Osman Murati: PS shkon me programet e saj më shumë djathtas, kryetari bëhet diktator

768
Osman Murati është një nga personalitetet, që çmohet nga njerëzit për ndershmërinë dhe inteligjencën e tij, por edhe për pastërtinë morale. Osman Murati, ka qenë kryetar i inspektimit të Shtetit, sekretar i parë i PPSH në Dibër, ministër i Tregëtisë, dhe nga 1993, bizmenmen por që nuk u bë kurrë instrument vrasës, por me devotshmëri punoi për begatinë e Atdheut. Pas ndërrimit të regjimit, Osman Murati u tërhoq nga politika, por mbeti përherë një qytetar aktiv, duke mos e zvarritur personalitetin e vet nëpër kënetën politike që filloi të mblidhej në periudhën e tranzicionit demokratik. Osman Murati, i qëndroi kauzës së Majtë, pa u përlyer në partitë që lindën, si bretkosat në kënetë. Përherë ka ndjekur me kujdes zhvillimet politike dhe në intervistën për gazetën “Telegraf”, Osman Murati, larg pasioneve militante partiake, larg interesave personale, pohon disa të vërteta, tek të cilat njerëzit e thjeshtë duhet të gjejnë reflektimet. Së pari, Osman Murati e pranon që qeverisja e Ramës është ndryshe nga qeverisja e Berishës, por, siç pohon për “Telegraf” zoti Murati thotë se, është e pafalshme për një qeveri të Majtë, që pas 2 vjetësh qeverisje të ankohet se, nuk ka buxhet për të shtuar ndihmat sociale, për njerëzit që janë pa bukë, pa strehë, pa ndihmë shëndetësore, ndërkohë që shton luksin e zyrave dhe fasadave. Zoti Murati, duke pranuar kritikat e Ben Blushit, se kjo PS i ngjan një autobusi, ku kryetari i saj ecën drejt greminës, por nuk duhet ta “shqetësojmë”, pohon se, kjo do të jetë një shkatërrim për PS. Si specialist ekonomist, zoti Murati thotë, se është e papranueshme që qeveria e Majtë të ndryshojë 180 gradë politikat ekonomike, kur hoqi fashat e energjisë elektrike, kur filloi luftën kundër informalitetit, papritur, të falë borxhet e bizneseve, të vendosë fasha për bizneset deri në 80 milionë lekë. Kush i ka studiuar këto kufij fashash, pyet zoti Osmani, kur, ndërkohë qeveria ende nuk ka përcaktuar minimumin e jetesës?
-Zoti Murati, qeveria e “Rilindjes” a i përmbushi pritshmëritë e socialistëve dhe të elektoratit që e votoi për një qeverisje ndryshe?
– Mendoj se nuk duhet te nxitohemi për të dhënë një përgjigje definitive, që tani për pritshmërinë e socialistëve, sepse, përmbushja e detyrave që i premtuan elektoratit në procesin e zgjedhjeve, do të gjykohet në fund të katër viteve, në vitin 2017. Megjithëkëtë, nga qeveria dhe parlamenti, pavarësisht nga kritikat që u bëhen, po punohet prej tyre për të krijuar shinat e një shteti ligjor kapitalist, sigurisht edhe me një borgjezi të re. Dhe në këtë kuadër, elektorati i Majtë, që dhe përbën shumicën e popullsisë, mendoj se nuk duhet të presë ndonjë mrekulli, nga ky shtet socialist, sepse nuk kanë për të gjetur ndonjë zgjidhe të mirëfilltë dhimbjet dhe ankesat që po ndjehen nga shtresa e popullsisë së varfër për fukarallëkun e tyre. Qeveria aktuale e drejtuar nga zoti Rama, është katërcipërisht me një këndvështrim ndryshe nga drejtimi i qeverisë Berisha. Megjithëse të dyja palët mbështeten në një trase, në pronën private mbi mjetet e prodhimit, qeveria Rama, po insiston të zhvillojë një sërë reformash shtetërore dhe ekonomike, me synimin për të krijuar një shtet ligjor, për të realizuar një ekonomi ku të zotërojë prona private, me sistem taksash e tatimesh të mirëfillta kapitaliste për çdo element pronësie në qytet dhe në fshat, me një funksion të gjithë elementeve të shtetit ligjor institucional të pavarur dhe sidomos për forcimin e edukatës për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe për një luftë të ashpër kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Në vija të përgjithshme mendoj unë deri me tani, ky duket përfytyrimi i RILINDJES, nga zoti Rama. Por duhet vënë në dukje se në të vërtetë, qeveria e socialistëve u gjend në fillim të veprimtarisë së saj në shumë të papritura, të trashëguara nga qeveria Berisha, me një shtet të çoroditur, me borxhe të brendshme e të jashtme marramendëse, me një informalitet të dukshëm të biznesit dhe me një sistem drejtësie të kalbur nga korrupsioni dhe paaftësia. Këto fakte, me sa duket, e kanë detyruar këtë qeveri të mos u përmbahet disa premtimeve që u ka dhënë elektoratit të Majtë në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, një gjendje e tillë katrahure në Shqipëri dihej që më parë dhe nuk duhet të shërbejë në njëfarë mënyre për ndryshimin e kursit të tij në qeverisjen e vendit. Qeverisja ndryshe e kryeministrit Rama, ndihet edhe në një fakt tjetër domethënës. Ai gjatë fushatës elektorale ka kërkuar një mbështetje për t’u votuar,” Përtej të Majtës dhe të Djathtës.”. Ky element shtesë në fushatë, mendoj se përbën një përfytyrim të ri të kryeministrit, që mbështetësit e tij do të jenë një shtresë biznesmenësh, të dy kaheve politike dhe pa parti që kanë akumuluar kapitale të mëdha dhe janë gjendje të ndihmojnë dhe të mbështesin qeverinë e re të zotit Rama, pa marrë parasysh pastërtinë morale të kësaj shtrese, për mënyrat dhe rrugët e pasurimit te tyre. Në trajtimin e kësaj çështje, heshtazi ose haptazi, po anatemohen shume drejtues të PS, në parlament, qeveri, në pushtetin vendor, se janë të korruptuar, të inkriminuar dhe që përfaqësojnë një elitë “të egër”, e cila i ka qëllim pasurimin në rrugë të ligjshme dhe të paligjshme, me krime e korrupsion, që mbrohen nga kryeministri. Ky fakt, përbën rrezikun real, që e komprometon programin dhe strategjinë e socialistëve, për të pasur një shtet social që mbështetet dhe do të mbështesë shtresat e varfra të popullsisë.
– A ndjek një politikë më sociale qeverisja e Majtë?
– Deri më sot, për afro 2,5 vjet që po drejton kjo qeveri, nuk po shohim ndonjë masë sociale që të ketë ndikim pozitiv për popullsinë e varfër. Punësimi i të papunëve është i papërfillshëm. Dëgjojmë që po vetëpunësohen ato individë që deri më sot kanë ushtruar një veprimtari biznesi në të zezë dhe regjistrimin e punëtorëve që kanë punuar nëpër biznese fshehurazi të pa regjistruar sipas ligjit të punësimit dhe qe nuk paguanin sigurime shoqërore. Si kusht themelore social, mendoj unë është zbatimi i një detyre shumë të vonuar deri më tani, “studimi dhe përcaktimi i një minimumi jetik pagese”, mbështetur në kushtet e vendit tonë, nga ku të bazohet shkencërisht, ndihma sociale për të papunët, pagat dhe rritja në perspektivë e tyre, mbi bazën e zhvillimit të ekonomisë dhe shtimi i pensioneve, krahas edhe ndihmave të tjera sociale, që jep shteti kapitalist. Mendoj se ky është një boshllëk që duhet studiuar dhe nuk duhet ecur kuturu. Në këto drejtime që përmenda, deri më sot, nga qeveria Rama nuk është bërë asgjë. Mendoj se është e pafalshme për këtë qeveri që deri më tani justifikohet, se nuk ka para në buxhet për të shtuar ndihmat sociale dhe nga ana tjetër, me të drejtë pëshpëritet për lluksozitetin qeveritar me zyra, makina, fasada e zbukurime qytetesh, në një kohë që ka shtresa popullsie pa bukë, pa strehim, pa ndihmën mjekësore të duhur, pale për shëndetësi falas që nuk bëhet fjalë. Shtrohet pyetja: Ku janë premtimet për shtresat e varfra të popullsisë? Çfarë po bëhet me premtimet elektorale në këtë fushë? Të shohim më vonë! Si përfundim, deri më sot nuk po e shohim atë pushtet të mirëfilltë social, siç pretendohet për partitë socialiste të koalicionit të Majtë.
– Edhe pse qeveria pretendon se ka ndërmarrë reforma ekonomike vihet re, se papritur vetë qeveria ndërmerr kthesa 180 gradë në ligjet ekonomike, siç është rasti i fundit me biznesin e vogël. Duke u sjellë kështu, a ka qeveria strategji ekonomike?
– Në të vërtetë, qeveria socialiste po kryen një sërë reformash, me synimin e vendosjes të një shteti ligjor. Ky drejtim i punës së saj duhet vlerësuar, ashtu siç duhet vlerësuar edhe disiplina për zbatimin e ligjshmërisë. Reforma në Arsim, reforma e pensioneve, reforma e rritjes së taksave, aksioni për luftën kundër drogës dhe kontrabandës e krimit, aksioni për luftën ndaj vjedhjes së energjisë elektrike dhe tani lufta ndaj informalitetit ndaj biznesit në ekonomi e gjetkë, përbëjnë disa hapa mjaft të rëndësishëm të kësaj qeverie, që edhe duhen përgëzuar, duke menduar se ekzistojnë kushtet për të vënë në rrugë të mbarë shtetin ligjor. Por kjo punë mirë e filluar ka dhe të metat e saj dhe me pasoja të padëshirueshme. Fjala vjen, rritja e taksave dhe sigurimeve shtetërore dhe shoqërore, në kurriz të popullsisë e konsideroj një masë të gabuar, të nxituar dhe me pasoja. Asnjë vend në Ballkan nuk e ka TVSH-në e mallrave 20%, ose akcizën e llambave të thjeshta elektrike me akcizë 1000 lek të vjetra për copë, apo akcizën e gomave të përdorura, ashtu siç janë me plot gabime edhe dyshemetë e çmimeve të mallrave që përdoren në dogana për importet e mallrave. Gjithashtu mendoj se edhe disa firma të huaja që e kanë ardhur në vendin tonë, në dogana e tatime sikur po na “ndihmojnë” nuk po bëjnë ndonjë ndryshim të dukshëm, veç po na zhvatin milionat e parave të taksapaguesve të popullit. Reforma në luftën ndaj informalitetit në ekonomi, është një masë e drejtë, por shumë e vonuar. Ky aksion, siç e trumbeton PS-ja, është zbatim i disiplinës së ligjeve ekzistuese, me taksat përkatëse. Zbatimi i kësaj detyre ka filluar, sipas mendimit tim, shumë keq, me një vrull marramendës. Regjistrimi i biznesit, përdorimi i kasës fiskale, kuponi tatimor, janë detyra elementare dhe me bindje e shpjegimet e nevojshme vihen nga qytetarët në rrugë ligjore. Nëse kjo detyrë e shtetit, nuk është zbatuar deri me tani, kjo nuk është faji vetëm i qytetarit. Por, ndërkohë, ta fillosh zbatimin e kësaj duke kërcënuar popullin me gjoba marramendëse e burgje, është një poshtërim që i bëhet atij. Informaliteti i ekonomisë dhe lufta kundër tij, është një problem madhor i shtetit, i cili ndiqet në vazhdimësi dhe jo me fushata, apo me kthesa që të sjellin edhe çoroditje gjendje emocionale pasiguri në masat që merr qeveria për zbatimin e ligjshmërisë, etj, ndaj popullsisë. Si është e mundur që pa u mbaruar trazirat e gjobave dhe të burgjeve, për berberët dhe tezgaxhinjtë e shitjes së mallrave, pa pritur dhe pa kujtuar del një VKM e Këshillit të Ministrave, që u fal borxhet bizneseve të vogla deri në 50 mln lekë dhe redukton taksat e një fashe biznesesh 50-80 mln lekë? Pikërisht këtu fillon edhe pasiguria, e qeverisë ndaj popullsisë, se nuk është i sigurt për punën e tij që bën. Vendosja e fashës së biznesit ka mjaft pasoja të pa dëshirueshme për evazionin fiskal, sepse do të sjellë në mënyrë të pashmangshme copëzimin e biznesit. Bile, më e rëndësishme është fakti kush e ka studiuar se biznesi i vogël është 50mln lekë? Ju të nderuar qeveritarë, hoqët fashën e energjisë elektrike, sepse kishte sjellë mashtrime të mëdha në pagimin i shpenzimeve të energjisë elektrike, tani na vini një fasho të re për biznesin? E pabesueshme!
– Edhe pse ambasadori Lu publikisht tha që ka ministra të korruptuar, kryeministri reagoi, duke thënë se, nuk bën ndryshime në qeveri. Ju si e kuptoni këtë qëndrim të kryeministrit?
– Vlerësimin e punës së ministrave, në radhë të parë e bën Kryeministri, sepse puna e qeverisë vlerësohet si ekip drejtues dhe individualisht për secilin. Mendoj se puna e qeverisë nuk po shkëlqen, por gjykimi për ndryshime në kabinet, kur ai bëhet jashtë dëshirës së personit, nuk mund të bëhet pa një shkak të argumentuar. Edhe koha në detyrë e ministrave nuk është e gjatë. Po të bëjmë vlerësim të punës të çdo ministri, sipas thashethemeve dhe opinioneve të qytetarëve, i bëhet dëm punës së shtetit. Komisionet e Kuvendit kanë mundësinë dhe fakte nëpër duar gjatë punës, që edhe mund të bëjnë rekomandimet e duhura kryeministrit, për ndryshime në kabinet. Unë, ose dikush tjetër, mund të jap ndonjë mendim, ose të bëjë vërejtje për një titullar dikasteri, në qoftë se ndeshemi në ndonjë flagrance, apo shkelje të dukshme ligjshmërie të ndonjë ministri, organi përkatës ligjor gjykon për largimin e tij nga detyra. Në analizë të fundit, punës së mirë, ose jo të mjaftueshme të qeverisë, do t’i vënë vulën tani zgjedhjet në PS dhe në fund elektorati i PS-së, me votën e tyre, në zgjedhjet e ardhshme.
– A dëshiron vërtet kjo politikë dekriminalizimin, derisa, po vetë e lindi si fenomen?
– Ligji i dekriminalizimit tani ka marrë rrugën e duhur. Mendoj se, në këto vite të demokracisë, nuk kemi vuajtur për ligje, po është lënë për të dëshiruar në zbatimin e tyre. Këtu qëndron deri më sot mungesa e seriozitetit të shtetit. Shpresat nuk do t’i humbim, sepse po vërejmë se ka një preokupimi të madh në këtë drejtim dhe, sidomos nga vërejtjet thelbësore dhe mbështetja e Bashkimit Europian, me ndihmën edhe të mjaft ekspertëve ndërkombëtarë dhe të SHBA-ve. Mjaft drejtues, deputetë ose ndonjë ministër dhe drejtues të pushtetit në bazë janë vënë në shënjestër se duhen larguar nga drejtimi shtetëror, ashtu siç ka edhe mjaft aparatçikë, që i fshihen zbatimit të ligjeve, duke u marrë me veprime të kundraligjshme. 
– Sa optimistë duhet të jemi se, kjo Reformë e Drejtësisë do të sjellë ndryshimin që drejtësia të japë drejtësi për të gjithë?
– Nëse edhe kësaj radhe nuk arrihet zbatimi i këtij ligji, megjithë reformën më të rëndësishme që presim në drejtësi, për ta pastruar Shqipërinë nga llumrat e burokracisë, të korrupsionit dhe të krimit, sipas mendimit tim, do të vihet në pikëpyetje ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor, do të dëmtohet rëndë demokracia shqiptare, duke humbur edhe shanset për t’u pranuar në Bashkimin Europian.
– Mendoni se ka transparencë në procesin e analizës dhe zgjedhjeve të PS?
– Për zgjedhjet e PS-së, unë nuk jam në gjendje të bëj ndonjë vlerësim real, sepse ky problem u përket vetëm anëtarëve të kësaj partie. Një dyshim e kam nga shumë fakte që përmend Ben Blushi. PS-ja e ka humbur demokracinë e brendshme, në bazë të statutit që ka miratuar në kongresin e radhës. Siç e ka përmendur disa herë një shprehje Ben Blushi, se PS-ja është bërë si ai autobusi që drejtohet nga një shofer që nuk mund t’i flitet, do të thotë se kryetari i saj është bërë një diktator, që nuk flitet me të. Ky fakt, nëse është i vërtetë, është një gjendje katastrofike për Partinë më të madhe dhe më me reputacion që ka për përkatësi edhe ish anëtarët e PPSH- së, të cilët i mban shpresa për një parti të mirëfilltë të Majtë, ndërsa ajo po shkon me programe praktike të saj më shumë djathtas.
– Faleminderit!
Sigal