Pa dekriminalizimin e politikës, Shqipëria do jetë jashtë Europës

550
Situata aktuale e tensionuar politike në Shqipëri, problemet e kriminalizimit të politikës, procesi i votimeve në 21 qershor 2015, ku u evidentua, veç të tjerash edhe blerja e votës, korrupsioni i pandëshkuar, zvarritja e reformave të premtuara dhe sidomos reforma në drejtësi, mosplotësimi i 5 kushteve që BE ka kushtëzuar Shqipërinë për hapjen e negociatave, numri i madh i shqiptarëve që këtë vit kanë kërkuar azil në Gjermani dhe në vendet e tjera të BE për shkaqe ekonomike, janë treguesit politikë që Shqipëria nuk ka bërë progres në procesin e integrimit.

Deputeti gjerman, Gunther Krichbaum: Asnjë refugjat nga Shqipëria nuk pranohet në Gjermani
Deputeti gjerman dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, në një intervistë për Deutsche Ëelle e sheh dekriminalizimin si çështje kyç për ecjen përpara me procesin e integrimit I pyetur për kërkesën e refugjatëve shqiptarë në Gjermani, u shpreh se nuk ka asnjë mundësi që ata të marrin statusin e azilit. Gunther Krichbaum: Kemi folur hollësisht për valën e refugjatëve nga Shqipëria në Gjermani, e cila na preokupon mjaft neve këtu. Asnjë refugjat shqiptar nuk ka shans që t’i njihet azili, çdokush që merr rrugën drejt Gjermanisë duhet ta dijë, se ky udhëtim nuk do të kurorëzohet me sukses, dhe se ai do të kthehet.. Prandaj është detyra më e rëndësishme e qeverisë shqiptare t’i ofrojë popullatës perspektiva jetese në Shqipëri.

CDU mbështet PD
CDU nuk është thjesht një parti konservatore, por një parti e qendrës, që ka rrënjë kristiandemokrate, konservatore dhe liberale. Së bashku me partitë e tjera të djathta e të qendrës në Europë, partitë popullore europiane, ne e mbështesim Partinë Demokratike me përvojën tonë. Këtë sigurisht ne nuk e lidhim me rezultate aktuale zgjedhore, sepse në demokraci një ngritje e rënie në zgjedhje është plotësisht normale.

Që Shqipëria të anëtarësohet në BE, duhet të dekriminalizohet
Për ne është një kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit që politika shqiptare të dekriminalizohet. Në këtë pikë Partia Demokratike ka bërë propozime të mira dhe unë shpresoj shumë që më në fund të kemi ujdinë mes qeverisë dhe opozitës. Por më lejoni të them hapur diçka lidhur me zgjedhjet lokale: Ato çfarë raportohen mbi zgjedhjet nga ODIHR-i, qendra e zgjedhjeve të OSBE-së, janë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian tërësisht të papranueshme. 

E rëndësishme është që të jetësohen ligjet për drejtësinë
Ndërkohë ka shenja bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës në këtë çështje. Por miratimi i ligjeve është vetëm hapi i parë. Akoma më e rëndësishme është që këto ligje të jetësohen. Prandaj tani është shumë e rëndësishme eficienca e administratës, reforma në drejtësi dhe luftimi i vendosur i korrupsionit.

Pozitive, që prokurorë të huajt të hetojnë në Shqipëri
Duke pasur parasysh situatën e ndezur politike në Shqipëri, unë e shoh si një propozim shumë të mirë pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë për zbardhjen e kësaj afere. Kjo sigurisht do të rriste besueshmërinë dhe pranueshmërinë e rezultateve të hetimit.

Shqipëria, larg fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE
Bundestagu duhet të japë miratimin e tij para fillimit të bisedimeve të anëtarësimit. Ne në Komisionin e Bundestagut për Europën do të ndjekim me shumë vëmendje se çfarë përparimesh janë bërë në drejtim të dekriminalizimit të politikës, reformës në drejtësi, luftimit të korrupsionit dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por aktualisht Shqipëria, jo vetëm për shkak të parregullsive në zgjedhjet e fundit lokale, ndodhet ende shumë larg fillimit të bisedimeve të anëtarësimit për në BE.
Sigal