Pak minuta pas nisjes, ndërpritet seanca/ PD kërkon Ramën, Ruçi: Këtu do ta keni

833
Parlamenti ka nisur pa praninë e kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhej në një takim me ministren e jashtme të Kroacisë që ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Por kjo gjë nuk i ka pëlqyer opozitës, e cila ka kërkuar që seanca ku është përcaktuar në rend dite dhe mocioni me debat me Ramën për çështjen e ndihmës ekonomike, të mos vijojë pa praninë e tij.
“Këtu nuk kemi kryeministrin. Si mund të fillojmë debatin, të parashtrojmë çështjet për sa kohë personi që duhet të na japë përgjigjet dhe që është kryeministri nuk ndodhet në sallë. Kështu që ju sugjeroj të ndërprisni seancën, të lajmëroni kryeministrin të vijë këtu dhe pastaj të fillojmë sipas rregullave”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së Edmond Spaho.
Më pas kreu i Parlamentit Gramoz Ruçi ka siguruar se kryeministri do të vijë shumë shpejt.
“Siç e dini kryeministri është shumë korrekt me orarin e fillimit të seancave në tërësi. Kërkesa juaj është normale, por duhet të dini që është duke mbërritur kryeministri sepse është në një takim me ministren e jashtme të Kroacisë. Është në përfundim, punë minutash është kështu që…Prezantimi i bëhet seancës. Megjithatë nëse ju dëshiron. Pa merak, mos kini merakun e kryeministrin se këtu do ta keni. Presim zoti Spaho, mos u shqetëso fare”, tha Ruçi dhe më pas ndërpreu seancën për pak minuta pushim deri në ardhjen e kryeministrit.
Sigal