Pallatet mbi gjashtë kate, vetëm me firmën e Kryeministrit Rama

482
29 korrik – Vendimi i qeverisë është marrë më datën 29 korrik të këtij viti, ku përcakton dhënien e pjesshme të lejeve nga ana e bashkive
6-katëshe – Për ndërtimet mbi 6 kate, leja duhet të merret nga Këshilli Kombëtar i Territorit, institucion që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama
14 bashki – Këto 14 bashki kanë të drejtën e dhënies së lejes pasi planet e tyre zhvillimore janë miratuar më parë në Këshillin Kombëtar të Territorit
Qeveria ka urdhëruar mosdhënie leje ndërtimi deri në miratimin e planeve të reja urbanistike për 61 bashkitë e reja, por me një vendim të posaçëm ka përjashtuar 14 njësi vendore. Në vendim e marrë më 29 korrik të këtij viti, qeveria ‘Rama’ ka ndryshuar Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, dispozitën tranzitore në nenin 45 duke i dhënë të drejtën e lejeve të ndërtimit për 15 zona të caktuara të bashkive të reja, duke i përcaktuar dhe kushtet të veçanta. Ai më i kryesori është lejet e ndërtimit mbi 6 kate, të cilat nuk do të jepen nga bashkitë por vetëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit që drejtohet nga ana e Kryeministrit Edi Rama. Për ndërtesa më të ulëta vendimi do të merret nga Këshilli i Bashkisë. “Deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për territoret administrative të bashkive: a)kërkesat për leje zhvillimi/ndërtimi do të merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm për zhvillime të propozuara në zona të territorit vendor, për të cilat janë miratuar dokumentet e planifikimit të territorit, sipas hartës bashkëlidhur, me përjashtim të zonave me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike dhe brezit bregdetar, sipas vendimit nr. 1, datë 8.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit, në të cilat çdo ndërtim i ri do të jetë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit; b) për të gjitha zonat e tjera, që nuk përfshihen në shkronjën “a”, të këtij neni, kërkesat për leje ndërtimi do të merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit; c)për objektet mbi 6 kate, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, leja e ndërtimit jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit”, thuhet në VKM numër 672 të firmosur nga Rama. Mbi bazën e këtij përcaktimi, objektet e ndërtimit që do të jenë mbi gjashtë kate do të jenë kompetencë e Këshillit Kombëtar të Territorit. Më datën 13 maj të këtij viti qeveria mori vendimin “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”. “Deri në miratimin e dokumenteve vendore të planifikimit apo rishikimin e atyre ekzistuese për territorin administrativ, kjo rregullore do të zbatohet vetëm për kategoritë e objekteve të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe sipas procedurave të identifikuara në këtë të fundit”, thuhej në dispozitën kalimtare të nenit 45, e cila ishte në fuqi përpara zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Por pas zgjedhjeve, kjo dispozitë u ndryshua duke i dhënë të drejtën e ndërtimit atyre bashkive që kishin miratuar planin zhvillimor.
Sigal

14 bashkitë

Qeveria në vendimin e marrë e të publikuar në Fletoren Zyrtare numër 145, ka bashkëngjitur dhe numrin e atyre bashkive që kanë miratuar zonat e planit zhvillimor. Njësitë vendore që kanë të drejtën të japin leje ndërtimi janë: Himara, Lushnja, Berati, Kamza, Tirana, Fieri, Vora, Mamurrasi, Durrësi, Shkodra, Rrogozhina, Fushë-Kruja, Bulqiza dhe Korça. Këtyre iu jepet e drejta dhe dhënies së lejeve të ndërtimit pasi kanë miratuar instrumentin e përgjithshëm në Këshillin Kombëtar të Territorit. Në këto janë renditur dhe vendimet e marra për planet zhvillimore, duke vijëzuar me ngjyrë të verdhë vendimin që shoqërohet nga VKM-ja e botuar në Fletoren Zyrtare. “Njësi të Qeverisjes Vendore (NJQV) me instrument të përgjithshëm vendor për të cilat lejohet dhënie e lejeve zhvillimore në përputhje me dokumentin vendor të miratuar”, thuhet në legjendën e hartës që shoqëron VKM-në. Ndërsa për njësinë e Mamurrasit dhe Fushë-Krujën, këto plane i bashkëngjiten bashkive si Kurbin dhe Krujë, pasi me ndarjen e re territoriale dhe administrative këto njësi vendore nuk ekzistojnë më. Të 12 njësitë e tjera janë si bashki më vete.

Planet e reja

Qeveria, pas ndarjes së re territoriale, po angazhohet me kryebashkiakët e rinj për të hartuar planet e reja të rregullimit të territorit. Qeveria ka kontaktuar me 26 kryebashkiakë, të qyteteve kryesore për t’i ndihmuar në hartimin e planeve të reja të zhvillimit, duke i rrëzuar vendimet e mëparshme. Ministrja Eglantina Gjermeni bëri të ditur se Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit do të angazhohet për të ndihmuar 26 njësi vendore, sipas ndarjes së re territoriale administrative, për planet e tyre vendore. Hartimi i planeve të tyre vendore do të realizohet me një procedurë të përshpejtuar, pikërisht për t’i hapur rrugë një procesi të zhvillimit të planifikuar të territorit dhe një procesi të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri. “Mendoj që ka ardhur koha e përfundimit të një kaosi në zhvillimin e territorit dhe zhvillimit urban në Shqipëri. Tashmë njësitë e reja vendore me hapësirat dhe mundësitë që kanë, me kapacitetet njerëzore dhe resurset që kanë, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, me ekspertizë të huaj dhe kombëtare do të hartojmë planet e tyre që do të shërbejnë si burim apo si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social të këtyre njësive”, theksoi Gjermeni.