Pa depozitim të KQZ-së nuk ka zgjedhje të ndershme/ Flet Prof. Dr. Kristaq Kume: Në reformën e re zgjedhore duhet të ndërtohet administratë zgjedhore larg ndikimit partiak. Të ndryshohet sistemi zgjedhor. Komisionerët e votave të mos emërohen në shtet

731
Sigal

 Jakup B. GJOÇA

GAZETARI I TELEGRAF

 Prof. Dr. Kristaq Kume, ish Kryetar i KQZ-së në intervistën te gazeta “Telegraf” pohon se  nuk mund të quhet se bëhet reformë e re zgjedhore pa depolitizuar Administratën Zgjedhore. Prof. Kume, argumenton se duhet të shkruhet në ligj, që komisionerët e Administratës Zgjedhore të mos zgjidhen nga partitë, por as të mos kenë të drejtë të emërohen në administratën zgjedhore pas zgjedhjeve, si shpërblim që dhanë për partinë fituese, duke u hequr motivin e manipulimit të votës në procesin zgjedhor. Gjithashtu, Prof. Kume thotë se as personat, as bizneser që financojnë në fushatë zgjedhore partitë politike nuk duhet të përfitojnë tendera dhe fonde publike pas zgjedhjeve. Prof. Kume shprehet se duhet të ndryshohet ky sistem zgjedhor, që të barazohet vota dhe të kemi lista të hapura për kandidatët deputetë.

 Me reformën zgjedhore PS dhe PD konsolidojnë privilegjet e tyre elektorale

-Prof. Kume, Presidenti i OSBE-së gjatë vizitës së fundit në Tiranë, bëri edhe një herë thirrje për një reformë të thellë zgjedhore. Edhe parlamenti gjerman kushtëzon hapjen e negociatave me reformë zgjedhore. Çfarë reforme zgjedhore kërkojnë ndërkombëtarët në Shqipëri?

Në vlerësimin tim, OSBE-ja kërkon plotësimin e legjislacionit  zgjedhor të rekomandimeve që kanë dhënë misionet e saj  me ODIHR, në zhvillimin e 3 proceseve zgjedhore të fundit në Shqipëri. Çështjet më të rëndësishme që trajtojnë në rekomandimet e tyre këto organizma ndërkombëtare kanë të bëjnë me problemet që kanë lindur me administrimin e  procesit zgjedhor, ku theksojnë se si është ndërtuar administrate zgjedhore në Shqipëri, që është ndërtuar mbi parimin e përfaqësimit dhe balancimit partiak, ka krijuar hapësira për keqpëdorim të kësaj administrate për favor të partive politike. Ata u kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur partive politike, që në reformën zgjedhore të vënë të parën interesin  e procesit, realizimin e standarteve dhe jo interesin imediat të tyre elektoral.

– Si mund ta zgjidhin këtë partitë politike në reformën zgjedhore?

– Në këtë reformë detyrimisht duhe të bëjnë ndërtimin e një administrate zgjedhore larg ndikimit të partive politike, që do të thotë, sipas meje, mundësi për ta trajtuar këtë problem, duke ndryshuar edhe parimin e përfaqësimit dhe të balancimit politik, sipas së cilës deri më sot është ndërtuar administrata zgjedhore. Pra, komisionerë të mos jenë ata që propozohen nga partitë politike, por të gjejnë rrugë të tjera, ashtu sikurse këmbëngulin, që është shumë e rëndësishme edhe performanca personale e administratorëve të zgjedhjeve. Kjo kërkon edhe krijimin e një sistemi të vazhdueshëm trajnimi dhe efektiv, dhe jo kjo praktikë që zbatohet deri tani, trajnimi vetëm disaditor në pragzgjedhjesh, që ka qënë në pjesën më të madhe të tyre formal. Problem tjetër, që kërkohet të zgjidhet është edhe financimi i partive politike, duke e parë më gjerë, jo vetëm financimin e partive politike në fushatën zgjedhore. Këshilli i Europës ndihmoi KQZ-në në prag të zgjedhjeve të 2017-s, për të ndërtuar rregulla më të mira për të monitoruar në kohë reale shpenzimet e partive politike dhe përfundimisht, të gjithë ranë dakort që jemi shumë larg asaj pritshmërie për  të realizuar një gjë të tillë.

– A ka mundësi ligji për financimin e partive politike që të ushtrojë kontroll të fortë në shpenzimet elektorale të partive politike?

– Mundësitë që ka ligji zgjedhor sot dhe kultura  dhe sjellja e partive politike ndaj transparencës për shpenzimet financiare është e tillë me domosdo ndërhyrje disaplanëshe. E para, ndërhyrje në legjislacion, në ligjin “Për financimin e partive politike”, ndërhyrje në Kodin Zgjedhor,  dhe angazhimin për ngritjen e strukturave përkatëse, që mund të monitorojnë në mënyrë efektive financimin e partive politike.

– A mund të quajmë se kryejmë reformë të re zgjedhore, nëqoftëse nuk depolitizohet administrata zgjedhore?

– Në vendet që janë në procesin e zhvillimit demokratik, siç është Shqipëria, Komisioni i Venecies, në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore rekomandon që administrata zgjedhore të ndërtohet mbi baza të parimit të përfaqësimit dhe të balancimit politik. Përpjekjet për të ndërtuar një administratë të pavarur politike duhet të realizuar sipas këtij rekomandimi nëpërmjet asas sesi përcaktohet pastaj në ligjin zgjedhor detyrat dhe detyrimin që duhet të ketë kjo administratë zgjedhore. Në këto dokumente të Komisionit të Venecias, thuhet se në rastet, kur ndërtohet një administratë jo mbi bazën e parimit të përfaqësimit politik të partive, partive politike duhet t’u krijohet kushte të favorshme politike që ato të jenë pjesë e procesit, në kuptimin që në të gjitha hallkat e administratës zgjedhore partitë të kenë njerëzit e tyre në nivelin e vëzhguesve partiakë. Problemi i mënyrës së administratës zgjedhore tek ne, duke ruajtur këtë parim, ka dështuar në kohë. Ne kemi realizuar nëj zgjidhje kushtetuese në 1998- për KQZ-në, që ishte shumë larg këtij parimi, pra ndërtuam një Komision, ku anëtarët nuk ishin propozuar nga partitë politike, por në rrugë të tjera. Vetëm 2 anëtarë të KQZ-së ishin nga Parlamenti. Eksperimentin e dështuam, sepse partitë politike tek ne, kultura, sjellja politike është në nivele të tilla, që nuk mund ta pranojnë dot akoma faktin që duhet partia duhet të jetë pjesë e garës elektorale, dhe jo edhe arbitër i garës, në të njëjtën kohë. Partitë, duke qënë arbitër të garës elektorale, arrijnë deri aty, sa nuk u besojnë paskëtaj, as komisionerëve të tyre, që sipas meje, është një ndër arësyet, pse kërkohet që të futet votimi dhe numërimi elektronik në procesn zgjedhor.

– Mendoni se votimi dhe numërimi elektronik, e zgjidh problemin e manipulimit të votës në zgjedhje?

– Për mendimin tim, edhe kjo zor mund ta zgjidhë problemin. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët e dinë shumë mirë këtë, duke vlerësuar në mënyrë periodike atë çfarë ka ndodhur në sjelljen e partive politike ndaj procesit zgjedhor, duke parë sa këto parti janë angazhuar në rekomandimet e tyre, sot në rekomandimet e fundit ndërkombëtarët janë shprehur hapur fare: Ndërtoni një administratë zgjedhore mbi mbazën e parimit jopolitik, duke e konsideruar këtë si një mundësi potenciale, e cila do të bëjë që ndikimi i partive politike në procesin zgjedhor të mos jetë në ato nivele, sa të arrijë të manipulojë rezultatin zgjedhor.

Sipas jush, cili është modeli i një administrate zgjedhore e depolitizuar?

–  Ka dy opsione. Nëse bien dakort, por këto janë vetëm deklarata, maxhoranca tani thotë që “ Jemi gati të ndërtojmë një administratë zgjedhore jo me përfaqësim e balancim politik”, duhet të ndërtojmë një administratë zgjedhore me përfaqësimin e qytetarëve. Nëse e pranojnë një administratë të tillë zgjedhore, atëhere, rrugëzgjidhja për këtë është të bëjnë ftesë qytetarëve për t’u bërë nesër pjesëtarë të administratës zgjedhore. Njëkohësisht, të publikojnë edhe kushtet që duhet të plotësojë secili që vetafrohet për të marrë një përgjegjësi të tillë. Pas kësaj, KQZ-ja merr detyrën e trajnimit të tyre, i çertifikon, dhe nesër është KQZ-ja, që sipas nevojave që ka për ndërtimin e administratës zgjedhore, zgjedh me short ata që do të kryejnë detyrën në procesin zgjedhor të rradhës. Kjo është njëra rrugë. Rruga tjetër, nëse nuk arrihet një marrëveshje që të heqin dorë nga propozimi i partive politike, atëhere, le të vendoset në ligjin zgjedhor, kushti që partitë politike, pas 4-5 muaj pas procesit zgjedhor të rradhës, të detyruar, të dërgojnë në KQZ emrat e komisionerëve të mundshëm të ardhshëm dhe paskëtaj, këta të trajnohen e çertifikohen nga KQZ-ja, dhe të jetë KQZ-ja të caktojë se cilët do jenë komisionerët e ardhshëm, do të administrojnë dhe ku do jenë këta në procesin zgjedhor. Partitë politike të mos kenë asnjë të drejtë, asnjë të drejtë, asnjë pikë kontakti me këtë administratë zgjedhore, dhe nëqoftë se një parti politike nuk është dakort për një x person të mos jetë administrator në një nivel të caktuar në një zonë të administratës zgjedhore, mundet të largohet, por, ama, vetëm KQZ-ja të marrë vendim me short se cili do ta zëvendësojë. Kam theksuar në 2 tavolinat e fundit që janë organizuar për reformën zgjedhore, lidhur me çështjen e Administratës Zgjedhore është e rëndësishme edhe niveli profesional i komisionerëve. Ndërtimi i një shërbimi trajnimi të vazhdueshëm për punonjësit e Administratës Zgjedhore.

Duke qënë se ju keni ndjekur nga afër edhe tyrezat që organizohen për reformën e re zgjedhore, cili është perceptimi juaj: Ndërkombëtarët interesohen që të ketë ujdi politike midis PS-PD për reformën zgjedhore, apo të reformojnë sistemi zgjedhor, që vota të ketë barazi dhe të mos cënohet e maniopulohet?

Ata janë të interesuar që në reformën zgjedhore të reflektohen rekomandimet e tyre. Rrruga sesi do të arrihet deri në plotësimet e rekomandimeve të tyre, është përgjegjësi dhe detyra e jona.

– Pse ndodh që pas çdo zgjedhjeve parlamentare, parlamenti zotohet për të ndërmarrë reformë të thellë zgjedhore?

– Ligji zgjedhor, pas çdo zgjedhjeje, rishikohet, ritrajtohet dhe rregullohet, sepse çdo proces zgjedhor ka problematikat që dalin dhe është e nevojshme që këto praktika të reflektohen në ligjin zgjedhor. Diferenca e madhe midis nesh dhe vendeve të tjera qëndron në faktin se, problematikat që shfaqen në procesin zgjedhor dhe nevojat për ndryshim që duhen bërë në Kodin Zgjedhor, të japin përshtypjen se çdo herë puna fillon nga e para. Partitë tona politie janë shumë të zonja për të prodhuar probleme,  edhe aty ku nuk ka probleme, dhe jemi shumë të zotë, që të ndërtojmë rregulla të tilla për administrimin e procesit zgjedhor, të cilat në thelbin e tyre të kenë mundësi të krijojnë probleme.

Cili është perceptimi juaj? Me reformën zgjedhore punohet të reflektohen problemet e zgjedhjeve të kaluara, apo PD-PS të konsolidojnë privilegjet elektorale?

– Partitë që kanë në dorë vendimmarrjen punojnë që të ndërtojnë rregulla, sa më shumë dhe sa më mirë në shërbim të interesave elektorale të tyre. Është kjo kundërthenie, midis asaj që deklarohet dhe kërkohet të bëhet, dhe asaj që përpiqet realisht të bëhet, është baza e problemeve të vazhdueshme që kemi dhe do të kemi për zgjedhjet. Edhe kjo reformë e rradhës nuk do t’i zgjidhë problemet, sepse ne jemi një shoqëri në zhvillim e sipër të kulturës demokratike, të sjelljes ndaj rregullave të bashkëjetesës demokratike.

– Cili është trendi i reformës zgjedhore?

– Trendi është i tillë që pritshmëritë në termat afatmesme do të jetë jo më kaq probleme të mëdha me proceset zgjedhore. Në të gjitha proceset zgjedhore kemi patur gjithmonë administratë zgjedhore shumë problematike, më vonë kemi patur problematike edhe institucione të tjera që përfshihen në proceset zgjedhore, siç ishte policia e shtetit. Tani problemet kanë të bëjnë me qytetarin dhe partitë politike, shtiblerja e votës. Shumë probleme të tilla mund të zgjidhen me ndryshime që bëhen në Kodin Zgjedhor, por ka probleme që nuk mund të zgjidhen me ndryshime në Kod Zgjedhor. Përmendim shitblerjen e votës, dhe votimin familjar, etj. Ne kemi ndërtuar në Kodin Penal rregulla të tilla që e cilësojnë shkeljen e ligjit zgjedhor si vepër penale dhe e dënojnë. Në aspektin juridik, problemet janë të trajtuara në maksimumin e mundshëm. Nuk mjafton kaq. Për zgjidhjen e problemit të shitblerjes  të votës duhet angazhim nga të gjithë, partitë politike dhe shoqëria për të krijuar kulturën e sjelljes ndaj të drejtës së votës. Partitë politike krijojnë idenë që vota është një mall, që shitet dhe blihet.

–  Prof. Kume, në zgjedhjet parlamentare të 2013-s dhe 2017-s problematikat ishin pabarazia e votës dhe kriminalizimi i parlamentit. Pa ndryshuar  këtë sistem zgjedhor, a ka më sens reformë e re zgjedhore?

– Këto dy probleme për mua, janë shumë të mëdha, por që t’i zgjidhësh këto duhet shumë kurajo dhe kjo kurajo u kërkohet atyre që kanë të drejtën për t’i ndryshuar rregullat, pra PS-së dhe PD-së dhe më shumë, lidershipit të këtyre partive. Nuk ka sens në një shoqëri demokratike, që baza e demokracisë të jetë vota dhe vota të mos jetë e barabartë. Sistemi elektoral që kemi ne, propocional rajonal e ka krijuar  këtë mundësi për pabarazi. Ka shumë mundësi, që duke ruajtur këtrë sistem të luftojmë pabarazinë e votës. Të mos kemi 12 zona zgjedhore, por të kemi 4-6 zona zgjedhore, ose të mos kemi vetëm 12 zona zgjedhore, por të kemi edhe një listë përfundimtare, korrektuese, pra, një zonë të 13-të elektorale, të cilat do të bëjnë që votat e  shumë shqiptarëve, që nuk votojnë partitë e mëdha, të përfaqësohen me deputetë. Por, PS dhe PD i kanë krijuar privilegje elektorale vetvetes me këtë sistem elektoral, që këto vota të partive të tyre, t’i përfitojnë ato. Me listat e mbyllura të kandidatëve, deputetë bëhen ata që do lidershipi, por elektorati nuk ka mundësi të shprehë me votë, se kë do deputet. Duhet të bëhet votim me listat e hapura. Nëse duan të ndryshojnë sistemin elektoral, më i mirë i mundshëm është sistemi maxhoritar i pastër elektoral.

– Si mundet një reformë zgjedhore të minimizojë shitblerjen e votës, sepse, ju pohuar, që as KQZ-ja nuk ka mundësi të kontrollojë shpenzimet reale elektorale të partive politike?

– Ka 2 momente lidhur me financimin e partive politike për fushatën zgjedhore dhe për ta realizuar atë dhe përdorimi i parave të krimit për të blerë votat. Për financimin e partive duhet ndërtuar rregulla ligjore për administrimin e procesit të monitorimit në kohë reale të financave të partive politike, duke mbështetur institucione, si KQZ, dhe jo duke e bërë si deri më sot, që thërret audit të jashtëm privatë, u kërkon partive politike t’i paguajnë ata, që të monitorojnë shpenzimet elektorale. Ne si shoqëri duhet të punojmë në të njëjtën kohë, në disa drejtime ligj, kapacitete, kapacitete institucionale, dhe kulturë, që do të thotë që shoqëria të realizojë kapacitete të tilla, që të bëjë të mundur, që monitorimi dhe transparenca e financimeve të partive politike të jetë një process në syrin dhe vlerësimin edhe të qytetarëve. Problemi i shitblerjes së votës nuk mund të zgjidhet në kuadrin e reformës zgjedhore, bile nuk mund të trajtohet si pjesë e reformës, e cila ka e cila ka si objekt të saj, rregullat, dispozitat e Kodit Zgjedhor. Me shitblerjen e votës duhet të përballet e gjithë shoqëria. Për të reduktuar shitblerjen e votës, duhet të angazhohet e gjithë shoqëria dhe të ndërtojë institucione që ta luftojë shitblerjen e votës. Secili nga ne, pikësëprai, duhet ta kuptojë çfarë të keqe ka të shesë votën, si një kilogram domate.

– A duhet të sanksionohet në ligj, që komisionerët e administratës zgjedhore të mos emërohen me poste të lartë në administratën publike pas zgjedhjeve, sepse emërimet e tyre janë shpërblime për “kontributin” që dhanë, duke manipuluar votën për fitoren e partisë?

– Nuk zgjidhet kështu problemi. Me ligj, ne e kemi zgjidhur këtë, me ligjet “Për statusin civil” praktikisht, në mënyrë absolute nuk e kemi zgjidhur situatën ashtu siç e parashikon ligji. Veprimet e maxhorancës së rradhës, kanë bërë atë që realisht në Shqipëri kemi përherë 2 administrata publike. Një, që punon, dhe tjetra që e paguajnë taksapaguesit, për shkak të dëmshpërblimeve që u japin gjykatat për largimet nga puna në kundërshtim me ligji “Për Nëpunësin Civil”.  Kjo është shumë e vështirë të përballohet vetëm me çfarë mund të ndryshojmë në ligje. Për sa kohë, që nuk e zbatojmë ligjin, për mua, do të kalojnë shumë breza, që të arrijnë të kuptojnë e të formojnë kulturën e të bërit shtet dhe të të punuarit si shtetarë të një shteti që zhvillohet në një shoqëri demokratike. Kjo është fatura që ne, si shoqëri e paguajmë, që vjen nga niveli ynë i zhvillimit të pakët demokratik. Duhet të jemi gjithnjë në kërkim të atyre rregulllave ligjore, që e minimizojnë këtë si fenomen. Do të ishte mirë, që të sanksionohet edhe në ligj, që militantët, që kontribojnë në administratën zgjedhore, të mos shpërblehen me emërime postesh në administratën publike pas zgjedhjeve, si shëprblim të kontributit të tyre zgjedhor. Kështu, i heq motivin komisionerit zgjedhor, që sa më shumë të përpiqet të manipulojë votat për fitoren e partisë së vet, do të shpërblehet me poste në administratën publike. Pa këtë motiv, komisioneri do të ndërgjegjësohet më shumë të mos cënojë votën. Por, duhet që me ligj të sanksionohet që edhe ata persona dhe biznese, që kontribojnë  financiarisht për partitë politike në fushata zgjedhore, si me para, të mos kenë të drejtë të përfitojnë fonde publike, të mos përfitojnë koncensione dhe trendera publike. Ka biznmenmenë që kanë përdorur partitë politike me paratë e tyre për të ruajtur dhe shtuar pasuritë e tyre. Këtu duhet të ndërtohen ligje, që t’u ndalohet ky “kontribut” financiar për partitë në fushata elektorale, me shpërblime marrjesh fondesh, koncensione dhe tendera publike, pas zgjedhjeve, nëse fiton partia që ata financojnë. Ky është problemi i pastër i shitblerjes së votës.