vit i shënuar për popullin shqiptar, duke premtuar një vizitë në Shqipëri.