Paloka: Rama-Meta nuk ndalen para krimit, policia dhunë ndaj kandidatit të Vorës

384
I ashpër ka qenë qëndrimi i Partisë Demokratike në lidhje me incidentet e ndodhura ditët e fundit në Vorë, si dhe për procedimin e kryebashkiakut Fiqiri Ismaili. Në një dalje publike para mediave, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka akuzuar dyshen Rama-Meta se sipas tij nuk po ndalen para akteve kriminale. Paloka tha se policia e Vorës po dhunon mbështetësit e opozitës, ndërsa theksoi se e njëjta gjë po ndodh dhe me kandidatin e kësaj bashki, Ismailin.
“Mazhoranca Rama-Meta apo Meta-Rama nuk po ndalet përpara as një akti të jashtëligjshëm dhe kriminal në funksion të dhunimit të vullnetit të qytetarëve që kanë vendosur të votojnë kandidatët e opozitës në zgjedhjet e 21 qershorit. Aktet e fundit në Vorë ku policia e shtetit është vënë tërësisht në shërbim e në urdhrat e Ilir Metës dhe LSI-së tregojnë qartazi që kjo mazhorancë, Meta por edhe bashkëpunëtori i tij Rama, janë gati të çojnë demokracinë drejt shkatërrimit dhe vendin drejt stabilizimit për interesat e tyre mafioze. Në Vorë policia e drejtuar prej Bujar Lazes nga Skrapari dhunon çdo ditë mbështetësit e opozitës, i ndalon, i keqtrajton dhe i kërcënon që të mos mbështesin kandidatin e djathtë Fiqiri Ismaili. Dhunë direkte ka patur gjatë gjithë kësaj kohe edhe ndaj biznesit të kandidatit Ismaili. Iu bllokua malli nga ministri i LSI-së. Iu bllokuan mjetet e punës dhe nga dje prej mëse 14 orësh policia në mënyrë të paligjshme ka bllokuar tërësisht biznesin e tij. 
Me metoda tipike të sigurimit të shtetit kërcënohen dhe detyrohen qytetarët të bëjnë dëshmi të rreme në zyrat e komisariatit të LSI-së se gjoja kandidati i së djathtës ka kërkuar tu blejë votën. Për të gjitha këto Partia Demokratike po bën gati denoncimin për ndjekje penale ndaj shefit të komisariatti vorë.Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush e përfaqëson mafien sot në pushtet. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush me paratë që u grabit ditë, kërkon tu blejë votat natën dhe nuk mund të mashtrohen as nga spotet cinike të LSI-së as nga metodat e sigurimit të shtetit. Shqiptarët po shohin përditë qartazi impenjimin me të gjitha format e Metës dhe Ramës në Vorë dhe në të gjithë zonat e tjera ku mazhoranca ndjen humbjen. Partia Demokratike u bën thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e zgjedhjeve të impenjohen seriozisht për evidentimin dhe denoncimin e akteve të tilla kriminale ku e gjithë struktura e shtetit duke filluar nga policia përdoren si organizata kriminale dhe mafioze për të grabitur votën e shqiptarëve”, deklaroi Paloka.
Sigal