Panariti: Asnjë sistem zgjedhor nuk i reziston dot kalbëzimit moral politik!

469
Sigal

Nga Edmond Panariti

Asnjë sistem zgjedhor nuk i reziston dot kalbëzimit moral politik!  A na shpëton sistemi zgjedhor nga blerja dhe devijimi i votave? Kush na e garanton këtë?  Ndryshimet në kod dhe në sistemin zgjedhor janë të nevojshme në mënyrë periodike, për të “optimizuar” votën popullore përfaqësuese. Kjo ndodh në të gjitha demokracitë funksionale. Sigurisht! Por kjo presupozon së pari moral politik dhe pakt kombëtar për tu ndarë nga blerja, presioni, si dhe deformimi i votës duke shfrytëzuar xhepat ligjore të sistemit… Thënë shkurt nënkupton të mos futesh duart në proces.

Pyetja që shtroj për reformatorët e sistemit dhe kodit zgjedhor është kjo :A nuk patëm ne para ndryshimeve kushtetuese të  vitit 2008, një tjetër sistem zgjedhor? Përse e ndryshuam atë ? Sepse nuk ishte përfaqësues?  Jo aspak! Por partitokracia futi duart dhe e deformoi atë me metodën e Dushkut. E dhunoi e shfytyroi me një amoralitet të paprecedent! Prandaj një deputet u zgjodh dhe u fut në Kuvend me 25 mijë votues, pas një gare burrërore dhe ballafaquese, ndërsa dikush tjetër me “marifete” dhe pa u dukur fare në fushatë doli deputet vetëm me tre mijë vota “të trafikuara”. Pa llogaritur këtu paratë e pista dhe shantazhet e pushtetit të asaj kohe. Prandaj asnjë iluzion! Sistemi cilido qoftë ai, nuk garanton votë përfaqësuese nëse ngrihet mbi një moral të kalbëzuar politik!