Paloka: I kemi propozuar shumicës një marrëveshje, që të kthehemi në Kuvend

432
Sigal

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një deklaratë për mediat bën me dije se opozita i ka propozuar shumicës një marrëveshje, e cila do të mundësonte kthimin e tyre në parlament. Sipas Palokës, bëhet fjalë për një marrëveshje që do ketë garancinë e ndërkombëtarëve dhe sipas të cilës shumica duhet të zotohet të mos verë më kurrë në pikëpyetje sovranitetin e Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave, si dhe të punojë bashkë me opozitën për të çmontuar mekanizmin që promovon krimin në Kuvend dhe në strukturat shtetërore. “Ndërprerja e marrëdhënieve me Kuvendin është pasojë e asgjësimit të debatit parlamentar nga dyshja Rama-Meta. Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë të paguajë çdo çmim në mbrojtje të demokracisë dhe lirive themelore. Papunësia në rritje, varfëria, pasiguria dhe depresioni ekonomik si dhe arroganca e paligjshmëria qeveritare janë prodhim i drejtpërdrejtë i degradimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare nga dyshja Rama-Meta. Kush mbyll sytë apo e shikon me syze rozë këtë realitet gabon rëndë dhe gënjen veten. Nëse nuk ka reflektim, Partia Demokratike do të udhëheqë qytetarët në protestat më masive dhe popullore deri në rrëzimin e atyre që mendojnë se janë mbi ligjin dhe Kushtetutën”, thuhet në deklaratën e PD.