Pagat, pensionet, çmimet dhe taksat, ja 16 propozimet e PD. Kërkesat për arsimin, bujqësinë e koncesionet

529
Pagat, pensionet, çmimet dhe taksat, 16 propozimet e opozitës 
Një seri amendamentesh do të diskutohen sot në Kuvend. Ja kërkesat për ish-të përndjekurit, arsimin, bujqësinë dhe koncesionet
Partia Demokratike depozitoi dje në Kuvend 16 propozime për projektbuxhetin e shtetit 2018 dhe paketën fiskale që e shoqëron atë. Demokratët kërkojnë më shumë fonde për ish-të përndjekurit, arsimin dhe bujqësinë, ndërsa propozojnë uljen e TVSH-së në 15 % dhe vendosjen e një takse të sheshtë 9 %. 

Amendamentet
1 – Ndryshimi i shkallës së Tatim Fitimit në 9%
PD propozon uljen e normës së tatimit në 9 %, nga 15% që është aktualisht. Kjo masë lehtëson bizneset, redukton informalitetin, nxit zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, krijon kushte për nxitjen e investimeve të huaja dhe përmirëson nivelin e jetesës së shqiptarëve. 

2 – Ulja e TVSH 15 % dhe pragu i TVSH 12 milionë lekë
Propozohet rishikimi i normës tatimore të TVSH nga 20%, në 15 %. Ulja e TVSH-së dhe ulja e pragut në 12 milionë lekë për biznesin e vogël do të japë një efekt të menjëhershëm në rritjen e konsumit dhe do të ndikojë në uljen e informalitetit, i cili nuk zgjidhet duke e goditur biznesin.

3 – Ulja e tatimit mbi të ardhurat personale
Të ardhurat nga paga zënë rreth 60% të tatimit mbi të ardhurat personale. Qeveria me taksën progresive rëndon më shumë shtresa e mesme dhe rrogëtarët. Propozohet përjashtimi për të gjitha pagat nën 35.000 lekë dhe ulja e normës e tatimit në 9 % për të gjithë pagat mbi 35.000 lekë.

4 – Regjistrimi i koncesioneve në borxhin publik
Fshehja e borxhit nga letrat e buxhetit është tentativë për të maskuar realitetin e borxhit. Propozohet që tavani për vlerën totale të kontratave koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara për vitin 2018, sipas të dhënave të regjistrit të koncesioneve, të jetë 40.1% e PBB-së.

5 – Ulja e taksës së qarkullimit
Të dhënat e GIZ tregojnë se shqiptarët e blejnë karburantin me çmim thuajse të njëjtë me qytetarët e Austrisë dhe Gjermanisë. Për uljen e ndjeshme të çmimit propozohet që taksa e qarkullimit për benzinën dhe gazolin të jetë 7 lekë/litri. Kjo e ul çmimin me 24 lekë/për litër.

6 – Rritja e pagave
Që rritja e pagave të mos mbetet një akt elektoral i qeverisë, siç ndodhi këtë vit, propozohet që në buxhetin e vitit 2018 të ketë një fond të posaçëm prej 2 miliardë lekë për rritjen e pagave të punonjësve të administratës shtetërore, për të shmangur pasojat e inflacionit. 

7 – Shpërblimi me gjysmën e pensionit për pensionistët
Kryeministri premtoi shpërblimin e fundvitit për pensionistët, por nuk e mbajti premtimin. Për t’u ardhur në ndihme pensionistëve propozohet ndryshimi i projektbuxhetit dhe dhënia e shpërblimit të fundvitit për pensionistët në masën e gjysmës së vlerës së pensionit mujor.

8 – Financimi i arsimit 5% e PBB-së
Investimet e qeverisë për arsimin janë në rënie. Këtë vit është 2.34% e PBB dhe sipas parashikimeve do të vazhdojë të ulet në 2020 në 2.1%. PD në programin e vet ekonomik dhe me këtë amendament e barazon investimin në arsim më standardet e vendeve të OECD, 5% e PBB. 

9 – Rritja e subvencioneve në bujqësi
Skema e qeverisë për financimin nuk shkon tek fermeri. Atë e përfiton grosisti. Për t’u ardhur në ndihmë direkt fermerëve nëpërmjet programit “Zhvillimi Rural duke mbështetur prodhimin bujqësor”, propozohet rritja me 1 miliardë lekë e fondit prej 5.2 miliardë lekë.

10 – Tekstet falas në arsimin e detyrueshëm
Raportet e Bankës Botërore thonë se varfëria dhe varfëria ekstreme është rritur. Kjo ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të braktisjes shkollore. Prandaj propozohet dhënia e teksteve mësimore dhe atyre ndihmëse, duke u mbështetur nga një fond prej 1.16 miliardë lekë, rreth 8.5 milionë euro. 

11 – Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë
Shteti u detyrohet ish-të përndjekurve rreth 32. 5 miliardë lekë dhe sipas KLSH duhen 16 vjet për të shlyer detyrimet. Gjatë 2009-2013 janë dëmshpërblyer më shumë se gjatë 2014-2017. KLSH thotë se qeveria i ka mundësitë për të rritur fondet. Propozimi është rritje me 2.5 miliardë lekë. 

12 – Mbështetje e shtresave në nevojë
Rritja e taksave, e çmimit të energjisë dhe e çmimeve në përgjithësi, si dhe taksat e reja të 2018-ës prekin të parët qytetarët në nevojë. Për të zbutur efektin e rritjes së taksave dhe kostos së jetesës propozohet që fondi për kompensimin e shtresave në nevojë të rritet me të paktën 20%.

13 – Rritja e buxhetit për rininë
Qeveria e ka ulur në minimum mbështetjen për rininë, edhe pse niveli i papunësisë së saj është shumë i lartë. Qeveria ka programuar 1/10 e fondeve të viteve paraardhëse, prandaj kërkohet dhjetëfishimi i buxhetit, duke çuar në 700 milionë lekë shpenzimet e ministrisë përkatëse.

14 – Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë
Formula e re e financimit të bashkive nuk merr parasysh disa tregues që lidhen me varfërinë dhe pabarazinë, që do të thotë më pak investime dhe shërbime vendore. Propozohet që transferta e pakushtëzuar të rritet me të paktën me 0,3% të PBB, ose me 5 miliard lekë. Kjo do të siguronte vijimin normal të punës.

15 – Mësuesi ndihmës
Gjatë këtyre 4 viteve ka pasur rritje të ndjeshme të fëmijëve me aftësi të kufizuar, atyre të ngujuar në gjakmarrje dhe të shtresave në nevojë. Propozohet rritja e buxhetit me 3.9 milionë lekë për trefishimin e mësuesve për shkollimin e fëmijëve me kushte të vështira, si dhe ngritja e infrastrukturë së përshtatshme.

16 – Rritja e buxhetit të kulturës
Qeveria ka parashikuar për kulturën 0,4 % të PBB, buxheti më i ulët në rajon dhe në Evropë. 69 % e këtij buxheti shkon për rroga dhe shpenzime të tjera. Pjesa e mbetur është fare e pamjaftueshme për projekte të mirëfillta kulturore. Propozohet dyfishimi i buxhetit.
Sigal