Paloka: PD në rrugë të drejtë, deklarata për ndryshimin e statutit, anonime

558
“Lufta” brenda Partisë demokratike duket se nuk ka përfunduar. Grupi anti-Basha, i është rikthyer sërish betejës për të bërë atë, të cilën ata e konsiderojnë të domosdoshme, demokratizimin e partisë dhe kthimin e saj në vlerat për të cilat edhe është krijuar. Janë një grup jo i vogël brenda kësaj partie. Gjatë ditës së djeshme ata kanë botuar një letër të hapur, me anë të së cilës lajmërojnë për një erë të re në PD. Thonë se nuk do të heqin dorë nga partia e tyre. Madje kanë dalë edhe me një platformë të qartë për ndryshimin e statutit, duke hedhur idenë e reformimit të tij në vjeshtë. Pra tashmë në hapësirë kemi dy platforma, njëra e cila është zyrtare dhe përfaqëson palën që drejtohet nga lideri i partisë Lulzim Basha dhe tjetra për të cilën janë investuar grupi i deputetëve të përjashtuar para zgjedhjeve të 25 qershorit dhe që nga opinioni i djathtë konsiderohen të vjetrit. Edi Paloka nënkryetari i Partisë Demokratike shprehet shkurt për deklaratën e këtij grupi kritikësh, të cilët kanë dalë pa emra konkret. “E lexova një deklaratë në shtyp. Dukej si anonime. Kush janë grupi i kritikëve. A kanë emra këta persona që kanë shkruar një deklaratë dhe e kanë botuar në media. Pra me pak fjalë ajo është një letër anonime”, u shpreh nënkryetari i PD-së, i pyetur nga gazeta “Telegraf”. Paloka nuk e komentoi më tepër deklaratën e tyre, pasi tha se pikë së pari duhet të gjejmë se kush e ka dhënë mendimin për të shkruar një letër. Ndonëse në deklaratë thuhej se grupi i kritikëve ka marrë një iniciativë, Paloka u shpreh për “Telegraf” se deklarata duhet të ketë emra konkretë, pasi edhe para zgjedhjes së kryetarit kritikët u munduan të hartonin lista me emrat e anëtarëve të partisë në të gjitha rrethet, por më pas doli se ato ishin të falsifikuara. Të nisur nga ky këndvështrim, Paloka e konsideroi deklaratën të pavlefshme për aq kohë sa ajo nuk ka asnjë firmë në fund të saj. “Ne nuk na ka ardhur asnjë letër e tillë. Madje edhe po të na vijë duhet të kemi dijeni mbi letërshkruesit. Ai që mund ta ketë hartuar, mbase nuk është kritik”, shprehet Paloka.
Sigal