Pak para protestës, Kryemadhi: Meqë Rama do të ikë të pijë kafe me Mogherinin, të ikë e të mos kthehet më

612
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur për mediat pak minuta para nisjes së protestës dhe seancës së Kuvendit të Shqipërisë, ku mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama kërkon të zgjedhë një kryeprokuror në mënyrë të jashtëligjshme.
“Kjo vjen si rezultat i kësaj klike të kriminalizuar, këtij institucioni kriminal të lidhur me trafikun e drogës. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe e vetme zgjidhje është të mos e lejojmë atë që Edi Rama po i bën rinisë shqiptare. Edi Rama nuk ka ndier ndonjëherë përgjegjësi për fëmijët e tij, kështu që jam e bindur se edhe për fëmijët e shqiptarëve nuk ka për të ndier ndonjëherë përgjegjësi. Është e kotë të flasësh me logjikë me të, sepse po të kishte logjikë nuk do të shkelte Kushtetutën në këtë mënyrë.
Skenar nuk ka, sepse po të kishte skenar të përgatitur, do të thotë se Edi Rama zbaton Kushtetutën. Po Edi Rama vazhdon të shkelë Kushtetutën. Nuk ka skenar. Skenari i vetëm është që Edi Rama të lejojë shqiptarët të jetojnë të qetë. Meqënëse do të ikë dhe të pijë kafe në mënyrë informale me Mogherinin, më mirë le të ikë dhe të mos kthehet më. Është më e mira për të.”
Sigal