Pa shikojeni Skraparë, ka dalë e pret Kahremanë!

931
Enver CAKAJ
Sheshi dhe rrugicat e qytetit të Çorovodës ishin mbushur tej e tej me skraparas. Kishin ardhur nga Tirana, Berati, Kuçova, Ura Vajgurore dhe fshatrat e Skraparit. Në Çorovodë do te vinte një burrë i rrallë 100-vjeçar. Kështu e kishin pritur edhe ato ditë lufte, edhe ato ditë kur Skrapari festonte përvjetorët e çlirimit. Por jo vetëm atëherë. Sa herë ai vinte në Skrapar kishte festë. Kishte festë se vinte burri më fisnik i vendit, Kahreman Ylli. Nuk vinte për qejf, po për hallet e rënda të popullit të Skraparit. Nuk ka ardhur vetëm, ky Kahremani i dashur, ka ardhur tok me të atin, Sinanin dhe vëllezërit e tij, që e kthyen shtëpinë e tyre në garnizon ushtarak. Ka ardhur Kahremani me djemtë si yje. I gjetën dyert e skraparasve hapur si atëherë në luftë. Dhe ai burrë, me emrin Kahreman, që gjatë Luftës u shfaq me pseudonimin “Bariu”, nuk i harroi ata njerëz që i hapën dyert në ditë të vështira. Edhe pas lufte ai hyri derë më derë, se skraparasit e quanin mikardhës djalin e tyre. E prisnin Kahremanë shtëpi më shtëpi, se kur hynte ai në strehëzat e tyre, sikur hynte dielli. E priste Jake Backa në Backë, e priste Muço Braho në Potom, e priste Hekuran Krasta në Krastë, e priste Hasan Karafili në Buzuq, e priste Bektash Alushani në Gjerbës, e priste Xhevo Osmani në Çepan, e priste…I gjithë Skrapari. Po a mund ta harronin ato nëna, që i shkundën sepetet e nusërisë për të mos e lënë të uritur gjatë luftës atë burrë? Nuk i harronte ai nënat Hajrie Feka në Faqekuq, që humbi tre djem në luftë. Nuk e harronte Xhipe Halilajn në Staraveckë, Nurihanë Bilimanin në Helmës, Xike Zaimin në Dobrushë, Hurma Hazizi në Leshnje, Zenepe Keli në Bargullas, Ruze Cerova në Cerovë, Bule Veleshnja në Veleshnjë, Hava Arapi në Spatharë, Nadire Visocka në Visockë, Bukurie Dingo në Çepan, Refije Çuedari në Therepel, Razije Muçaj në Gjorgjovë, Dareko Daja në Sevran, Alije e Hyrije Qafoku në Vërzhezhë, Hajrie Mançe në Vlushë…Të gjitha nënat e kishin djalë. 
Kanë ikur njëqind vjet dhe Kahremani na erdhi sërish. E priti Skrapari me dyer të hapura. Me këngë e duartrokitje. Kush e priti skraparliçe? Skrapari ka një zot shtëpie, që di t’i nderojë të gjithë. Ai quhet Nesim Spahiu. Ishte një mirë se ardhje e thjeshtë, siç e meritonte e ishte Kahremani. U mblodhën fillimisht te shkolla 9-vjeçare, që mban emrin e tij. Në ballinën e saj u inaugurua një pllakë përkujtimore me këtë nënshkrim: “ SHKOLLA 9-VJEÇARE KAHREMAN YLLI, MËSUES I POPULLIT, NDERI I KOMBIT” U përsëritën ato pllakat përkujtimore të luftës, një prej të cilave e mban edhe shtëpia e tij në Leshnje. Me siguri do të vihen pllaka të tjera, se Skrapari ka shumë ngjarje e figura, që meritojnë të tilla. Por, siç e kemi thënë në shkrimet e tjera, për familjen Ylli duhet të ngrihet në mes të Çorovodës një obelisk. Të mos harrojmë, ishte një familje e tërë në luftë e në punë. Pastaj të gjithë u ngjitën në varrezat e dëshmorëve, ku Kahremani ishte ngjitur sa herë për t’u përkulur përpara shokëve të tij. Dhe vargu i gjatë s’shkëputej, hynë në muzeun e rrethit, ku Kahremani ka lënë të gjitha sendet e luftës. I kishte nakatosur me armët e sendet e shokëve. Në atë sallë, ku skraparasit u ngucën për të zënë një vend në këmbë, folën disa referues për luftën dhe punën e Kahremanit. Foli Zoti Ilir Meta, Paskal Milo, Enver Naska, Petrit Myftiu, Sadik Xhaferaj, Muharrem Kushe. Po atje foli e gjithë salla. Foli edhe ajo nxënësja e shkollës “Kahreman Ylli” Klesti Çeçaj, por me vargje: “Pyesin arat, po pyet mali, /Vallë ku është Kahremani?” Pastaj në skenë plasi kënga, që Drejtoria Kulturore kishte përgatitur një koncert: “Pa shikojeni Skraparë, /Ka dalë e pret Kahremanë. /Se ishte i vetmi djalë, /Që vinte u qante hallë!” Kishte ardhur Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta nga Tirana, deputetë e udhëheqës pushteti nga Berati, Kuçova, Ura Vajgurore, miq e shokë pa fund të Kahremanit. Aty ishte i gjithë Skrapari, aty ishte dhe Kahremani. E panë skraparasit në një video dhe u çmallën me të. Shikonim njerëz që fshinin lotët për ta parë më mirë atë burrë burrash. Nuk donin të iknin nga Salla, se u vinte keq ta linin Kahremanin vetëm. Ikën të përlotur, me kokën prapa mbase vinte dhe ai me ato hapa të qetë dhe fytyrëbehar. Aty u shpërnda dhe një libër kushtuar jetës dhe veprës së Kahreman Yllit, shkruar nga Petrit Myftiu. Po miqtë s’mund të iknin pa bukë, se skraparasit nuk i kanë lënë të uritur në ato kohë të vështira. Atje ishte dhe Kahremani me shokët e luftës. Atë drekë e kishte sponsorizuar vetë ai që në kohën e luftës , prandaj u shijoi të gjithëve. 
Sigal