Pa dakortësi politike, nuk ka Reformë në Drejtësi

629
Klaudia MALAJ
“Vettingu”, flasin avokatët Saimir Vishaj, Sokol Hazizaj dhe Jordan Daci, nga zgjedhja e kryeprokurores tek emërimet politike
Vetingu, një nga temat më problematike dhe debatuese në vend, ka përplasur maxhorancën dhe opozitën në të gjitha drejtimet. Edhe pse u votua në parlament me plotë 140 vota, mangësitë dhe frika për tu përballur me të ka stopuar klasën e politikës në vend. Jo vetëm gjyqtarët dhe prokurorët që nuk justifikojnë pasurinë, por edhe klasa e politikës duket se ka nisur të tundet nga themelet prej reformës në drejtësi. Një nga shembujt më konkret të mos bashkëpunimit mes partive ishte edhe zgjedhja e kryeprokurores së re të përgjithshme të përkohshme Arta Marku, e cila u zgjodh vetëm me votat e partisë Socialiste. Edhe për këtë rast, si shumë të tjera, partitë në vend nuk mundën të gjenin gjuhën e përbashkët. Mos ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte një nga hallkat që duhej plotësuar për t’i hapur rrugë zgjedhjes së Kryeprokurores së përgjithshme. Fill pas kësaj, miratohen 4 kandidatët për KLP, për të cilët presim përgjigjen përfundimtare se kush do ta fitojë.
1. Çfarë pritet të sjellë Vetingu në radhët e prokurorëve, gjyqtarëve dhe politikanëve?
2. A mendoni se do t’i realizojë Vetingu objektivat e tij?
3. Kush do të tronditet më shumë nga reforma në drejtësi?
4. Si avokat a mendoni se Reforma në drejtësi do të tund themelet e politikës dhe sistemit të drejtësisë?
Avokat Saimir Vishaj: Për aq kohë sa politika do të emëroj njerëz të cilët kanë qenë në poste politike, ky besim sa vjen e venitet

1.Vetingu aq i dëshiruar nga shqiptaret sa vjen e po bëhet jo real, pasi koha e gjatë dhe mosngritja e institucioneve brenda afateve ligjore po humbet besimin tek qytetari. Deri në këto momente prokuroret, gjyqtaret dhe politikanet vazhdojnë punën normalisht pa e pasur mendjen se çdo të ndodh me vetingun. Për aq kohë sa politika do të emëroj njerëz të cilët kanë qenë në poste politike, ky besim sa vjen e venitet
2. Pa një dakordësi të subjekteve politike s’mund të kemi rezultate në veting. Siç ndodhi me emërimin e prokurores apo komisionet e vetingut që u votuan me lista ne kuvend ku deputetet nuk kishin idenë se për kë emër votuan.
3. Sa për peshqit apo rrjetat nuk kam besim pasi krimi nuk goditet me fushata apo paralajmërime, por ne vazhdimësi vetëm kështu kthehet besimi i qytetarëve të sundimi i ligjit në çdo sfere te shoqërisë shqiptare.
4. Vetingu nuk është ndërrim apo zëvendësim emrash, por një ndryshim mentaliteti në dhënien e drejtësisë duke gjendur me vend shprehjen: “Askush nuk është mbi ligjin”. 
Juristi Sokol Hazizaj: Vetingu? Drejtësia nuk e ka për herë të parë që tronditet

1. Aspirata për të dhënë drejtësi, sa kohë ajo është njerëzore dhe jepet po nga njerëzit e kishte bërë të domosdoshme verifikimin e kapaciteteve që merren me të drejtën. Dhe duhet të jesh nihilist të mohosh që procesi vetingut nuk do të sjell pasoja pozitive, të paktën në aspektin cilësor të hetimit dhe gjykimit. Por duhet thënë se jo në te gjitha rastet përmirësimi i kapaciteteve humane, ose i aktorëve të drejtësisë ka rezultat në se ai nuk shoqërohet me përmirësim të dukshëm të legjislacionit dhe detyrimeve apo të drejtave që përfshin ai në përgjithësi. Duke kujtuar që gjithë legjislacioni është politik dhe vetëm politik, gjahu nga përvoja e deritanishme nuk është dhe nuk mund të jetë politikëbërësi, por zbret te ligjzbatuesi. Pra ndaj procesit të vetingut nuk duhet mosbesuar, por duhet pritur në kohë, sepse jo vetëm për faktin se është proces, dhe për tu provuar kërkon lëndën, e cila vjen vetëm nga kuzhinieri. Kur ndodh një gjë e tillë, atëherë besohet se vetingu nuk ka dështuar.

2. Çdo proces mbart fazat e tij të zhvillimit, të cilat kërkojnë vullnet për tu zbatuar. Bazuar në këtë kuptim është e padrejtë të mohosh rezultatet, por unë nuk mendoj se kualifikimi apo e kundërta e tij për gjyqtar e prokuror do jetë kurorëzimi reformës në drejtësi. Themeli i saj është e drejta, dhe sa kohë vizioni moral dhe politik mbi atë është i zymtë, vështirë se mund të realizohen në kohë të shkurtër interesat qytetare mbi garancinë juridike ndaj pronës, shëndetit dhe arsimit etj etj. Mjafton të lexosh me pak vëmendje akte të qeverisë apo organeve të tjera konstaton se shumë prej tyre vetëm me të drejtën nuk kanë lidhje, ndonëse në parathënie kanë shprehjen “na falni për shqetësimin”. Është shumë tallëse dhe injoruese edhe për një intelekt normal zaptimi i pronës publike me parathënien e sipër cituar, le të flasësh më pas për objektivat.

3. Koncepti i reformës është themelor në kuptim të ndryshimit, dhe padyshim lëkundjet janë të pranishme. Çështja është se si, ku dhe kur do shihen pasojat për drejtësinë, kjo ha diskutim. Unë mendoj se sistemi i aktorëve në drejtësi nuk e ka për herë të pare që tronditet, për këtë mjafton ta kthesh kokën pak mbrapa. Ritheksoj se qytetarët janë të interesuar për drejtësi sociale dhe ligjore. Për ata nuk ka rëndësi përdorimi i koncepteve si ai i matricës së paradokohshme apo i projekteve, por e rëndësishme është restauromi i një sistemi të tërë drejt të vërtetës, jo farsës dhe gënjeshtrës. Në këtë kuptim rezultatet e para do vijnë nga ekipet e hetimit dhe gjyqësorit, sa për politikën dyshoj se mund të ndodh, sa kohë kompromiset janë më të mëdha se realiteti që kërkohet ose të paktën thuhet.

4. Në cilësinë e mbrojtësit ligjor unë mund të them vetëm një fjalë, roli ynë vjen apo duket vetëm kur bashkëpunëtorët e politikës dhe krimit nuk kanë më bateri, drejtohen nga avokatia për të mbrojtur sado pak të drejtën e tyre, ndonëse është vonë.

Avokat Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
Politikanët nuk e kanë dashur kurrë vetingun

1. Vetingu ose procesi i “pastrimit” të pushtetit gjyqësor në RSH, sipas përcaktimeve kushtetuese, posaçërisht shtojcës që iu bë Kushtetutës në 2016 dhe një paketë ndryshimesh të ligjeve ekzistuese dhe ligjesh të reja, do të ketë tre përbërës si proces:
a) Kontrollin e pasurisë së tyre, kontroll i cili synon të vlerësojë pasurinë e vënë gjatë viteve në raport me të ardhurat me qëllim nxjerrjen në pah të fakti nëse pasurie e vënë justifikohet më të ardhurat e siguruara nga burimet e ligjshme të funksionarit dhe anëtarëve të familjes apo është vënë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shpërdorimit të postit. Pra e thënë thjesht nëse është vënë nëpërmjet korrupsionit apo nga burime të ligjshme.
b) Kontrolli i dytë është kontrolli i pastërtisë së figurës me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. 
c) Kontrolli i aftësive profesionale që nënkupton një proces rivlerësimi të aftësisë profesionale, me qëllim identifikimin e atyre të cilët nuk janë të kualifikuar për të kryer funksionin e tyre dhe të atyre të cilët kanë mangësi profesionale që mund të korrigjohen përmes edukimit. Ky vlerësim tek gjyqtarët nënkupton vlerësimin e aftësinë për të gjykuar, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin ndaj vlerave gjyqësore, cilësitë personale dhe angazhimin profesional, bazuar në standardet e parashikuara në ligj. Ndërsa, vlerësimi i aftësisë për prokurorët përfshin aftësinë për të hetuar dhe për të ngritur akuzën publike, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin ndaj vlerave profesionale, si dhe cilësitë personale bazuar në standardet e parashikuara në ligj. 
Lidhur me politikanët, mund ta themi këta janë kategoria që nuk e kanë dashur asnjëherë këtë proces që të realizohet dhe këtu futen edhe ata që e kanë shndërruar procesin në kauzë politike të tyre, pavarësisht retorikës bajatë të tyre që dëgjojmë e lexojmë çdo ditë. Arsyeja se përse politikanët nuk e kanë dashur dhe nuk e duan, është pikërisht fakti vetingu synon mbi të gjitha në sigurimin që pushteti gjyqësor të përmbushë siç duhet detyrën dhe të sigurojë siç duhet që ligji zbatohet siç duhet dhe çdo person qoftë edhe politikan jep përgjegjësi për shkeljet që ai bën gjatë ushtrimit të detyrave politike. Është po ashtu fakt që klasa jonë politike në këto tre dekada e ka keqpërdorur politikën për qëllime ngushtësisht personale si: Për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit, vjedhjes dhe shpërdorimit të pasurisë kombëtare, për pushtet politik, në funksion të nepotizmit dhe për të ardhur dhe qëndruar në pushtet deri edhe nëpërmjet blerjes së votave apo angazhimit në strukturat shtetërore të njerëzve me të kaluar dhe lidhje aktive me krimin. Nga ky këndvështrim vetingu pritet që të bëjë të mundur që peshqit e mëdhenj, të cilët janë midis radhëve të politikës të përfundojë pas hekurave kur të japin llogari për gjithë zullumet që ato kanë kryer në këto tre dekada dhe për përdhosjes e çdo vlerë njerëzore dhe sulmin e organizuar mbi shtetin e së drejtës dhe interesin publik në tërësi. 
2. Vetingu është mbi të gjitha një angazhim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Nga ky këndvështrim, unë nuk di ndonjë rast në botë që SHBA të ketë dështuar në realizimin e angazhimeve të ngjashme. Nga ana tjetër, ndonëse është një angazhim amerikan, në tërësi përfituesi i drejtpërdrejtë i këtij procesi është populli shqiptar, pasi pastrimi i gjyqësorit nënkupton sigurimin e një demokracie funksionale, më shumë drejtësisë sociale dhe më shumë të drejta dhe liri themelore të njeriut dhe në tërësi më shumë mirëqenie. Pavarësisht problemeve dhe gabimeve që kanë shoqëruar këtë proces për të cilin edhe unë personalisht kam shumë rezerva profesionale, përsëri jam i mendimit që vetingu do i arrijë objektivat e tij. Megjithatë, arritja e objektivave nuk mund të kuptohet në kuptimin e ngushtë të pastrimit të institucioneve, por duhet të kuptohet si pastrim i gjithë shoqërisë ose emancipim të saj deri në atë nivel që të prodhojë struktura dhe politikëbërje të cilat janë të afta të përmirësojnë vetën e tyre dhe të garantojnë mbrojtjen dhe zhvillimin e interesit publik. Kjo do të thotë që vetingu në kuptimin e gjerë do të marrë kohë, mendoj disa dekada, por rezultatet e para do të duhet patjetër të arrihen brenda këtij viti mundësisht brenda gjashtëmujorit të parë. 
3. Nga reforma në drejtësi do të tronditet më së shumti dhe të parët vetë drejtësia. Është fakt i ditur dhe lehtësisht i dukshëm çdo ditë në sytë e çdo qytetari që ka të bëjë me këtë pushtet, se fatkeqësisht në sistemin tonë të drejtësisë, bëjnë pjesë pak gjyqtarë e prokurorë të ndershëm dhe profesional dhe shumë gjyqtarë dhe prokurorë të paaftë dhe të pandershëm të cilët keqpërdorin çdo ditë pushtetin që ju ka dhënë ligji duke ju mohuar qytetarëve drejtësinë. Pas tyre do të tronditet më shumë politika ku do të veçoja pushtetin ekzekutiv i cili është shndërruar në abuzuesin më të madh të pushtetit në R.SH. Abuzimi i pushtetit ekzekutiv ia kaloj atij gjyqësor dhe legjislativ. Në radhe të tretë, është pushteti legjislativ i cili do të duhet që aktivitetin e tij ta kufizojë brenda kompetencave kushtetuese dhe në shërbim të interesit publik dhe të mos veprojë sikurse ka vepruar deri më tani duke e shndërruar ligjin nga një mekanizëm për sigurimin e paqes sociale në shoqëri, në një mjet për të vënë nën kontroll masat dhe në shërbim të interesave të ngushta politike dhe ekonomike të pushtetit dhe oligarkëve të huaj dhe vendas që janë të lidhur me politikën dhe i shërbejnë interesave të ndërsjella. Në radhe të tretë, do të duhet të tronditet bota kriminale, të cilës do t’i prishet qetësia dhe s’do mund të bëjë me “krushqi” me politikën dhe pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Ky skenar sado fantastik-shkencor që duket në sytë e qytetarëve të cilët janë mësuar me reforma të cilat bëhen sa për sy e faqe dhe që janë vetëm retorikë e radhës, përsëri kam bindjen që do të sjellë efekte pozitive në shoqërinë tonë. 
4. Themelet e politikës janë tundur për herë të parë nëpërmjet procesit të dekriminalizimit i cili me shumë vështirësi ka arritur të jap efekte dhe të çlirojë kuvendin nga njerëz që nuk e kanë vendin të jenë përfaqësues të sovranit dhe të marrin vendime në emër të interesit publik. Në fakt për mua, dekriminalizimi është dhe duhet të mbetet sfida kryesore e vendit tonë dhe duhet të shtrihet kudo si në partitë politikë si vatra e këtij fenomeni, në administratën publike dhe në çdo sektor tjetër të jetës publike. Vetingu në thelb do t’i heqë politikës mbrojtjen absolutet që i ka siguruar sistemi i dështuar dhe i kontrolluar i drejtësisë. Ky proces do t’i heqë politikës fuqinë që ka marrë nga lidhja e saj me krimin dhe nga vjedhja dhe korrupsioni. Tronditja nuk do të jetë një proces i menjëhershëm dhe i lehtë, pasi vetingu me i madh i politikës nuk mund të bëhet nga vetingu, por nga vota qytetare e cila duhet të jetë si një shpatë Demosteni” mbi kokën e klasës politike për të kthyer në shërbim dhe shërbyes të sovranit dhe jo sunduese dhe shfrytëzuese e sovranit sikurse është prej tre dekadash. Me fjalë të tjera, do të ketë tronditje apo “goditje” të disa individëve në politike, por efektet në tronditjen e modelit politik që kemi sot, do të duhet t’i shohim pas 5 apo 10 vjetësh. 
Sigal