Pas deklaratës së Kryeministrit se marrëveshjen me Greqinë mund ta votojë parlamenti, vjen raportimi i “Zërit të Amerikës”, i cili deklaron: “Çështja nuk është vetëm në dorën e shumicës, por bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë dhe se Presidenti ka rol vendimtar”. Opinioni i Ramës, fakti i Metës dhe Gjykata Kushtetuese

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në “Vizion Plus” se pakti detar me Greqinë mund të votohet nga Kuvendi pa pasur nevojë që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale. Kryeministri deklaroi se ankesat në Gjykatë mund të regjistrohen dhe të trajtohen më vonë. Reagimi i kreut të qeverisë erdhi pas qëndrimit të Presidentit Ilir Meta, i cili deklaroi se marrëveshja me Greqinë do të miratohet në Parlament vetëm nëse Shqipëria do të ketë Gjykatë Kushtetuese. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është jo funksionale për shkak të vakancave të krijuara nga procesi i Vettingut dhe mbarimi i mandateve të disa prej anëtareve. “Zëri i Amerikës” i ka kushtuar dje një artikull qëndrimeve të kryeministrit, ku bie në sy theksimi që i bëhet procedurës ligjor për marrëveshjet ndërkombëtare. “Çështja nuk është thjesht dhe vetëm në dorën e shumicës. Në këtë rast bëhet fjalë për një “marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë” dhe sipas ligjit të posaçëm të miratuar në 2016, marrëveshje të tilla “mund të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës ose nga Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave apo çdo zyrtar i lartë, në çdo rast me autorizim nga Presidenti i Republikës”. Pra roli i kreut të Shtetit është vendimtar, dhe deklarata e zotit Meta, nuk duket të ketë qenë thjesht një opinion, por bërja e qartë e faktit se ai është i vendosur të luajë plotësisht rolin dhe kompetencat që i njihen në këtë rast”,- thuhet në raportimin e “Zëri të Amerikës”.

Shkrimi i Zërit të Amerikës: Marrëveshja e Detit dhe Kushtetuesja, Rama: Parlamenti është sovran

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e së enjtes, se në rast të arritjes së një marrëveshjeje me Greqinë për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve, ajo do të kalojë në parlament, pa pritur që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale. Komentet e zotit Rama në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla në televizionin “Vizion Plus”, pasuan deklaratën e një dite më parë në Zërin e Amerikës, të Presidentit Ilir Meta i cili theksoi se “është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të dy vendeve”, – tha zoti Meta, duke shpjeguar se këtë gjë ia ka bërë të qartë dhe kryeministrit Rama. Por kreu i qeverisë foli për “një opinion të Presidentit” duke shtuar se “parlamenti është sovran në këtë pikë. Nëse do të realizojmë një marrëveshje sigurisht që ne do ta kalojmë në parlament, dhe pastaj Gjykata Kushtetuese vërtetë sot nuk mund të gjykojë por ajo është e hapur. Kush ka pretendime mund të regjistrojë pretendimin, mund ta depozitojë çështjen, dhe në momentin që bëhet funksionale, ajo mund ta rimarrë çështjen”, – u shpreh zoti Rama. Megjithatë, çështja nuk është thjesht dhe vetëm në dorën e shumicës. Në këtë rast bëhet fjalë për një “marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë” dhe sipas ligjit të posaçëm të miratuar në 2016, marrëveshje të tilla “mund të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës, ose nga Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, apo çdo zyrtar i lartë, në çdo rast me autorizim nga Presidenti i Republikës”. Pra roli i kreut të Shtetit është vendimtar, dhe deklarata e zotit Meta, nuk duket të ketë qenë thjesht një opinion, por bërja e qartë e faktit se ai është i vendosur të luajë plotësisht rolin dhe kompetencat që i njihen në këtë rast. Po dje, mbi deklarimet e zoti Meta, u shpreh dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, me të cilin, siç pohoi kreu i Shtetit, kishin pasur mosmarrëveshje për çështjen e Detit. Shefi i diplomacisë shqiptare, iu shmang qëndrimeve që do ta vinin në përplasje direkt me zotin Meta, ndërsa tha se “negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do të përmend një shprehje popullore ne nuk mund të bëjmë dasmë, kur nuk kemi çiftin. Pra në rastin në fjalë negociatat nuk kanë përfunduar, dhe deri në momentin që negociatat do të përfundojnë, ne e konsiderojmë veten pjesë të një ekipi, përfshirë Presidentin e Republikës”, – u shpreh zoti Bushati. Ai shtoi se “në momentin që do të përfundojë e gjithë puna teknike që po zhvillohet nga ekspertët, dosja do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës, ku ekipi i ekspertëve do të bëjë vlerësimin përfundimtar mbi përputhshmërinë e asaj çka do të jetë arritur me mandatin që ka lëshuar Presidenti i Republikës për këtë çështje”. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është e bllokuar sepse vetëm 3 nga 9 anëtarët e saj u rikonfirmuan në detyrë pas përfundimit të procesit të rivlerësimit. Për momentin askush nuk mund të thotë se kur do të mund të plotësohen vendet e mbetura bosh, për sa kohë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili do të duhet të bëjë përzgjedhjen paraprake të kandidatëve nuk është i plotësuar me anëtarët e vet.

Çështja nuk është thjesht dhe vetëm në dorën e shumicës. Në këtë rast bëhet fjalë për një “marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë” dhe sipas ligjit të posaçëm të miratuar në 2016, marrëveshje të tilla “mund të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës, ose nga Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, apo çdo zyrtar i lartë, në çdo rast me autorizim nga Presidenti i Republikës”