Pakënaqësi ndaj qeverisjes, sharje dhe fyerje në kryesinë e PS-së, Durrës

474
Sigal

Gjysma e anëtarëve kërkojnë “të vijnë ministrat të përgjigjen për situatën e rëndë”

 Mbledhja e Kryesisë së Degës PS në Durrës, e cila ka zgjatur  mbi 25 minuta, ka qenë e mbushur me akuza, debate, sharje dhe fyerje mes dy grupimeve, duke kërkuar ardhjen e ministrave dhe deputetëve për të shpjeguar degradimin e situatës ekonomike e sociale. Kreu i degës PS rrethit e ka pasur të pamundur të përballet me zemërimin e anëtarëve të kryesisë, që kërkuan prishjen e mbledhjes, duke kërkuar ardhjen e ministrave dhe deputetëve. Sipas burimeve të sigurta nga dega e PS-së, Durrës, mësohet se, “pas akuzave refuzimit dhe debateve, madje edhe fyerjeve mes palëve, të cilat ishin gati të agravoheshin në përplasje fizike, shumica e anëtarëve të kryesisë janë larguar”.  Më shumë se gjysma e kryesisë degës, është ndjerë e fyer kur asnjë prej ministrave dhe deputetëve  nuk kanë  pranuar të ndërpresin pushimet  dhe të jenë pranë tyre. Dega e PS në Durrës, gjendet prej afro 3 vitesh në një situatë kaotike dhe e përçarë, kujtojmë këtu një peticion të afro 1600 anëtarëve dhe militantëve  rozë, bashkangjitur, të cilit ishin edhe ish-deputetët Bardhyl Agasi dhe Natasha Paço, ku kërkonin zbatimin e statutit të partisë dhe mbajtjen e premtimeve. Pas përplasjes në  disa rrethe duket se Durrësi ka qenë dhe mbetet më  i rebeluari, kujtojmë këtu kundërshtitë për zgjedhjet brenda partisë. Përplasjet në kryesinë e degës, tregojnë se Durrësi, por edhe shumë degë  të  PS në  rrethe,  janë përfshirë nga pakënaqësia dhe mënyra me të cilën drejtojnë sot ministrat e kësaj qeverie, por edhe mashtrimi me premtimet e deputetëve të këtij qarku. Baza e PS në Durrës mbetet e mashtruar dhe e harruar. Pothuajse shumica e anëtarëve të Kryesisë PS rrethit, nuk pajtohen me format dhe metodat korruptive me të cilat po drejtohen sot dikasteret qeveritare, pasi sipas tyre, gjithçka është kthyer në biznes. Punësimi bëhet vetëm duke marrë para, zgjidhja e probleme dhe halleve bëhet vetëm duke marrë para, emërimet bëhen vetëm duke marrë miliona, dhe asgjë nuk bëhet për të mbajtur premtimet e 23 qershorit. Burime nga kryesia e PS rrethit tha për “Telegraf” se , “në rast se sot do të bëheshin zgjedhjet, socialistët nuk do të merrnin as 2 deputetë dhe jo sa kanë aktualisht, sepse militantët dhe shumica e votuesve tanë janë të inatosur dhe mashtruar nga njerëzit që sot qeverisin falë votës së tyre”.

Artur AJAZI