Pakti PS-LSI: Ilir Meta, President i Republikës

624
Dy partitë bashkëqeverisëse bien dakord të mbështesin kandidaturën e kreut të Kuvendi si drejtues i ardhshëm i shtetit

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbështesin kandidaturën e Ilir Metës për postin e Presidentit të Republikës. Pas një dite intensive negociatash, dy partitë bashkë qeverisëse ranë dakord të votojnë sot në raundin e katërt për zgjedhjen e kreut të Kuvendit si drejtues i ardhshëm i shtetit. Ndonëse PS dhe LSI kanë mbi 80 mandate në Kuvend, në bazë të Kushtetutës do të nevojiten të paktën 71 vota. Me sigurimin e këtyre, Ilir Meta do të presë pasditen e 24 korrikut për të ngjitur shkallët e Presidencës dhe për të qenë Kreu i Shtetit për 5 vitet e ardhshëm. 

Kërcënimi i Ruçit 
Kuvendi dogji dje në mesditë raundin e tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ishte ky raundi i fundit për të cilin kërkohen 84 vota, ndërsa në dy mundësitë pasuese do të mjaftojnë 71 vota. Pa pasur asnjë kandidat të zyrtarizuar, Kuvendi e konsumoi hapin e tretë, ashtu siç kishte ndodhur me dy raundet e para. PS dhe LSI kishin vendosur të mos paraqisnin asnjë kandidat, në përpjekje për të bindur opozitën për të diskutuar mbi një kandidaturë konsensuale. Megjithatë Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk pranuan të përfshihen në këtë proces, duke e lënë gjithçka në dorë të shumicës parlamentare. Për rrjedhojë, tre raundet e para të zgjedhjes së Presidentit nuk patën rezultat. Megjithatë, ajo që habiti jo pak në seancën e djeshme ishte fjala e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Ai tha se zgjedhja e Presidentit duhej mbyllur brenda kësaj jave, ndërsa deklaroi se negociatat me Partinë Demokratike cilësohen të mbyllura. “Ne si grup parlamentar i Partisë Socialiste jemi dakordësuar pa asnjë rezervë me filozofinë e lutjeve për PD, që ju keni adaptuar për një kohë relativisht të gjatë për sa i përket çështjeve të fundit. Dakord. Dogjëm raundin e tretë dhe pse kemi votat për ta zgjedhur që në raundin e parë. Dhamë gjithë kohën e nevojshme dhe të domosdoshme që kundërshtarët tanë politikë të na jepnin një kandidaturë të pranueshme dhe të diskutueshme edhe nga ne. Nuk e dhanë”, tha Ruçi, duke iu drejtuar Metës. “1 milion njerëz, që na kanë votuar ne të gjithëve bashkërisht këtu si mazhorancë për ta qeverisur këtë vend, po vazhdojnë të na shikojnë se si na merr peng një çadër, që e ka hallin e saj tek Vetingu dhe tek drejtësia. Përgjigja ime për këtë pyetje është vetëm një: dialogu ka mbaruar. Ne duhet të kryejmë funksionet tona kushtetuese, që do të thotë se duhet të zgjedhim presidentin e vendit nga ky parlament, i cili ka të drejtën morale, kushtetuese, ligjore që ia kanë dhënë jo pak, por 1 milion votues”, tha Ruçi. Ai shtoi se socialistët i kanë bërë llogaritë dhe i kanë 71 vota edhe pa LSI-në për ta zgjedhur presidentin. “Unë shpresoj që të mos na detyroni dhe as që e marrim përsipër që të shkelim mbi moralin e kësaj force politike. PS nuk dëshiron ta zgjidhë me forcën e numrave këtë çështje kaq të rëndësishme për Shqipërinë e pesë vjetëve të ardhshëm, sepse ne kemi gjykuar gjithmonë që të parin do të zgjedhim Presidentin e Republikës, jo presidentin e fondacionit “Qemal Stafa”. Prandaj zoti kryetar, ju takon juve si forcë politike që jeni vendosur, si ndërmjetës edhe si interlokutor midis dy palëve dhe keni kaq kohë që, pse mos ta them se po flas troç, keni anuar nga pala tjetër dhe mirë keni bërë, për të arritur tek ai pikësynim i përbashkët që kemi pasur të gjithë. Prandaj unë do kërkoja që edhe ju të reflektoni për të mos e mbyllur këtë parlament me një dështim të tillë të paarsyetuar, të paligjëruar, vetëm e vetëm për ata të çadrës”, nënvizoi Ruçi. 

Negociatat
Pas përcaktimi të raundit të katërt të votimit për presidentin pasditen e sotme, në orën 17:00, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nisën diskutimet. Grupi parlamentar LSI-së propozoi dy emra si kandidatë për president. Ilir Meta, kryetar i LSI-së dhe Petrit Vasili, ministër i Drejtësisë, ishin propozimet që u dërguan për Partinë Socialiste. PS dhe LSI zhvilluan më pas një takim të përbashkët në vilën qeveritare nr.30. Ky takim u pasua nga një mbledhje e kryesisë së Partisë Socialiste, e cila vendosi të miratonte kandidaturën e Ilir Metës si President të ardhshëm të Republikës. Në përfundim të mbledhjes Taulant Balla tha se LSI ofroi dy kandidatura për postin e presidentit në raundin e katërt që zhvillohet të premten në Parlament. “Me vota unanime, tha Balla, kryesia e PS mbështeti kandidaturën e zotit Ilir Meta për president. Nesër (sot) në mëngjes do të mblidhet edhe grupi parlamentar i PS dhe do të njihet me propozimin e Kryesisë së PS”, u shpreh Balla. Për të ndjekur rrugën zyrtare, kandidatura e Metës duhet të firmoset nga të paktën 20 deputetë dhe të miratohet në Komisionin parlamentar të Ligjeve, përpara se të shkojë në seancën e pasdites për t’u votuar. Ndërkohë Meta duhet të lërë drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe postin e kreut të Kuvendit për të pritur 24 korrikun, ditën e betimit si Kreu i ri i Shtetit.
Kush është Ilir Meta
Jetëshkrimi
Të dhëna vetjake
Datëlindja: 24.3.1969
Vendlindja: Skrapar.
Edukimi: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Master për Integrimin Ekonomik, Universiteti i Tiranës.
Veprimtaria profesionale:
2003-2004: Anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i drejtuar nga Giuliano Amato.
2002-2003: Pedagog i jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë, UT.
Veprimtaria politike:
1992-2000: Nënkryetar dhe kryetar i Forumit të Rinisë Eurosocialiste.
1993-2003: Anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
1993-1996: Nënkryetar i Partisë Socialiste.
1993-1996: Sekretar i marrëdhënieve ndërkombëtare i PS-së.1996-1997: Zëvendëskryetar i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë
1997-1998: Kryetar i PS-së së Tiranës.
1997-1998: Sekretar Shteti për Integrimin Evropian.
1998-1999: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Integrimit.
1999-2002: Kryeministër.
2002-2003: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm. 
Shtator 2004: Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). 
2004-2006: Anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, kryesuar nga ish-kryeministri Italian, Giuliano Amato. 
Shtator 2009 – shtator 2010: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme. 
Shtator 2010- janar 2011: Zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. 
10.09.2013: Kryetar i Kuvendit.
Zgjedhur në legjislaturat: II, III, IV, V, VI, VII, VIII.
Basha: Për Presidentin ishte rënë dakord prej 3 muajsh
Pas propozimit të LSI-së për Ilir Metën si President dhe mbështetjes që PS-ja i dha kësaj kandidature, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se ftesa e qeverisë ka qenë e pasinqertë ndaj opozitës, pasi prej tre muajsh kanë rënë dakord për kandidaturën e Presidentit të Republikës. Sipas liderit të opozitës, në saj të kësaj janë bërë një sërë lëvizjes politike nga mazhoranca. “Prej katër vitesh, qeveria qëndron nën akuzë për korrupsion galopant siç përmendet në raportin e fundit të DASH, përmes tenderëve dhe koncesioneve qindra milionëshe, të cilat kanë shkaktuar varfëri të madhe. Qëndron nën akuzë për dekriminalizimin e shtetit, si dhe qëndron nën akuzë për kthimin e Shqipërisë në pikën më të madhe të kultivimit të kanabisit”, tha Basha. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, qëndrimet e LSI-së kanë qenë hera-herës kritike për koncesionet, për tenderët, drogën dhe kriminelët në pushtet, por realisht për asnjë moment nuk ka kondicionuar përveç fjalëve, me votë këtë realitet të përkeqësuar të shqiptarëve.
Rama: Meta, i lindur për të drejtuar shtetin
Kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur për votimin gjatë ditës së sotme të Ilir Metës në krye të shtetit, ndërsa ka mohuar se ka pasur një marrëveshje mes të dy politikanëve kohë më parë. Në një intervistë televizive, Rama u përpoq të bindë opinionin, se vendimi ishte marrë dje dhe se deklaratat e Gramoz Ruçit ishin bërë nën presion. “Ilir Meta ka bërë një përpjekje që unë s’kam qenë dakord, po unë s’jam Meta, për të bërë gjithçka që opozita të kthehet në parlament. Jo sikur ishim në koalicion, por sikur ishim 3 palë. Ilir Meta ka luajtur rolin e të tretit, të vërtetit. Mund t’ju them edhe më shumë. Edhe oferta e fundit, dy pikat e fundit, shtyrja e zgjedhjeve në 16 korrik dhe mundësia e prekjes së qeverisë në poste kyçe janë rezultat i përpjekjes së Metës”, tha Basha. Ai shtoi se Meta është president i lidhur me të gjithë. “Ka akses te të gjithë. Flet me të gjithë. I thotë të gjithëve çfarë mendon. Do jetë përshkrimi i punës për të, e ka pasur vokacion, është një zgjidhje ideale. Nëse do kërkonim president me këto karakteristika nuk do e gjenim asgjëkundi. Është i prerë Ilir Meta për të qenë me të gjithë dhe me asnjë”, nënvizoi kryeministri.
Sigal