Pampuri: Nuk do të kemi pushime, deputetët e PD të gjithë pranë qytetarëve

464
Deputetët e rinj të Partisë Demokratike do të nisin turin e dëgjesave në çdo degë. Deputetja e re e partisë Demokratike Orjola Pampuri, dalë nga radhët e psikologëve të njohur në vend, pas mbledhjes së djeshme që Lulzim Basha bëri me grupin e tij parlamentar, foli për vendimin e fundit. Tashmë dihet situata brenda kësaj force politike dhe për këtë qëllim, Basha e ka parë të domosdoshme të punoj fortë dhe të mos lejojë asnjë nga deputetët e rinj të qëndroj pasiv. E pyetur nga “Telegraf” Pampuri deklaroi se ajo që iu tha deputetëve është një gjë krejt normale, është ajo për të cilën kanë më shumë nevojë qytetarët në këto momente, aq më shumë përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të cilët dhanë votën e tyre në 25 qershor. Duket se në një farë mënyre, Basha ka nisur analizën, duke mbledhur informacion në degët e partisë në rrethe. Ky informacion në përfundim do të përmblidhet me qëllim që të përcaktohen më qartë defektet. 
Zonja Pampuri, cili është synimi i vendimit të djeshëm të Lulzim Bashës për të shpërndarë deputetët në qarqe?
Nuk ka asgjë jashtë normales. Në mbledhje u diskutua se në këto momente është shumë e domosdoshme që deputetët të shkojnë në çdo dege nëpër rrethe dhe të zhvillojnë takime me qytetarët. Duhet të jemi pranë tyre me qëllim që të mësojmë më shumë për atë se çfarë ka ngjarë dhe çfarë duhet të bëjmë. Secili deputet do të jetë në degët e veta. Do të bëhet i mundur ristrukturimi i punës. Pra do të thosha se nuk do të ketë asnjë ditë pushimi për ne. Do të ketë punë aktive me qytetarët. Kjo është ajo për të cilën qytetarët kanë nevojë. Jemi votuar për të qenë pranë tyre dhe këtë do të bëjmë, asgjë më shumë. 

Do të dilet me një raport në fund të këtyre dëgjesave?
Nuk besoj se do të jetë i nevojshëm hartimi i një raporti përfundimtar. Deputeti është misionar dhe si i tillë do të jetë pranë qytetarëve. Ne do të dëgjojmë zërin e tyre. Po kështu do të punohet për të ristrukturuar degët e partisë në rrethe. E thashë edhe më lartë ne do të nisim këtë rrugë për të dalë më të kuptuar se ku janë nevojat për ndryshim. Takimi me strukturat e Partisë në çdo qark është domosdoshmëri. 
Sigal