Pabarazia, lakmia, arroganca, egocentrizmi po shkaktojnë një ndarje sociale të rrezikshme

526
Sigal

Presidenti Meta shtron darkë me rastin e Krishtlindjeve me bashkësitë fetare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta kremtoi sot festën e shenjtë të Krishtlindjeve me një darkë solemne të shtruar në Pallatin e Brigadave, ku ishin të ftuar udhëheqësit shpirtërorë dhe përfaqësues të bashkësive fetare në vend, veçanërisht të Bashkësisë Ortodokse, asaj Katolike dhe Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, të cilët përshëndetën gjithashtu të pranishmit.

Presidenti Meta

Krishtlindja është një ditë e shenjtë për besimtarët e krishterë, por mesazhi që ajo përcjell kapërcen kufijtë e një besimi, është një ditë simbol, është ditë e bekuar e lindjes së shpresës dhe mirësisë, por jo vetëm. Dashuria dhe paqja, drejtësia dhe përulësia, vetë ndërgjegjësimi dhe solidariteti janë parime themelore të humanizmit dhe të gjithë njerëzimit. Në vijim të një tradite të Institucionit të Presidentit të festave të përbashkëta me përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman dhe atij Bektashian në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, sonte ne ndajmë së bashku kremtimin me të krishterët shqiptarë. Një shenjë kjo e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, harmonisë sonë të shkëlqyer ndërfetare, por mbi të gjitha e respektit reciprok ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare në ditët më kuptimplota festive. Besimet fetare kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, një shoqëri të drejtë dhe një harmoni e paqe universale mes etnive, popujve dhe kombeve. Librat e shenjtë, na mësojnë se: Zoti është paqja e jo dhuna! Shqipëria, Atdheu ynë dhe historia jonë e përbashkët e dëshmon se të gjithë kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë vëllezër të një gjaku, për Fe dhe Atdhe! Jo rastësisht ndër themeluesit e Shtetit shqiptar janë edhe përfaqësuesit më të vyer të klerikëve tanë fetarë. Harmonia, respekti i ndërsjellë, toleranca, mirëkuptimi, vlerësimi reciprok dhe solidariteti janë tiparet e raporteve mes besimeve fetare në Shqipëri si dhe thesari më i çmuar i trashëgimisë sonë historike dhe kombëtare, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit, ta përsosim dhe ta pasurojmë çdo ditë. Veçanërisht sot ne krenohemi me patriotët tanë të shquar ortodoksë, katolikë e ungjillorë, me të gjithë të krishterët tanë të shquar ndër shekuj, të cilët me përkushtim, mund, sakrifica sublime i kanë shërbyer jo vetëm fjalës së Zotit por edhe identitetit tonë kombëtar dhe vetëdijes evropiane. Të gjithë ata, të vendosur në panteonin e ndritur të vlerave tona kombëtare, shërbejnë si shembull dhe burim frymëzimi për brezat e sotëm e të ardhshëm, për vetë besimtarët e udhëheqësit e tyre ortodoksë, katolikë e ungjillorë, për kombin tonë, për Shqipërinë e së nesërmes. Gjithashtu duhet të kujtojmë dhe t’i nderojmë sonte të gjithë martirët, të krishterë e myslimanë që u përballën me totalitarizmin dhe triumfuan mbi të, vetëm me dashuri edhe besimin në Zot dhe në Atdhe.

Ndaj lufta ndaj varfërisë dhe zgjerimi e konsolidimi i shtresës së mesme

Shqipëria përballet sot edhe me disa fenomene të cilat shkaktojnë vështirësi, pasiguri, padrejtësi, pesimizëm ku më trishtuesja është ende largimi i të rinjve, që është edhe shqetësimi juaj. Pabarazia, lakmia, arroganca, egocentrizmi shkaktojnë ndarje sociale në shoqëri. Ndaj lufta ndaj varfërisë dhe zgjerimi e konsolidimi i shtresës së mesme të shoqërisë është vendimtar për të ardhmen e vendit dhe për një paqe sociale të qëndrueshme dhe begati ekonomike.

 Reflektimi

Sot më shumë se asnjëherë tjetër të gjithë bashkë, pa dallime besimi dhe ndasie politike duhet të reflektojnë thellësisht për të shëruar këto plagë të shoqërisë sonë, të familjeve tona duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të jetojnë në një vend të sigurt evropian, ku të mund të shprehin të gjitha potencialet e tyre të vërteta. Besimet fetare kanë një rol të jashtëzakonshëm në këtë betejë jetike, të cilën duhet ta fitojmë së bashku duke provuar forcën tonë dhe unitetin e harmoninë tonë sociale.

Presidenti Meta uron Festat e Fundvitit me pensionistët: Kontributi juaj, aset i çmuar për sot e nesër!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Qendrën Sociale për pensionistët të Kryqit të Kuq Shqiptar në Tiranë me rastin e Festave të Fundvitit. Pasi vuri në dukje kënaqësinë e kremtimit së bashku të disa momenteve festive, Presidenti Meta vlerësoi përkushtimin dhe përkujdesjen e Kryqit të Kuq Shqiptar që ka ngritur këtë qendër kaq funksionale për moshën e tretë, ku frekuentuesit e saj e kalojnë kohën e lirë në mënyrë të organizuar, të kulturuar dhe të këndshme. Duke i takuar dhe përshëndetur përzemërsisht të pranishmit, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm, gjatë gjithë jetës së tyre për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. “Kënaqësi e veçantë të jem në këtë ambient kaq të ngrohtë shoqëror, njerëzor e miqësor dhe për këtë dua të falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Shoqatën e Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionistëve të Shqipërisë. Kënaqësi që të jem me ju, sepse ju përfaqësoni brezat e prindërve e të gjyshërve tanë që kanë bërë shumë për rimëkëmbjen e vendit, për arsimimin, elektrifikimin, për ndërtimin e hekurudhave e të hidrocentraleve dhe për edukimin e brezit të ri.” – vuri në dukje Presidenti i Republikës. Presidenti Meta theksoi se sot: “ndesheni me vështirësi shumë të mëdha ekonomike, sociale, sepse keni edhe probleme që kanë të bëjnë me moshën sidomos për sa i takon shëndetit, si dhe shpenzimeve të domosdoshme për t’i përballuar këto probleme. Ne të gjithë duhet të tregojmë më shumë mundësi, jo vetëm për të përfituar nga përvojat dhe aftësitë tuaja në të kaluarën, por edhe t’i investojmë këto përvoja për ta edukuar më mirë brezin e ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, të korrektësisë, të bërjes së punës me dinjitet dhe përgjegjshmëri, e jo të gjetjes së rrugëve të lehta në jetë, të cilat sjellin pastaj një kosto shumë të madhe për të rinjtë vetë, për familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë.