Palmat rrëzohen përtokë, duke shpërdoruar milionat e harxhuara

599
Që në “foshnjërinë” e tyre, palmat e mbjella në të dy anët e autostradës Tiranë – Durrës filluan të rrëzohen përtokë, kur ende nuk kaluan dot as një behar, që u mbollën. Të thahej palma, mund të gjendej ndonjë diagnozë justifikimi, duke shkruar nëpër raporte se …qëlloi dhe u tha”, por që palmat, të cilat kushtuan 4-5.000 euro secila, si ka mundësi që të rrëzohen, kësaj pyetjeje vështirë që t’i gjendet përgjigje justifikimi?! Përveçse…
Tendera për të mbushur xhepat
Meqë, së pari jam specialist i fushës, rrëzimi i palmës së mbjella anës autostradës Tiranë – Durrës, për më tepër, në pak kohë nga mbjellja e tyre, dëshmon se mbjellja është bërë jashtë kushteve teknike, pa asnjë pikë përgjegjësie, por thjesht, palma u ngul në tokë, u mbulua me një çikëz baltë, sa të thahej boja nga preventivat e tenderave dhe xhepat u mbushën me paratë. Në vijimësi, palmat e mbjella do të kenë edhe probleme të tjera të mbijetesës së tyre, sepse do t’u duhet të përballen me kushte ekologjike që nuk janë të origjinës së tyre, por ata që morrën iniciativën, kishin më shumë merak tenderin për palmat, sesa palmat në autostradë. Tani, që filloi rrëzimi i vetvetishëm i palmave, a do të nxirren përgjegjësitë konkrete dhe shpenzimet e deritanishme t’u ngarkohen atyre që shpërdoruan fondet me punime të papërgjegjshme? Deri tani, edhe pse qytetarët që kalojnë në autostradë ndeshen me palmën e rrëzuar, si një qënie e aksidentuar që nuk i jepet ndihmë, asnjë nuk merr iniciativën që të bëjë diçka, pale që të kërkojë të nxjerrë përgjegjësitë, sepse u harxhuan mijëra euro vetëm për mbjelljen e një palme. 

Shpërdorohen miliona euro për tendera të kota, kur shkurtohet ndihma sociale
Qëlloi që palma u rrëzua në tokë, në të njëjtën kohë që qeveria filloi “krasitjen” me gërshërën e madhe të buxhetit të shtetit për vitin 2015, pikërisht në zëra të ndjeshëm, sikurse ndihma ekonomike dhe sociale, në ndihmën për të papunët, në Arsim dhe Shëndetësi, në investime në infrastrukturë. Pra, qeveria shkurton fondet në miliarda lekë për të papunët, për shtresat në nevojë, kur nga ana tjetër ka paguar tendera për mbjelljen e palmave anës autostradës, të cilat kushtojnë 4-5.000 euro secila, dhe paskëtaj, ato rrëzohen në tokë, pa u mbushur viti. Jo vetëm kaq. Ministria e Transportit dhe e infrastrukturës, ka hartuar një projekt për zgjerimin e autostratës Tiranë – Durrës, në të dy anët e saj. Kjo do të thotë që të gjitha palmat e mbjella deri tani, do të shkulen. Atëhere, si ka mundësi që ato u mbollën para një viti? A kishte projekt përfundimtar të autostradës? A e dinin ata që projektuan dhe paguan mbjelljet e palmave në të dy anët e autostradës Tiranë – Durrës, që pas disa vjetësh (faktikisht, tani pas 2 vjetësh) rruga do zgjerohej? Natyrisht, që projekte kishin, paçka se ato mbaheshin në sirtare. Atëhere: Përse u mbollën palmat në autostratën Tiranë – Durrës? E vetmja përgjigje që mund të jetë e pranueshme dhe logjike, është se duheshin mbjellë që të justifikonin milionat euro që u harxhuan për mbjelljen e tyre. Asnjëherë në kohën e mbjelljes së palmave përgjatë autostradës Tiranë – Durrës nuk u vendosën tabela që të publikoheshin të dhënat e tenderimit, shpenzimet, kush e zbatonte projektin. Ndaj, tani, që palmat rrëzohen përtokë nga era, askush nga përgjegjësit nuk paguan dëmin. As pas një ndëkohe të shkurtër, kur palmat do të shkulen të gjitha, që autostrada do të zgjerohet nga të dy anët, askush nga përgjegjësit e shpërdorimit të miliona euro, nuk do të vihet përpara përgjegjësive administrative dhe penale për shëprdorim detyre dhe fondesh publike.
Sigal