Paaftësi apo tërheqje e ministres së Mbrojtjes?! Cilido që të jetë shkaku, ju duhet të ikni zonja Mimi!

117

Duart e parfumosura  të ministres së Mbrojtjes që firmosin mbylljen e trafiqeve dhe dridhen, kur kujtojnë Ligjin për Ushtarakët

Avionët e Drogës

“Deklaroj me garanci të plotë se asnjë avion nuk ka përdorur pistat shqiptare për trafik droge”. Kjo ishte deklarata e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli menjëherë pas akuzave të opozitës se bazat e ushtrisë përdoren për trafiqe të lëndëve narkotike. Ndërkohë që, menjëherë pasi dëgjoi ministren, një tjetër personazh i ardhur nga investimi mediatik i Rilindjes pikërisht zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila deklaron se guriçkat nuk lejojnë uljen e avionëve dhe deklaratat e hedhura nga PD-ja janë qesharake. Nxitimi i të dy titullarëve të mbrojtjes tregoi se këta jo vetëm që janë të paaftë të gjykojnë, por janë edhe  mediokër, pasi në zbatim të detyrave të tyre funksionale ka mekanizma të brendshëm që janë të mirë informuar për gjithçka që ndodh në strukturat e ushtrisë sonë. Madje, shërbimet e specializuara të NATO-s, vend anëtar i të cilit jemi, edhe ne, kanë informacion të plotë dhe  ministrja Mimi Kodheli fare mirë mund t’u adresohej atyre para se të bënte deklaratën, e cila rezultoi më shumë se  qesharake. Burimet e ish-ministrit Imami ishin të sigurta pasi një pjesë e mirë e trafikut kishte lulëzuar pikërisht në kohën kur  këtë institucion e drejtonte “aktori i bazës së Pasha Limanit”. Sigurisht që, kjo është një përgjegjësi, të cilës duhet shkuar deri në fund  dhe jo të anashkalohet apo të përdoret si granatë tymuese.  Nga ana e ministres Kodheli dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, duhet të analizohet se përse radarët ishin jashtë gatishmërie?! Përse u lejua ulja e avionëve në fushën e Gjadrit? A ka raporte shërbimi dhe nëse  janë zhdukur, kush ka qenë i interesuar ta bënte një gjë të tillë? Për të gjitha këto kërkohet analizë e hollësishme dhe profesionale dhe jo broçkulla që i vënë kapak dhe e mbyllin skandalin e trafikut. Mendimi profesional i ushtarakëve bëri që në Gjadër të vendosen menjëherë bllokues betoni dhe kjo bëri që avioni të ulet në Divjakë, duke u kapur mat pas aksidentit. Kjo tregoi se ministrja Kodheli duhet të konsultohet me ekspertët ushtarakë dhe jo të bëjë rolin e të “gangsteres”  në Ministrinë e Mbrojtjes. Mënyra se si e trajtoi  më vonë çështjen e avionit, zonja Kodheli, tregoi se ajo u pendua për deklaratat dhe shpejtoi t’i japë fund kësaj zhurme që vetë e nisi. Në këto raste kur një ministre gënjen ose tërhiqet nga misioni i ngarkuar nga votuesit duhet të kërkojë falje dhe të largohet një sahat e më parë.

Abuzimi me reklamat televizive:

Raporti i Kontrollit  të Auditit të Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me akuzat e bëra publikisht nga Mimi Kodheli për reklamat  e nxori  ministren zbuluar dhe e ngarkon këtë të fundit me përgjegjësi të fortë morale. Ku shkuan akuzat  e Mimit dhe a ndjen turp kjo ministre që diskrediton qeverinë dhe besimin e një milion shqiptarëve tek Rilindja? Sigurisht, kjo nuk ndjen përgjegjësi, megjithëse, Edmond Gore, Drejtori i Auditit të Ministrisë Mbrojtjes i emëruar nga vetë Mimi tregoi se faji nuk na qenka Imamit, por i vendimit të qeverisë dhe se i vetmi  ndëshkim është të ndryshojmë vendimin. Por nëse kjo gjë qëndron atëherë përse dole ti zonja Mimi dhe na shurdhove me budallallëqet e tua? Po në Prokurori përse e dërgove pa u konsultuar me ekspertët e tu, të cilët aty i kishe dhe për të cilët shteti paguan miliona? Ty të mungon kurajoja të dalësh dhe të thuash se u nxitova dhe se qëllimi ishte zelli i tepruar. Nëse kjo nuk është e vërtetë, atëherë, na lind e drejta të themi se kush të bindi dhe në çfarë rruge, që Ju të tërhiqeni nga akuzat? I takon Prokurorisë që për akuza të rrema të nisë hetimet dhe të kërkojë arrestimin tuaj. Por sido që të ndodhë ju duhet largoheni me dëshirën tuaj pasi po njollosni çdo ditë e më shumë këtë dikaster.

SHQUPI,  Vendimi i Gjykatës Kushtetuese  dhe  Spitali Ushtarak

Tre premtimet e tjera të ministres Kodheli gjatë kohës, kur ishte në opozitë kanë të bëjnë me kthimin e Shtëpisë së Ushtarakëve,  rrëzimin e Aktit Normativ të çiftit Imami-Bode që  diskrediton ushtarakët dhe kthimin e Spitalit Ushtarak  në origjinën e vetë.

Tirana është i vetmi vend që nuk ka shtëpi dhe hotel ushtarakësh. Le të gjejë Mimi një vend të NATO-s që është katandisur në këtë situatë? Ish –Shefi Shtabit të Ushtrisë nuk ka pranuar firmosjen e kalimit të pronësisë të SHQUP-it për qëllime partiake me gjithë presionin e Imamit. Sipas ligjit, kalimi i objekteve të rëndësisë së veçantë sikurse konsiderohej edhe SHQUP-i prek gatishmërinë dhe cenon Sigurinë Kombëtare. Atëherë përse nuk  çon para drejtësisë ish-ministrin Imami, zonja Kodheli. Sigurisht që, nuk e çon se, ajo i di mirë disa lidhje të hershme dhe të gjitha këto janë sa për t’u hedhur hi syve ushtarakëve që votuan masivisht premtimet e Rilindjes.

-Nuk dimë ndonjë vend të NATO-s që të mos ketë spital për ushtarakët, punonjësit e policisë, SHIK-ut dhe strukturave të tjera të specializuara. Vetëm Greqia ka 4 spitale ushtarakë. Mimi Kodheli dhe ata që mezi u dilte koka në podium deklaruan se sa të vijmë në pushtet do largojmë spitalin privat turk, i cili thuhet se ka si bashkaksionerë edhe  familjarët e Berishës. Përse nuk e largon Mimi, por hesht dhe me paturpësinë më të madhe, ajo dhe ministra të tjerë, ulen këmbëkryq me drejtuesit turq duke i përdorur edhe si përkthyes, a thua se u shua Shqipëria për  specialistë të gjuhës turke. Sa milionë përfiton turku nga dializa,po nga rezonanca?! Janë shpërndarë skanera modern në të gjithë Shqipërinë dhe Spitali Ushtarak që mbulon traumat e vendit nuk ka një skaner modern. Ky është një turp dhe bëhet më qëllim që shumica e ekzaminimeve të bëhen tek turqit, të cilët po dhjamosen me varfërinë e shqiptarëve duke  mos ndjerë keqardhje as për gjakun e fukarenjve “vëllezër’.

Akti normative i dyshes Bode-Imami u hoqi kafshatën e bukës ushtarakëve, të cilët sakrifikuan një jetë të tërë. Por megjithëse, Gjykata Kushtetuese e quajti të padrejtë këtë akt normativ duke lënë në fuqi Ligjin për Ushtarakët,përsëri këta të fundit nuk po marrin atë që i takon. Ish të përndjekurit  u trajtuan nga PD-ja dhe më vonë nga Veliaj, duke  marrë nga 30 apo 40 milionë lekë për vitet  e burgut dhe mirë bëjnë, se u takon. Madje, një pjesë kanë privatizuar edhe hotele dhe prona në bregdet.  Po për ushtarakët Ju zonja Kodheli, përse nuk u jepni për privatizim ish-ushtarakëve repartet në bregdet dhe zonat malore? Ju nuk ua jepni se doni t’i privatizoni për vete dhe harroni se shumica e shqiptarëve morën nga një pjesë gjatë privatizimeve dhe të vetmit që mbetën me gisht në gojë janë ushtarakët. Edhe për këtë pabesi ndaj ushtarakëve, fajtore jeni Ju si titullare e Ministrisë së Mbrojtjes. Por nëse objekte nuk jepni, të paktën jepini pensionet dhe trajtoheni si gjithë ushtarakët e tjerë të NATO-s.  Ju këto nuk i bëni sepse keni përfituar nga shpirtgjerësia dhe atdhetarizmi i ushtarakëve, i keni shfrytëzuar ata barbarisht në mitingje dhe komisione dhe tani i harruat. Kësaj, me pak fjalë i thonë: “Kalova lumin të dhjefsha kalin”… Ju harroni se ushtarakët janë strategë që nuk harrojnë kollaj dhe se dinë të bëjnë qitje me preçizion mbi objektivin, kur ai shfaqet në kohën dhe vendin e duhur. Ushtarakëve tanë u janë çarë duart nga gjembat e stërvitjes dhe grirë këpucët nga marshimet në mbrojtje të territorit (tokësor, detar dhe ajror) të cilin Imami dhe Berisha donin t’ja shisnin grekëve.  Duart tuaja, zonja Mimi, të zbardhura nga sapunët dhe shampot e hoteleve luksoze duhet të firmosin pa hezitim Ligjin për pensionet e ushtarakëve, të mohuar nga ata që derdhën gjak më 21 Janar. Nëse vazhdoni të mos i përmbaheni premtimeve, shumë shpejt Rilindja do të dështojë dhe se ju do të mbaheni mënd si ministrja më e paaftë dhe më gënjeshtare pas Imamit në krye të Mbrojtjes. Një gjë mos harro zonja Kodheli: “Po nuk të deshën ushtarakët nuk të do e gjithë Shqipëria”. Së fundmi, ju keni aluduar edhe për  ndryshimet e kompetencave të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me mbështetjen e aleatëve të NATO-s dhe konkretisht atyre amerikanë. Tek ju është dhënë mendim nga këshilltarë personalë në pension dhe jo strukturat e specializuara të NATO-s. Por kjo, është tjetër temë dhe me ‘të do merremi më vonë.