Pagat e deputetëve 3700 USD, pensionet 100 dollarë!

783
Sigal

Babëzi e shfrenuar rritjesh e shtesash me pagat, dietat, telefonat, karburantet, hotelet, transportit, thuhet se pagat e “popullit” do të rriten pas… 3 vitesh

Katër ditë më parë, kur kryeministri Rama deklaroi me bujë sihariqin për shpërblimet e Vitit të Ri, nëpërmjet të cilit “qerasi” me nga një “kofshë pule” vetëm pak kategori punonjësish “të dalluar” dhe vetëm pak shtresa sociale, gazeta “Telegraf” paralajmëroi se në fund viti, parlamenti qeveria dhe parlamenti do të miratojë shpërblime edhe për shtetarët e lartë. Këtij lajmi, deputeti “zemër-djegur” për hallet e popullit, Erjon Braçe, iu vërsul me një hartim e citate “maocedun-iste” në media e në “FB”, duke e mohuar që do akordoheshin shpërblime për shtetarët e sidomos për deputetët. Por ja që ndodhi, e madje u vendos në parlament me ligj, prej pushtetit ku Braçe vegjeton… Sa për saktësim për Braçen, ndër votuesit dhe përfituesit ishte edhe deputeti Braçe, madje i çuar në këmbë që të dukej vota, nga që është i… gjatë. Por le të merremi me faktin.

Pagat e “popullit” rriten pas 3 vitesh, pagat e deputetëve pas 3 ditësh

Pasi bënë sikur u “u vranë” për 6 muaj radhazi, në seancën e fundit parlamentare të këtij viti, pozita dhe opozita u “puthën” dhe e mbyllën “sherrin” me një rezolutë të përbashkët “defter bakalli”, tipike si gjithë rezultat e këtyre 24 viteve që nuk kanë pasur asnjë vlerë, veç lojës aktoriale në sy të popullit. Por ajo ç’ ka talli dhe denigroi shqiptarët, ishte vendimi i votuar me mirëkuptim nga të dy palët pozitë-opozitë, lidhur me rritjen e pagave e shpërblimeve të deputetëve nga 1 janari 2015, domethënë të borderove të tyre. Pas këtij vendimi që “mbush dhe fryn” vetëm xhepat e tyre, deputetët votuan edhe një vendim tjetër të qeverisë, për mos rritjen e pagave e pensioneve të “popullit” për 3 vitet 2015-2016-2017, që do të thotë… deri sa të vijë fushata zgjedhore dhe të vërshojnë përsëri premtimet mashtruese të “gangove” të politikës e të parlamentit. Sipas një burimi nga Kryesia e Kuvendit, vendimi për rritjen e pagave e shpërblimeve të deputetëve, hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare dhe “gangot” e parlamentit, i kanë marrë masat që Fletorja Zyrtare të botohet pas 3 ditësh, me qëllim që përfitimi financiar i tyre, të nis në 1 janar 2015. Historia e rritjes së pagave e pensioneve të “popullit”, ku bëjnë pjesë mësues, policë, ushtarakë, pensionistë, punonjës të sektorit privat, invalidë e jetim është bërë për herë të fundit në muajin qershor me efekt zbatimi në 1 korrik 2013, me rritje 5.2%, bërë për efekt votash! Kjo qeveri ka rritur me 2% vetëm pagesat e invalidëve. Ndërsa tani rriti me përqindje e tarifa të larta pagesat dhe shpërblimet e deputetëve, që në vend të punëve në shërbim të vendit e të popullit, bëjnë qejfe, lloge e boks, dhe punët e tyre personale. Deputetët shqiptarë do të paguhen më shumë pas vendimit që ata vetë miratuan dje.

Pagat e “gangove” të parlamentit, bëhen sa 35 pensione qyteti

Duket sikur kanë pagë të vogël, por po të bësh llogarinë e pagesave të tjera si dieta, karburante, telefona, qira banesash, udhëtime, shpërblime e mbledhje komisionesh, deputetëve u trefishohet paga mujore. Paga e një deputeti në Shqipëri është 156 mijë e 750 lekë. Mbi këtë pagë ka shumë “thela mbi bisht” që përfitojnë deputetët. Dhe si të mos mjaftonte kjo pagë, dje deputetët, me votë unanime e duke “zbardhur dhëmbët”, pasi “ngrinë” pagat e popullit” me mos rritje për 3 vjetët në vazhdim, miratuan rritjen e pagave e shpërblimeve të tyre, duke e bërë llogaritën tolale me pagën ditore, me numër mbledhjes në komisione, me qera banesash, me dieta udhëtimi, me mirëmbajtje makinash, me fjetje e ushqimi e me lekë CASH për dhurata që “gango- udhëheqësit” tanë deputetë (45 me 8 klasë e me diploma false), do t’u bëjnë udhëheqësve të botës! Sipas vendimit, deputetëve do t’u njihen vetëm 22 ditë punë të paguara në muaj, me vlerë 7125 lekë në ditë. Ndërkohë që në vendimin në fjalë janë përcaktuar edhe favorizimet në pagë për krerët e grupeve dhe ata të komisioneve të përhershme parlamentare. Ata që përfitojnë më shumë, janë kryetarët e grupeve parlamentare të partive me mbi 10 deputetë, të cilët paguhen 15% shtesë mbi pagën bazë mujore të deputetit, që në vlerë financiare si “pagë” shkon 180 mijë e 286 lekë në muaj. Ndërsa kryetarët e grupeve me më pak se 10 deputetë, përfitojnë rritje 5% mbi pagën e deputetit, që në vlerë financairte si “pagë” shkon 164 mijë e 345 lekë. Po kështu, rritje page mujore me 5% përfitojnë edhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Deputetë “gangot” e parlamentit shqiptar, kjo armatë që po mbanë peng me bllokim integrimin e vendit, ekonominë kombëtare, mirëqenien e popullit dhe që po zhvat financat e pasuritë kombëtare, përveç pagës i kanë shtuar vetes edhe disa “thela mbi bisht” (siç thotë populli). Psh, për 1 pjesëmarrje në mbledhje të komisionit të përhershëm parlamentar, deputeti paguhet me 2 mijë lekë të reja, deri në 12 të tilla në muaj, që do të thotë 24 mijë lekë të reja, ose shtesë sa 2 pensione pleqërie qyteti.

Vjedhje me ligj: 40 mijë lekë shpërblim, për deputetët e “komisioneve speciale”

Sipas vendimit të votuar nga gangot e parlamentit, për të rritur pagat e tyre mujore, përcaktohet me ligj e drejta, që për sesione apo faza të veçanta pune të një komisioni të caktuar, deputeti përfiton deri në 20 shpërblime mujore me nga 2 mijë lekë, ose 40 mijë lekë të reja në muaj, vlerë kjo që e barabartë me 4 pensione fshati. Kryetari i komisionit special, shpërblehet me 2500 lekë të reja për çdo mbledhje, ndërsa nënkryetari shpërblehet me 2200 lekë të reja për çdo mbledhje. Llogari e përfitimit, oe më saktë vjedhjes me ligj është e thjeshtë dhe e qartë:  Deputeti i thjeshtë përfitojnë edhe 24 mijë lekë të reja në muaj në sesionet normale dhe 40 mijë lekë të reja në muaj, në rastet “kur ka ngarkesë pune” me komisione të veçanta. Një gjë dihet: ata i ngrenë vetë komisionet, i zgjasin sa kohë të duan, me sa mbledhje të duan dhe për çdo mbledhje paguhen deri në 2500 lekë të reja. E sikur të mos mjaftonte kjo babëzi, “gangot” e parlamentit kanë shpikur edhe një shpërblim tjetër financiar për “xhepat” e tyre: përfitojnë nga 2500 lekë të reja për çdo mbledhje të Konferencës së Kryetarëve të Byrosë, këshillave e komisioneve të posaçme apo hetimore, të cilat i sajojnë dhe bëjnë sa herë të duan vetë!.

Babëzi e shfrenuar me dietat, telefonat, karburantet, hotelet, transportin…

Një tjetër babëzi e shfrenuar, që shtohet në listën e gjatë të pagave e shpërblimeve që përfitojnë deputetët janë dhe dietat ditore, brenda dhe jashtë vendit. Dietat brenda vendit llogariten në masën e 4% të pagës, ose 6271 lekë për çdo ditë “shërbim” në zonën ku figuron si deputet, ose kudo që i do qejfi të shkojë, mjafton të dorëzoj faturën fiskale të fjetjes e ushqimit, pa llogaritur udhëtimin, mbasi janë të pajisur me vetura luksoze dhe marrin karburant falas nga shteti. Deputetët me vendbanim në rrethin e Tiranës, kur dalin jashtë Tiranës, përfitojnë 6 dieta në muaj mbi pagën mujore, afro 38 mijë lekë të reja në muaj. Ndërsa deputetët që nuk janë banorë të Tiranës, përfitojnë 12 dieta mujore me 6271 lekë të reja, ose 75 mijë e 252 lekë në muaj shtesë mbi pagën dhe mbi shpërblimet e tjera, ose baraz me 9 pensione invaliditeti. Por nuk mbaron me kaq babëzia e deputetë “gangove”, mbasi “oreksi” vjen duke u shtuar dhe arrin deri aty, sa përveç llokmave të tjera, për çdo “shërbim pune” jashtë Tiranës, deputeti përfiton edhe 3 mijë lekë të reja për çdo natë fjetje në hotel ose motel, rëndësi ka të paraqes faturën e fjetjes, shumë e cila jepet për 12 net dhe shkon në vlerën 36 mijë lekë në muaj shtesë. Sa për krahasim komik, ky përfitim i një nate gjumi deputeti është baraz me shpërblimin që “Rilindja” i dha një veterani lufte, për Vitin e Ri 2014. Por babëzezia nuk ndalet. Deputetit i rimbursohet është pagesa për shpenzimet telefonike në vlerën e 17 mijë lekë të reja në muaj, ose 9 ndihma ekonomike mujore që i jepet një kryefamiljari. Por babëzia vazhdon më tej. Për kryetarët e komisioneve dhe të grupeve parlamentare, vlera për pagesat e telefonit është caktuar 20 mijë lekë të reja, ose sa 2 pensione mujore fshati. Dhe babëzia vazhdon akoma. Deputeti përfiton edhe 35 mijë lekë në muaj shtesë mbi shtesat, për transport publik, ose sa 3 pensione mujore qyteti. Bilanci i babëzisë së pagës, dietave, telefonit, hoteleve, drekave, darkave, udhëtimeve e shpërblimeve të deputetëve shqiptarë shkon në shifrën 378 mijë lekë të reja në muaj, ose sa 35 pensione pleqërie qyteti.

Disa nga pensionet e popullit

 Pensioni në qytet:        12 mijë e 264 lekë

Pensioni në fshat:        8 mijë e 398 lekë/

Pensioni invalidit:       12 mijë e 264 lekë

Pensioni familjare:       12 mijë e 264 lekë

Pensioni tetraplegjik:   9900 lekë të reja

Pensioni i PAK:          9900 lekë të reja

 Ja ndihma ekonomike mujore “anti-varfëri” për popullin

 Jepen 1900 lekë të reja në muaj për kryefamiljarin.

Jepen 1800 lekë të reja për bashkëshorten

Jepen  1260 lekë të reja për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç.

Jepen 900 lekë të reja në muaj, për anëtarët e familjes në dhe nën moshën 18 vjeç

Jepen 2600 lekë të reja në muaj, kur familja ka vetëm 2 anëtarë.

Jepen 3 mijë lekë të reja në muaj për viktimat e trafikimit ( pa të ardhura)

Jepen 3 mijë lekë të reja në muaj për viktimat e dhunës në familje (pa të ardhura).

Ja 5 fakte “Parajsa 2014”, nga jeta e shqiptarëve

 Afro 55% të familjeve ishin me jetesë nën nivelin e varfërisë ekstreme (mjerimit).

  1. Pjesa tjetër prej 15% e familjeve, nga këto 10% kishin nivel jetese sa për “sigurim ushqimi”.
  2. Vetëm 5% e tyre jetojnë në luks e “notojnë” në pasuri, këto janë familje politikanësh, deputetësh, ish-qeveritarësh e qeveritarësh dhe bosësh të biznesit të bërë të me mbështetjen e politikës.
  3. Vetëm me pagesë ndihme ekonomike, trajtohen afro 110 mijë familje, nga 1 milionë e 7056 familje gjithsej.

5. Janë 256 mijë familje që kërkojnë ndihmë ekonomike, por nuk u jepej për shkak të një ligji me motiv: “Ndryshim vendbanimi pas 31 dhjetorit 1992”.

 

Ja 1 ditë jetesë e 1 shqiptari, që trajtohet 1800 lekë ndihmë ekonomike në muaj

 – Me 4 lekë bukë

– Me 4 lekë vaj

– Me 4 lekë makarona

– Me 4 lekë oriz

– Me 4 lekë sheqer

– Me 4 lekë kripë

– Me 4 lekë fasule

– Me 4 lekë perime

– Me 3 lekë sapun

– Me 3 lekë veshje

– Me 3 lekë udhëtim

– Me 2 lekë energji

– Me 2 lekë mish

– Me 2 lekë ujë

– Me 2 lekë fruta

– Me 2 lekë kafe

– Me 2 lekë detergjent

– Me 1 lekë ngrohje

– Me 1 lekë mjekësi

– Me 1 lekë telefon

– Me 1 lekë fatkeqësi

– Me 1 lekë gëzime

– Me 1 lekë fatkeqësi

– Me 1 lekë “FB”, që të falënderoj “Rilindjen” mirëqenien e lartë

Ja disa nga pagat e administratës dhe shërbimeve publike

 Punonjësit e Policisë:  57 mijë e 344 lekë

Ushtarakët/Mbrotja:    43 mijë e 472 lekë

Nëpunësit e mesëm:    37 mijë e 199 lekë

Mësuesit e shkollave: 54 mijë e 828 lekë

Infermierët:                 37 mijë e 854 lekë

Prefekti Tiranës:          118 mijë e 500 lekë

Prefektët e tjerë:          110 mijë e 500 lekë

 

Bashkitë dhe komunat me 50 mijë e 1 banorë

 Kryetari:          60 mijë e 600 lekë

N/kryetari:       49 mijë e 500 lekë

 

Bashkitë dhe komunat me 100 mijë banorë

 Kryetari:          117 mijë e 500 lekë

N/kryetari:       92 mijë e 500 lekë

 

Bashkitë dhe komunat me 20 mijë e 1 banorë

 Kryetari:          51: mijë  e 500 lekë

N/kryetari:       41 mijë e 400 lekë

 

Bashkitë dhe komunat me 50 mijë banorë

 Kryetari:          92 mijë e 500 lekë

N/kryetari:       79 mijë e 500 lekë

 

Bashkitë dhe komunat me 20 mijë banorë

 Kryetari:          79 mijë e 500 lekë

N/kryetari:       70 mijë e 500 lekë

 

Bashkitë dhe komunat me 5 mijë e 1 banorë

 Kryetari:          41 mijë e 400 lekë

N/kryetari :      28 mijë e 300 lekë

 

Këshilli qarkut

 Kryetari:          133 mijë lekë

N/kryetari:       92 mijë lekë

Përparim HALILI.