Sigal

Administrata zgjedhore është vjedhësja dhe manipuluesja e votës në zgjedhjet parlamentare

Në një konferencë për ecurinë e reformës zgjedhor, me pjesëmarrjen e OSBE, ODHIR, organizmave të ndryshme, shoqërisë civile, si edhe të partive politike parlamentare, të anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Denar Biba, zëvendës/kryetari i KQZ dhe ish-kryetari i KQZ-së, në fjalën e vet, midis të tjerave, pranoi, qysh në fillim, që vota deformohet nga vullneti politik, domethënë nga partitë politike, që kanë në gjithë administratën Zgjedhore anëtarët e tyre, në përqindje, në bazë të përqindjes të tyre edhe në parlament. Së dyti, Biba pranoi që ka edhe komisionerë që votën e hedhin në kuti të ndryshme të partive që ata u shërbejnë e përfaqësojnë, por, që ende nuk kanë shkuar dot në gjyq, për këtë. (Arsyet kuptohet, derisa i urdhëron partia, është partia që i mbron këta edhe nga ligji). Por, Biba deklaroi, që këto manipulime votash nga komisionerët e administratës zgjedhore, nuk deformojnë dot rezultatin përfundimtar, sepse, siç pohoi Biba “Kur populli voton të Majtën, e Majta fiton, sado vota të manipulohen…”.

Asnjë reagim, bashkëfajtorë të gjithë

Nga të pranishmit, nuk pati asnjë reagim, për këto pohime të ish-kryetarit të KQZ-së, dhe aktualisht zëvendëskryetari i KQZ. As nga opozita. As nga të deleguarit e OSBE-së që ishin të pranishëm. As nga përfaqësuesit e organizmave që merren me çështjet zgjedhore ( në fakt ata i ngrenë problemet në raportet e tyre, sa të marrin financimet dhe paskëtaj, punën e tyre e kanë të mbaruar). Të gjithë faktorët dhe aktorët që merren me proceset zgjedhore në Shqipëri (qoftë vendas dhe të huaj) e dinë problemin, e njohin problemin, madje, edhe janë pajtuar me problemin e vjedhjes dhe të manipulimit të votës, prandaj, edhe nuk kanë se çfarë të thonë më shumë, të reagojnë më shumë, sa ta pranojnë, me hir, ose me pahir, si një realitet i pandryshueshëm.

BE-ja, DASH japin në çdo raport alarmin për manipulimet në zgjedhjet në Shqipëri

DASH në raportin për Shqipërinë në 2018, e theksoi me të madhe manipulimet dhe vjedhjet e votave që u bënë në zgjedhjet parlamentare në 2017-n, ndërsa BE-ja, e vuri si kushtin kryesor për hapjen e negociatave në 2019, reformimin e sistemit zgjedhor. OSBE dhe ODHIR, sa herë që bëhen zgjedhjet, shkruajnë raportet e tyre për fenomenin e shitblerjes të votës, për financimet e paligjshme të subjekteve zgjedhore në fushatat elektorale, gjithmonë kërkojnë nga Shqipëria të bëhen reforma zgjedhore, por, përfundimisht, përherë pajtohet me ujditë politike të PD-PS në ato reforma që duan partitë e mëdha në Shqipëri. Sistemi aktual zgjedhor është produkt i ujdisë PS-PD, që nga 21 prilli 2008, ku këto 2 parti kanë monopolin e privilegjeve zgjedhore, që nga numri i anëtarëve që kanë në gjithë piramidën e Administratës Zgjedhore, qoftë edhe në Kodin Zgjedhor, ku ato përfitojnë të gjitha votat e partive të vogla, të cilat i penalizon Kodi aktual Zgjedhor, ku për 2 partitë e mëdha një mandate deputeti fitohet deri me 8-9.000 vota, ndërkohë për partitë e tjera parlamentare duhen deri në 19.000 vota, ndërsa partitë që nuk futen dot në parlament, nuk fitojnë dot asnjë deputet, edhe pse mund të kenë mbi 25.000 vota. Kështu, që PS-PD përfitojnë afërsisht 140.000 vota të partive të tjera, që nuk fitojnë dot numrin maksimal të votave në një qark për të fituar një mandate në parlament, domethënë, PD-PS përfitojnë 10 % të mandateve të tyre nga votat që kanë fituar partitë e tjera nga elektorati. Ky është deformimi më i drejtpërdrejtë i vullnetit të elektoratit nga monopoli zgjedhor që kanë PS dhe PD në Kodin Zgjedhor.

 

Bundestagu: Pa reformë të ligjit zgjedhor, nuk ka negociata

Bundestagu gjerman i kërkoi Kancelares Merkel që edhe në vendimmarrjen e 28 qershorit 2018, të viheshin kushte ndaj Shqipërisë, kryerja e një reforme të thellë të ligjit zgjedhor. Bundestagu kërkon që në Shqipëri të ndryshojë rrënjësisht sistemi zgjedhor, depolitizimi i administratës zgjedhore, si dy faktorët kryesorë të deformimit të vullnetit të elektoratit. Deri tani PS dhe PD nuk janë shprehur për ndryshime të tilla rrënjësore në reformën e re zgjedhore që përgatitin, ndoshta, sepse nuk duan të dorëzojnë kaq lehtë monopolin e privilegjeve zgjedhore që kanë ndaj subjekteve të tjera zgjedhore.

Jakup B. GJOÇA