Paloka pyet Xhafajn: A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij?

513
Petraq Barjami

Ministri i Brendshëm në krah të kryebashkiakut të Elbasanit inventarizon grupet kriminale
Elbasani është “teatri” i krimeve, ku bandat rivale bëjnë luftë në mes të sheshit, ndërsa policia, sa herë ndodh krimi, bën vetëm “inventarizimin” e gëzhojave, pa mundur kurrë të kapë kokat drejtuese të krimit të organizuar. Kaq “trima” ndihen në Elbasan anëtarët e bandave kriminale, sa, djali i administratorit të tregut të Elbasanit gjuajti në mes të ditës makinën e policisë dhe, askush nuk mundi të hapte gojën e të denonconte autorin e krimit Administratori i tregut është bashkëortak me pjesëtarë të familjes së kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, prandaj, as policia nuk guxoi ta hetonte. Sot, autori i krimit ndaj policisë, djali i administratorit të tregut të Elbasanit, bashkëortak me familjarë të kryebashkiakut Sejdini është në kërkim nga prokuroria, pasi u zbardh ngjarja dhe u provua autorësia e krimit.
Ministri Xhafaj ka skeduar grupet kriminale, pa guxuar t’i prekë 
Dje, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u ndodh përkrah kryebashkiakut të qytetit të krimit, jo rastësisht. Ministri Xhafaj, ndoshta edhe figurativisht, zgjodhi Qazim Sejdinin, për t’i dhënë mesazhe grupeve dhe bandave kriminale, se ai i ka skeduar, cilët janë, prandaj, edhe këtej e tutje, policia do t’u nxijë jetën. “Kemi skeduar të gjitha grupet kriminale në Shqipëri apo që ushtrojnë aktivitetin jashtë vendit. Jo vetëm që i kemi evidentuar, por me bashkëpunimin e Prokurorisë kemi goditur një pjesë të rëndësishme të tyre. Kemi goditur 7 grupe kriminale me persona të arrestuar, drejtues apo anëtarë të këtyre grupeve kriminale. Jemi të angazhuar për ndëshkimin e këtyre grupeve kriminale. Për t’i vënë para përgjegjësisë dhe ligjit. Shteti është shumë më i fortë se çdo lloj krimineli. Ata duhet ta kenë shumë të qartë që policia do t’ua nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të përballet me drejtësinë. Krijojnë shqetësime për rendin, për sigurinë, për jetën e qytetarëve. Jemi në një betejë pa kompromis”, deklaroi Xhafaj.
Deputeti Paloka: A e ka skeduar të vëllain Agron Xhafaj, aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë?
Deputeti i PD-së, Edi Paloka iu përgjigj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili deklaroi se policia ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë shumë shpejt. Paloka shtron katër pyetje dhe përmend disa emra të njohur, lidhjet e të cilëve siç thotë, me trafikantët e drogës duhet të hetohen. Sipas demokratit, ministri duhet ta nisë hetimin nga vëllai i tij. “Është gjë e mirë që, pas 5 vjetësh në pushtet, qeveria thotë, se ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë, por ky është një film i parë 5 vjet më parë. Atëherë u premtua se brenda 300 ditëve do të vendosej rendi dhe siguria dhe, se krimit do të shtypej, por ajo që ndodhi ishte kanabizimi i vendit dhe një Ministër i Brendshëm në krye të trafikut të drogës, që sot duhet të ishte në burg. Sot, Fatmir Xhafaj duhet të japë përgjigje:

1. A e ka skeduar të vëllain Agron Xhafaj, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë?
2. A e ka skeduar grupin e Arbër Çekaj, të drogës kolumbiane, ku bën pjesë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit?
3. A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij në Elbasan, ku përfshihet edhe kompania e gruas së Sejdinit, që është nën hetim për trafik droge?
4. A e ka regjistruar grupin e Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit?
Nëse vërtet do që të luftojë krimin e organizuar dhe lidhjet me qeverinë e Ramës, përgjigjet për këto pyetje Fatmir Xhafaj duhet t’i bëjë publike dhe t’i kërkojë ndihmë çdo qytetari që ta ndihmojë”,- shprehet deputeti i PD-së Edi Paloka.

Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me deklaratën e PD-së, ku Edi Paloka i kërkoi Fatmir Xhafajt që të “skedonte” 6 emra, për të cilët ministri duhej të jepte shpjegime. Në reagimin e saj Ministria e Brendshme thekson se: “Policia e Shtetit konform ligjit ka bërë zbatimin e urdhërimeve përkatëse të ndalimit të lëshuara nga organi i Prokurorisë, veprime të cilat në vlerësimin tonë janë tërësisht të ligjshme dhe në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale”.
Sigal