Pa Opozitën në qershor, do rilindë partia-shtet!

518
Sigal

Në Shqipëri mungon institucioni i hetimit dhe pushtetet janë aq të inkriminuara sa bandat duke blerë votat përcaktojnë deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë. Vendimi i Holandës tregoi se turi i rilindësve në Evropë është propaganda boshe. Financimi i partive me paratë e shqiptarëve të varfër është marrëzi

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së

Në Shqipëri janë inkriminuar të gjitha pushtetet e shtetit. Pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pushteti i të inkriminuarve është shumë i fortë. Ata bënë deputet atë që dëshironin.

Pa opozitën në 30 qershor, do Rilindë Partia – Shtet!

 

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, në intervistën thotë se ai, si ligjbërës, nuk do të mbështeste ndryshimin e statusit të Prokurores së Përkohshme dhe ligji e ndalon ligjbërësin të urdhërojë prokurorin për çfarëdo çështje. Prof. Sherifi pohon se tek ne janë inkriminuar të gjitha pushtetet, ekzekutivi, legjislativi dhe Drejtësia, kaq sa krimi dikton edhe cili do të bëhet deputet. Prof. Sherifi pohon se tek ne imoraliteti është shndërruar në moralitet qeverisës, prandaj nuk ka dorëheqje pas publikimit nga “Bild” të audio-përgjimeve dhe se është hera e parë që Rama hesht, pasi gjithë Evropa mësoi të vërtetën nga “Bild”. Së fundi, Prof. Sherifi thotë se, nëse, në 30 qershor do të shkohet pa opozitën, atëherë, do të rindërtohet Partia – Shtet.

-Prof. Sherifi, Ju me cilësinë e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, a do t’i drejtoheshit Prokurorisë që të gjente rrjedhjen e informacioneve të një dosje hetimore në media?

– Kjo që po ndodh me “dosjet e famshme” tregon qartë e bindshëm se Shqipëria është pa organ të akuzës. Nëse do të isha kryetar i Komisionit të Ligjeve do ushtroja kompetencat kushtetuese për të garantuar funksionimin e pavarur të prokurorisë dhe nuk do të mbështesja ndryshimin e statusit të prokurores së Përkohshme, dy vjet në detyrë, në prokurore të Përhershme, si ajo e dëshiron.

– Zv. Kancelari austriak para disa javësh dha dorëheqjen nga posti menjëherë sa u bë publike një video nga një media për një skandal rreth tij, pa pritur hetimet të fillojnë. Ky veprim a nuk duhet të përbëjnë një standard, tabu të çdo vendi që aspiron Demokraci?

– Funksionet e larta në pushtetet e shtetit në vendet perëndimore në parlament, qeveri a presidencë, shoqërohen me detyrimin kushtetues të ruajtjes së imazhit publik, si njeri i ndershëm dhe profesionist i përkushtuar. Cenimi i imazhit nga sjellja e vet, apo edhe e vartësit direkt shoqërohet me dorëheqje nga funksionet për të mos cenuar moralin e qeverisjes. Në Shqipëri amoraliteti është shndërruar në moral qeverisje, prandaj askush nga të akuzuarit nuk dorëhiqet dhe nuk hetohet. Në Gjermani ministri dha dorëheqje për akuzën e plagjiaturës, ashtu si zëvendës kancelari i Austrisë, pse vartësi i tij u akuzua. Ne parlamentin e Shqipërisë janë me duzina të akuzuarit për krime e plagjiatura dhe ata moralizojnë në konferenca shtypi.

Nga publikimet e Dosjes 339 nga “Zëri i Amerikës”, nga “Bild” ju çfarë mendimi perceptoni: Cili është urdhëruesi i vërtetë i zyrtarëve të Lartë të Rilindjes që të “vjelin” vota edhe me krimin e Organizuar? Apo mendoni se ato janë iniciativë personale e atyre që përmenden në audio-përgjimet?

– Publikimet e reja dhe ato të vjetrat tregojnë degjenerimin e qeverisjes. Por edhe kjo nuk është ngjarje e re. Ish-sekretari i shtetit i SHBA deklaroi se në Shqipëri janë inkriminuar të gjitha pushtetet e shtetit. Pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Për Dosjen le të flasë organi i akuzës. Unë do përmendja vetëm një fakt. Pushteti i të inkriminuarve është shumë i fortë. Ata bëjnë deputet atë që dëshironin. Kjo tregon se iniciativat orientohen nga qendra e kurorëzohen nga pushteti kriminal.

– A ka përgjegjësi politike në audio-përgjimet e Dosjes 339 dhe 184?

– Politika nuk lejon hetimin e dosjeve. Ulsi Manja urdhëroi prokurorinë të fillojë hetimi. Këtë a nuk e vetëton konferenca e shtypit?

– Si e gjykoni Ju, përse deri tani nuk kemi asnjë dorëheqje vullnetare. qoftë edhe për çështje morali?

-Se nuk ka as drejtësi, as moral në qeverisje. Të akuzuarit mbajnë fort njeri tjetrin.

– Prof. ju si e gjykoni heshtjen e tanishme të kryeministrit ndaj 6 audio-përgjimeve të “Bild”? A merr përsipër përgjegjësi politike Kryeministri duke mos reaguar?

– Është nga të rrallat herë që Rama hesht. Faktet e kanë tronditur. Jo se nuk i ka ditur, por se “Bild”, po informon tërë Evropën.

– Pardje, dje dhe sot Taulant Balla numri 2 i PS-së ndodhet në Gjermani duke lobuar në Bundenstag, kur gjermanët njëkohësisht dëgjuan “Bild” dhe Balla nuk ka përgënjeshtruar Asgjë nga audio-përgjimet. Çfarë mund të lobojë Balla në Gjermani në këto kushte?

– Mos e merrni kaq seriozisht. Balla më duket se para se të shkonte në Gjermani ishte me një delegacion parlamentar në Holandë dhe erdhën prej andej të lumtur se kishte marrë premtimin se nuk do kërkohej heqja e vizave për shqiptarët. Parlamenti i Holandës e kërkoi zyrtarisht heqjen e vizave?! Le të presim lajme të mira nga Takimi i Merkel me Haradinaj, kryeministrin e Kosovës për heqjen e vizave për shqiptarët e Kosovës.

– Çfarë do të thotë slogani i Kryeministrit Rama “Takohemi në 30 Qershor?”

– Për sloganin, Rama ec para, sugjerova, marrjen frymë thellë e rikthimin prapa!

– Ju si e quani VKM e djeshme që Qeveria t’u japë shtesë fondesh partive politike, të cilat marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit edhe 650 milionë lekë nga fondi i rezervave të Buxhetit të Shtetit për 2019?

– Kam themeluar Lidhjen për Drejtësi e Progres më 2012. Lidhja mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2013-s dhe nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit. Krimin elektoral në Shqipëri e “justifikojnë” edhe financimet. Kam kërkuar publikisht ndërprerjen e financimet të partive. Është marrëzi financimi partive nga taksat e shqiptarëve të varfër.

– Ku shkon Shqipëria, nëse bëhen zgjedhjet në 30 Qershor pa Opozitën?

– Drejt standardit të “përparuar” të Partisë-Shtet. Zgjedhje vendore pa opozitën nuk mund te jenë zgjidhje. Nëse ndodh, kriza do marrë përmasa të frikshme.

– Faleminderit!