Kastriot Islami: Pa Gjykatë Kushtetuese, Shqipëria në Diktaturë

614
Sigal

Intervista Prof. Dr. Kastriot Islami: Kryeministri tund djepin bosh të drejtësisë, i frikësuar nga ndëshkimi. OMN është pjesë e lojës politike. Vllahutin, ambasadorja e korruptuar në Tiranë

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Kastriot Islami, ishkryetar i Parlamentit në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon se Macron dhe Merkel nuk i hapën negociatat Shqipërisë, sepse qeveria është e lidhur me krimin dhe korrupsionin. Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese, është diktaturë, shprehet Prof. Islami, duke shtuar se reforma në drejtësi vihet në shina, vetëm po të largohet kryeministri Rama. Edhe Organizata Ndërkombëtare e Monitorimit, është pjesë e lojës të kryeministrit Rama, prandaj nuk kanë besueshmëri ankimimet e tyre ndaj ndonjë vendimi të veçantë të KPK-së së Vettingut. Prof. Islami, paralajmëron opozitën, që të mos bëhet pjesë e labirinteve të pazareve me maxhorancën, sepse do të ndotet dhe do të ndërshkohet nga qytetarët me votë. Prof. Islami e cilëson të korruptuar edhe ambasadoren e BE-së në Tiranë “Vllahutin, ambasadorja e korruptuar në Tiranë Vllahutin” dhe se vendimmarrja e KE-së për mos hapjen e negociatave u grisi maskën edhe Mogherinit, Hahn, dhe Vllahutin, të cilët kishin sheqerosur raportet për Shqipërinë, sipas interesave të kryeministrit Rama.

– Prof. Islami a besojnë akoma udhëheqësit e BE Edi Ramën si reformatorin që do udhëheqë integrimin e Shqipërisë?

Presidenti francez Macron dhe kancelarja gjermane Merkel i dhanë përgjigjen e merituar Ramës, duke e cilësuar qeverisjen e shqiptarëve të drejtuar prej tij, të korruptuar, të inkriminuar e të lidhur me trafikantët. Një qeverisje, që i ka detyruar shqiptarët të emigrojnë në vëndet e BE, kryesisht në Francë e Gjermani, madje edhe më shumë se sirianët, afganët, nigerianët…Por fatkeqësisht prej zullumeve të Ramës e pësuan qytetarët shqiptarë, sepse porta e Europës nuk u hap edhe këtë herë dhe ata do të duhet të vuajnë marrzitë e tij që i ka bërë më të varfër. Thënë më qartë e shkoqur, Makron dhe Merkel nuk pranuan hapjen e negociatave për Shqipërinë, sepse qeveria e drejtuar nga Rama është e korruptuar dhe e lidhur me krimin e trafikantët. Këto janë arsyet përse drejtuesit e dy nga vëndeve kryesore të BE, Francës dhe Gjermanisë penalizuan Ramën dhe qeverinë e tij. Ky është “reformatori’ Edi Rama në sytë e udhëheqësve të BE. Madje, udhëheqësit e BE, me vendimin e marrë për moshapjen e negociatave, mund të thuhet se e grisën” raportin e Komisionit Europian, të paraqitur me pompozitet nga zyrtarët e lartë të Brukselit, më konkretisht nga Mogherini, të mbështetur në mënyrë të pabesueshme nga Johannes Hahn dhe të sjellë në Tiranë nga ambasadorja e korruptuar në Tiranë Vllahutin, të cilët mesa duket e kishin sheqerosur realitetin e zymtë shqiptar dhe kishin bërë një propozim jashtë realitetit.

-Rama deklaron se KiE i vlerësoi reformat e kryera prej tij dhe kërkuan hapjen e negociatave. Si e shpjegoni qëndrimi e Francës, Hollandës, Danimarkës kundër këtij vlerësimi?

– Vendimi që morën Presidenti Makron e Kancelarja Merkel, por edhe deputetët hollandezë dhe danezë në mbledhjen e Këshillit Europian ku merren vendimet, ishte një shuplakë e fortë edhe për Ramën që keqqeveris shqiptarët por edhe për Mogherinin, Hahn e Vllahutin që keqqeverisjen e Ramës e kishin paraqitur të zbukuruar me penelat e piktorit dështak. Për Mogherinin, Hahn e Vllahutin, Rama vlerësohet reformatori i madh që do të udhëheqë Shqipërinë drejt integrimit dhe lideri global që siguron stabilitet në rajon e më gjërë. Por e vërteta mbi realitetin shqiptar dhe zullumet e Ramës nuk arriti të maskohej; mjafton t’i referoheni vendimit të Këshillit Europian, i cili hodhi poshtë rekomandimin e KiE dhe “grisi” raportin e këtyre “zyrtarëve të lartë të Brukselit”, sepse mesa duket edhe për drejtuesit e Francës, Gjermanisë, Hollandës, Danimarkës, e tjerë, këta “zyrtarë” u shfaqën të pabesueshëm me propozimin e tyre për të hapur negociatat për “reformatorin e madh” dhe “liderin global”. E thënë përmbledhtas, “udhëheqësit vendimarrës të BE” hodhën poshtë propozimin e “zyrtarëve të Brukselit”, duke i diskretituar ata në sytë e shqiptarëve, por edhe duke i treguar njëkohësisht vëndin e merituar Edi Ramës. Për më tepër duhet parur parasysh se këta “zyrtarë të Brukselit”, e mbyllin mandatin e tyre në maj 2018, kur do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin europian dhe do të mbeten në kujtesën e shqiptarëve me të njëjtën shije si edhe paraardhësi i tyre Fyle.

Si mendoni, a do të hapen negociatat në dhjetor të 2019, apo thjesht është shtyrë mbledhja për shqyrtimin e vendimit për hapjen e negociatave?

Kam përshtypjen se drejtuesit e Francës, Gjermanisë, e tjerë, po ashtu si edhe shqiptarët e pashpresë e kanë të qartë se me Ramën kryeministër, qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë të cilësohet e korruptuar dhe e lidhur me krimin e trafiqet. Sepse ata zotërojnë të gjithë informacionet e nevojshme për të arritur në përfundimin se e keqja dhe zullumet lidhen vetëm me Ramën. Prandaj me Ramën kryeministër shanset për të hapur negociatat në 2019 janë shumë të ulta për të mos thënë zero, prandaj fatëkeqësisht shqiptarëve do t’u duhet te mendojnë si të vazhdojnë të emigrojnë. Dhe për këtë shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe nuk duhet të fajësojnë ata që ju thonë të vërtetën, por të kuptojnë se mashtruesi Rama është ai që punon kundër hapjes së negociatave dhe këtë e bën vetëm për të siguruar pushtetin e tij personal.

 Çfarë dëfton ankimimi nga ONM  i vendimeve të KPK të Vettingut?

Ky është një veprim që nuk meriton koment. Ose thënë ndryshe, kjo është një manovër pa vlerë që nuk meriton asnjë reflektim, sepse është në thelb pjesë e lojrave, apo manovrave për t’i mundësuar Ramës vendosjen nën kontrollin e tij të gjyqësorit. E vërteta e hidhur është se “Reforma në drejtësi ka dështuar”. Dhe se Gjyqësori është pjesërisht në kaos dhe pjesërisht nën kontrollin e Ramës.

Ndërkombëtarët insistojnë se reforma në drejtësi ka qënë e suksesshme dhe shumë shpejt do të japë frytet e saj… Cili është vlerësimi juaj?

– Shantazhet direkte nga Rama, apo presionet indirekte nga zagarët e tij për t’i mbyllur gojën të gjithë atyre që artikulojnë të vërtetën se çfarë po ndodh me reformën në drejtësi nuk frikësojnë dhe ndalin dot askënd. Unë jam njëri prejt tyre që nuk mund të më cilësojnë dot të korruptuar, as Rama dhe as ndërkombëtarët dhe nuk do të heshtë së deklaruari se kjo reformë ka dështuar dhe se sistemi i drejtësi është në kaos, se Rama gradualisht po e vëndos atë nën kontrollin e tij. Ky është një opinion jo vetëm i imi. Ky është një përfundim i një organizate amerikane që e ka hetuar thellëisht këtë process.

Ku e bazoni mendimin tuaj se “reforma në drejtësi ka dështuar”?

Jam ndjerë i shqetësuar dhe njëkohësisht i zhgënjyer kur kam lexuar raportin prej 27 faqesh të publikuar nga organizata amerikane Judicial Ëatch ku thuhet se “paratë e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për t’i mundësuar Ramës vendosjen e gjyqësorit shqiptar nën kontrollin  e tij”, madje duke implikuar edhe ambasadorin amerikan në Tiranë. Ky përfundim i artikuluar pas një hetimi të thelluar bazuar në një letër të 6 senatorëve amerikanë është shumë shqetësues për shqiptarët, por edhe qetësues, sepse ata krijojnë besimin se e vërteta do të zbulohet.  Ky nuk është një opinion, as i opozitës shqiptare, as i atyre kundërshtarëve, që Rama se bashku me median e tij klienteliste të paguar në paratë e korrupsionit, krimit e trafiqeve i stigmatizon si kundërshtarë të reformës në drejtësi, apo të friksuar nga ndëshkimi, por është një raport i shkruar nga një organizatë amerikane e të djathtës konservatore amerikane, që i është dërguar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.  Unë gjykoj se ky raport është i saktë dhe i drejtë, dhe do të vijë dita që shqiptarët do të njihen me këtë të vërtetë. Rama do të marrë ndëshkimin e merituar dhe vetëm atëhere reforma do të futet në shinat e normalitet. Kjo e vërtetë duhet të deklarohet me guxim dhe pa asnjë kompleks se po sulmohemi nga Rama e media e tij klienteliste, apo nuk do të gëzojmë mbështetjen e disa zyrtarvë të huaj të Brukselit, që me shumë gjasa mund të jenë  të kompromentuar nga Rama me paratë e kanabisit.

Si e provoni këtë opinion tuajin?

– Mjafton vetëm një element për ta provuar këtë përfundim: Shqipëria është i vetmi vënd në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Rama deklaron se ky ka qënë synimi i tij. Një vend pa Gjykatë Kushtetuese është, ose në prag të diktaturës, ose të kaosit. Kjo është një e vërtetë, që nuk mund të fshihet, apo maskohet, sado të përpiqet Rama, apo bashkëpunëtorët e tij vëndas, apo të huaj. Madje zyrtarët e huaj që asistojnë këtë lloj reforme duhet të distancohen, nëse nuk dëshërojnë të cilësohen bashkëpërgjegjës të dështimit.

A kanë përgjegjësi ndërkombëtarët për reformën në drejtësi?

– Gjykoj se “ndërkombëtarët” përfshi edhe ONM kanë përgjegjësinë e tyre për këtë qorrësokak, ku ndodhet vëndi. Analistë dhe ekspertë të shumtë të drejtësisë i drejtojnë me të drejtë disa pyetje “ndërkombëtarëve”, që dalin dhe japin mend për gjithçka, duke tejkaluar edhe limitet e përcaktuara në konventat ndërkombëtare dhe nuk distancohen nga lojrat tinzare të Ramës për të kontroluar drejtësinë:

Së pari, a kanë parashikuar këta ndërkombëtarë, që vendi mund të rezultonte pa Gjykatë Kushtetuese në kuadër të kryerjes së reformës në drejtësi?

Së dyti, a kanë ndërmarrë këta “ndërkombëtarë” ndonjë veprim korrektues për të shmangur këtë vakum ndërkohë që vendi rezulton aktualisht pa Gjykatë Kushtetuese?

Së treti, përse këta “ndërkombëtarë” që kanë qënë pjesë aktive e hartimit, por edhe e zbatimit të reformës në drejtësi s’kërkojnë ngritjen e një tavoline debati për të nxjerrë vendin nga ky qorrsokak i rrezikshëm, por me deklarata kërkojnë të mbulojnë diellin me shoshë?

Dhe së fundmi, a e kuptojnë këta “ndërkombëtarë” se e gjitha kjo është minimalisht një lojë tinzare e Ramës për të vënë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorin dhe se ata po kthehen në bashkëpunëtorë naive, apo të kompromentuar të Edi Ramës?

– Cilat mund të ishin përgjigjet e këtyre pyetjeve?

– Po përpiqem të formatoj disa opsione parimore përgjigjesh:

Së pari, le të supozojmë se “ndërkombëtarët” nuk do të pranonin të mbanin asnjë përgjegjësi  për gabimet, apo defektet që rezultojnë nga hartimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, pra edhe nga lënia e vëndit pa Gjykatë Kushtetuese duke ja transferuar të gjithë përgjegjësinë palës shqiptare. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ata duhet të kishin heshtur gjatë të gjithë kohës, gjë që s’ka ndodhur e madje s’po ndodh as aktualisht dhe në fund mund të jepnin vlerësimin/opinionin e tyre. Ndërkohë, me ndërhyrjet e tyre të vazhdueshme dhe energjike por edhe me deklaratat e fundit, ata rezultojnë palë me Ramën dhe s’mund të shpëtojnë nga bashkëpërgjegjësia. Pra nga kjo analizë logjike, hipoteza se ata nuk janë bashkëpërgjegjës bie.

Së dyti, le të supozojmë se “ndërkombëtarët” që kanë asistuar reformën në drejtësi në Shqipëri s’janë mjaftueshmërisht të aftë, apo të përgatitur për të programuar me saktësi këtë lloj reforme dhe/ose nuk kanë arritur të dallojnë/zbulojnë hilet, apo lojën tinzare të Ramës për të vënë nën kontroll gjyqësorin, gjë që ka çuar në këtë qorrësokak,  apo në “vrasjen” e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast ata të paktën duhet të heshtin a posteriori dhe duhet të kërkonin që palët në Shqipëri të ulen, ndoshta edhe nën monitorimin/këshillimin e tyre, të nxjerrin reformën në drejtësi nga ky qorroskak. Nëse ata nuk do të vepronin në këtë mënyrë, ateherë edhe kjo hipotezë do të rrëzohej.

Së treti, le të supozojmë se “ndërkombëtarët” kanë qënë në mbështetje, apo bashkëpunëtorë të Edi Ramës, pra kanë vepruar me bindje të plotë e “profesionalizëm” gjatë të gjithë këtij procesi, duke parashikuar edhe këtë situatë të vendit pa Kushtetutë, pra reforma është futur në qorrsokak se ata kanë mbështetur Ramën. Në këtë rast, do të kishte dy nën-opsione. Ose ata për interesa të tyre të qarta kanë parashikuar dhe pranuar një situatë të përkohshme absurde pa Gjykatë Kushtetuese, duke i lejuar edhe Ramës të kontrollojë përkohësisht gjyqësorin për ta goditur edhe Ramën në një fazë tjetër. Ose ata janë të kompromentuar nga Edi Rama për të luajtur këtë rol me pasoja për të ardhmen e stabilitetit të vëndit. Edhe nëse ndonjë nga këto dy nën-opsione do të ishte i vërtetë, ata do të duhet të heshtnin se kjo lojë është zbuluar dhe se opozita dhe shqiptarët e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh. Megjithatë ky është një opsion probable, që mbetet për t’u ndjekur me vëmëndje dhe për t’u zhbiriluar më në thellësi.

–  Nëse opozita s’e jep konsensusin, ju si e parashikoni ecurinë e Reformës në Drejtësi?

– Përsëris, se Reforma në Drejtësi ka dështuar. Ajo është futur në mënyrë të qëllimshme në qorroskak nga Rama, sepse Rama preferon, ose të kontrollojë gjyqësorin, ose ta shpërbëjë atë. Arsyeja është e thjeshtë: ai ka frikë nga ndëshkimi, ora e të cilit po afron, sepse zullumet e tij dhe të ministrave të tij janë të paprecedenta në këto 27 vjet. Gjykoj se opozita nuk ka përse të hezitojë të thotë të Vërtetën dhe vetëm të Vërtetën. Nëse opozita do të futej në labirintet e pazareve, atëherë jo vetëm do të shpëtonte përkohësisht Ramën nga carku, ku është kapur, por edhe do të ndotej, duke marrë ndëshkimin e qytetarëve.

– Po atëhere si do të mund të vendoset në shina e të avancojë reforma në drejtësi?

– Ka vetëm një mundësi. Opozita duhet të bashkohet me të vërtetën dhe të abandonojë mashtrimet e zullumet e Ramës, sepse cdo bashkëpunim me Ramën do të ishte kompromis me të keqen vetëm për të shpëtuar Ramën nga ndëshkimi. Reforma në drejtësi është varrosur nga Rama dhe kompromisi me varrmihësin nuk e ngjall atë. Reforma në drejtësi do të vendoset në shinat e normalitetit e do të mund të avancojë vetëm pasi të largohet e ndëshkohet shejtani Rama, që e ka lënë djepin e drejtësisë bosh që t’i shpëtojë ndëshkimit.

Prof. Islami si e shpjegoni ju që ambasadorja e Francës dhe ambasadori i Austrisë i kërkuan Opozitës të votojë p/ligjin “Për Magjistraturën” dhe nuk përmendin 7 kërkesat e Opozitën për maxhorancën?

– Nuk më takon mua të analizoj qëndrimet, apo prononcimet personale të ambasadorëve; ata mbajnë mbi shpatulla kokën e tyre. Siç ndodh edhe në vendet e tyre, me këtë rast do të mund vetëm t’i kujtoja se duhet të respektojnë kërkesat e konventave ndërkombëtare dhe të mos tejkalojnë të drejtat që gëzojnë nga këto Konventa. Shqipëria është vënd anëtar i NATO-s dhe vënd kandidat për në BE, prandaj duhet respektuar si një vënd partner; sepse në asnjë vënd partner ambasadorët nuk i drejtojnë opozitësm, apo kujtdo partie kërkesa sesi duhet të votojë.  Unë lexoj me vëmëndje vendimet e Këshillit Europian, ku janë pasqyruar qëndrimet e Presidentit të Francës dhe të kancelares së Gjermanisë si dhe të kancelarit të Austrisë dhe këto më mjaftojnë për të nxjerrë përfundimet adekuate. Këto vendime duhet t’i lexojnë edhe ambasadorët e tyre.

– Faleminderit!