Paloka: Trafikanti i drogës, i lidhur me Edi Ramën. Balla: Filloi teatri komik “Babale 3”

697
Sigal

Përplasje me akuza të ndërsjella PD dhe PS për arrestimin e Mond Begës, i cili sot del para gjykatës greke

Shërbimet e policisë së Igumenices, në bashkëpunim me sektorin e kontrollit te pasaportave të Sajadhes, arrestuan pardje të shumëkërkuarin shqiptar Edmond Bego, 48-vjeç, i cili po kthehej nga pushimet në Korfuz dhe përmes Igumenicës do të kalonte për në Shqipëri. Bego kishte ndërruar emrin në pasaportë në Mond Bega dhe me këtë emër kishte kaluar nga Shqipëria në Korfuz.

Edmond Bego rezulton i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në organizatë kriminale, për trafik kokaine dhe heroine

Edmond Bego rezulton i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje ne organizatë kriminale, për trafik kokaine dhe heroine. 48-vjecari njihet si miku i Aldo Bares dhe rezulton me disa emra të tjerë si Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari. Ai ka qenë për disa kohë edhe president i klubit të futbollit të Lushnjës. Bego është dënuar nga drejtësia italiane për kryerjen e veprave penale të rënda, të “mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë”.

Paloka: Trafikanti i drogës, biznesmen ndërtimi i lidhur me Edi Ramën

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka theksoi se një trafikant ndërkombëtar droge jeton i lirë në Shqipëri, i përfshirë në biznesin e ndërtimit dhe është “biznesmen i lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës”. Pasi ngriti dyshimet se këtë shtetas e mbron socialisti Taulant Balla, Paloka i bëri thirrje gjithashtu edhe prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për moszbatimin e ligjit duke e lënë të lirë shtetasin e arrestuar, duke u shprehur se heshtja e prokurorisë është mbështetje të krimit të organizuar. Edi Paloka: Prej kohësh është e provuar se gjatë qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria është kthyer në parajsën e krimit të organizuar dhe strehën e sigurt të çdo trafikanti dhe krimineli të dënuar jashtë vendit. Falë bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin, trafikantë të rrezikshëm droge, vrasës të njohur dhe të dënuar jashtë vendit jo vetëm ndihmohen që të mos vuajnë dënimin, por janë shndërruar në biznesmenë të fuqishëm, që pastrojnë paratë e pista edhe nëpërmjet licencave dhe tenderëve publike. Mbrëmë vonë u mësua se policia greke ka arrestuar një prej eksponentëve të krimit të organizuar, anëtarin e bandës së Aldo Bares, i dënuar në Itali me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, biznesmenin e lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës, Edmond Bego. Pavarësisht se ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, trafikanti ndërkombëtar i drogës, anëtari i bandës së Aldo Bares, jetonte i lirë në Shqipëri, ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi, nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie. Nëse Edmond Bego nuk do ishte nisur me pushime në Greqi, sot shqiptarët nuk do të dinin se një kriminel i rrezikshëm, ka vazhduar të pasurohet lirisht duke u lidhur direkt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, edhe pse ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Çdo shqiptar pyet sot, Edi Ramën, dhe Policinë e Shtetit: Si është e mundur që një trafikant ndërkombëtar droge, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane arrestohet nga Policia greke, por jo nga Policia shqiptare? Si është e mundur që një trafikant i dënuar droge, jo vetëm nuk arrestohet, por bën i qetë biznes në Shqipëri? Çfarë lidhjesh me njerëz të pushtetshëm kanë detyruar Policinë e Shtetit të mbyllë sytë dhe të mos shohë një trafikant ndërkombëtar droge që shëtit i lirë nëpër Shqipëri? A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të? Sot kërkojmë edhe nga prokuroria të nisë menjëherë hetimet për të zbardhur arsyet e moszbatimit të ligjit dhe mosveprimit të Policisë së Shtetit ndaj këtij trafikanti ndërkombëtar droge. Heshtja e prokurorisë do të jetë një tjetër e dhënë që edhe ky organ tashmë është tërësisht në mbështetje të krimit të organizuar dhe jo në luftë me të.

Reagimi i deputetit Balla: Do takohemi në gjykatë

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar pas akuzave të opozitës se ai dhe trafikanti i arrestuar Edmond Bego kanë lidhje me njëri-tjetrin. Akuzave të opozitës, Balla iu përgjigj me një ftesë në Gjykatë, ku sipas tij do të marrin përgjigje për të gjitha pyetjet. Reagimi i Ballës: Partia Babalokratike filloi sot teatrin komik “Babale 3”. Madje dy zëvendësit e Lulzim Bashës bënë dhe prezantimin e skenarit. Meqenëse më drejtuan mua pyetje dy zëvendësit e Lulzimit, unë kam dëshirë që betejën ta bëj përsëri me Kryebabalen Lulzim Basha. Ngrini akuza, lërini pyetjet! Duhen për në Gjykatë përsëri. Le të na gjykojë në fund publiku. Siç do na gjykojë në Shtator për “Babale 1”, e më pas edhe për “Babale 2” etj.

Ndreu i përgjigjet Palokës: PD ndihmoi në lirimin e Edmond Begos

Deputeti i PS, Pjerin Ndreu i është përgjigjur nënkryetarit të PD, Edi Paloka në lidhje me akuzat që ai i bëri për lidhje me trafikantin e arrestuar në Greqi Edmond Bego. Në një postim në Facebook, Ndreu thotë se PD ka ndihmuar që Bego të lirohej nga dënimi. Statusi i Pjerin Ndreut: Lajthitja totale e një force politike që quhet PD është evidente. Ndërsa bëjnë opozitë, shfaqin simptoma të rënda në interpretimin e ngjarjeve të ndryshme. Të ngërthyer në mllefin ekstrem kundër Edi Ramës u është errur logjika dhe nuk dinë çfarë thonë! Në pamundësi totale për të përballuar forcën e lidershipit të PS, dalin në konferenca shtypi e çfarë nuk thonë. Rasti i një të ashtuquajturi Mond Bega, që na qenka arrestuar në Greqi, sipas PD përbën arsye për t’ju vërsulur qeverisë, Edi Ramës dhe Taulant Ballës se paskan ndihmuar këtë të dënuarin! Po mirë PS paska ndihmuar Mondin, sipas Palokës, të mos kapet, po në Gjykatë kush e ndihmoi që e konvertoi dënimin nga 21 në 4 vjet? Ndërsa PS paska lidhje me Mondin, lidhjen me kryesuesin e kolegjit Penal në Gjykatën e Lartë, njeri i afërt i Berishës dhe i zgjedhur prej tij kush ia bëri?! Sipas suflerëve të trullosur të PD miqtë e tyre i lehtësuan dënimin dhe e lanë të lirë në gjykatë, ndërsa në PS, kanë faj se nuk e kapi policia! Zotërinj, ju rroftë kontributi ju dhe derivateve tuaj në Gjykatë për ta liruar nga dënimi. Aq më keq, kur dhe vetë autoritetet greke e kanë liruar, pasi ka treguar pikërisht konvertimet e dënimeve të pjellave tuaja në gjykatë! E kuptoni sa të lodhur jeni, e lironi vetë dhe dilni në foltore e fajësoni të tjerët! Për çfarë kapet tjetri që ka ezauruar dënimin me konvertimin e gjykatës e gjykatësve PD-istë?! Më të lajthitur se kaq, s’ke ku gjen! Të fala nga selia e PD së përhumbur!