Osman Murati: Funksionimi i shtetit ligjor, hallkë themelore për shtetin e së drejtës

491
Kudo dhe ngado që të pyesësh për funksionimin e shtetit, jam i sigurtë se do të marrësh një përgjigje unanime, “në Shqipëri nuk funksionon shteti”, “u zhgënjyem nga kjo demokraci”, për çfarë na duhet kjo liri, kur nuk na mbron shteti të drejtat tona etj, etj. Pikërisht në kontekstin e gjerë të këtij shqetësimi, pothuajse mbarë kombëtarë, evidentohet, në radhë të parë, si hallka më e dobët ë shtetit ligjor, funksionimi i sistemit të drejtësisë. Me të drejtë është dhe kjo arsyeja që po bëhet afro një vit që po kryhen studime, po bëhen konsultime e debate të ashpra ndërmjet politikanëve të kohës, me pjesëmarrjen e dhe te ndërkombëtareve, sidomos te ambasadoreve te SHBA-ve dhe të Bashkimit europian, për të kryer një reformë të thellë në drejtësi. Vlen për tu theksuar, se barra kryesore në përgatitjen e kësaj reforme, i është besuar eksperteve të jurisprudencës vendase dhe të huaj, përfshi këtu edhe Komisionin e Venecias, për të përgatitur një strukturë dhe legjislacion bashkëkohor, që t’i përgjigjet kërkesave që kërkon demokracia kapitaliste në Shqipëri dhe Bashkimi Europian. Deri më tani, për sa lexojmë dhe po dëgjojmë edhe në mbledhjen e fundit të komisionit të posaçëm parlamentar, do të pësojnë një përsosje të mëtejshme, që nga ndryshimet në kushtetutë dhe pothuajse i gjithë legjislacioni që lidhet me funksionet dhe detyrat e sistemit të drejtësisë, përfshi këtu edhe strukturat përkatëse, me gjithë kuadrin e nevojshëm. Në këtë shkrim, mendoj të mos ndalem në ato çështje që po diskutohen e do të miratohen në parlament për përmbajtjen e ndryshimeve të këtij legjislacioni tërësore. Mendoj, që si mua dhe shumë qytetarë të tjerë na shqetësojnë akoma disa fakte konkrete;
Së pari, nëse e kemi ne këtë stad që po jetojmë, ndërgjegjësimin e kuadrit juridiko-profesional, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e nevojshme të tyre, për ta kryer këtë reformë tërësore, për tu vënë tërësisht në shërbim të qytetarëve, pavarësisht nga kahet politike që do të drejtojnë pushtetin, sot dhe në të ardhmen ?
Së dyti, kjo klasë politike, që ekziston sot në vendin tonë, si djathtas dhe majtas, me drejtuesit dhe aparatet administrative të saj, që nga kupola e shtetit e deri tek një specialist i organeve ekzekutive. A do te jete në gjendje t’i përgjigjet një reforme të tillë në drejtësi? Të dyja çështjet që shtrova më lartë kanë një pikësynim më se të qartë; për të pastruar në rrënjë njollat e zeza të korrupsionit dhe të ryshfeteve masive që ekzistojnë në shoqërinë tonë, dhe për të zbatuar me profesionalizëm të nivelit bashkëkohore, ligjshmërinë në shërbim të shoqërisë dhe të individit, në të gjitha aspektet e jetës, politike, ekonomike e sociale. 
Reforma në Drejtësi, pastrim nga korrupsioni dhe nga koncepti i gabuar i pandëshkueshmërise, ndaj shkelësit të ligjeve
Kjo reformë e drejtësisë, pa dyshim do të përfshijë të gjitha aspektet e shoqërisë, shkelësi i ligjit, kushdo qoftë ai, qeveritar ose deputet, biznesmen ose kontrabandist, bandit ose vjedhës ordiner etj, do të kontrollohet, do të hetohet dhe do të marrë dënimin e merituar, përfshi këtu edhe avokatin, prokurorin ose gjyqtarin. Siç e kuptoj unë, kryerja dhe sidomos zbatimi i kësaj reforme tërësore e drejtësisë, kërkohet për tu konceptuar si një pastrim radikal, në radhë të parë, nga korrupsioni dhe njëkohësisht edhe nga sa koncepti shumë i gabuar i pandëshkueshmërise ndaj shkelësit të ligjeve. I parë edhe në këtë aspekt të gjerë, këtë reformë duhet ta ndjejnë si detyrim ligjor të gjitha organet e shtetit dhe të ekonomisë, për të kontrolluar e denoncuar, në kohë shkeljet e ligjeve dhe të vendimeve, për vjedhje e shpërdorime, për korrupsionin dhe krimin në të gjitha aspektet e jetës, duke krijuar edhe një bashkëpunim dhe bashkërendim të detyrave midis tyre, me një fryme të re konceptimi. Në këtë fushë, përvoja na ka treguar mjaft fakte të hidhura, për mos koordinim deri edhe kundërvënie ndërmjet organeve të pushtetit dhe organeve të drejtësisë, dhe për rrjedhoje janë mbuluar krime e korrupsione në përpjesëtime të pallogaritshme, në të gjithë piramidën e shtetit dhe të shoqërisë. Në këndvështrimin tim, reforma e drejtësisë është pjesa me e rëndësishme e funksionimit të shtetit ligjor. Prandaj dhe secila hallkë shtetit, nuk do të funksionoje si duhet (ose do të dështojë) nëse nuk gjen vendin e duhur në zinxhirin e bashkërendimit të funksioneve dhe të detyrave të shtetit në terezinë e tij. 

Fjala vjen kontrolli i shtetit, ose inspektoratet e ndryshme, që kontrollojnë zbatimin e ligjshmërisë në drejtime të caktuara, nëse nuk kanë një mbështetje të sigurtë te prokuroria, ose anasjelltas, është me se e qartë, se nuk do të gjejë zbatimin e duhur lufta ndaj shkelësve të ligjit, do të krijohet fryma liberale e pandëshkueshmërisë dhe ashtu si deri më sot, do të na mbysë bota e krimit dhe e pasigurisë në aspekte të ndryshme të jetës. Forcimi i hallkave të shtetit në tërësinë e tyre dhe sidomos vënia e drejtësisë në pozitat e shëndosha të zbatimit me konsekuencë të legjislacionit, jashtë ndërhyrjeve politike, nga njëra anë, dhe ndërgjegjësimi i qytetareve për të njohur normat ligjore të funksionimit të shtetit dhe për të reflektuar ndaj rrezikshmërisë të mos zbatimit të tyre, nga ana tjetër, përbëjnë kushtin themelor për forcimin e kulturës qytetare në demokracinë pluraliste. Në situatat që po kalon vendi ynë dhe sidomos me këtë prapambetje, në këto 25 vite të demokracisë, me problemet e pandëshkueshmërisë së krimit në fushën e ekonomisë dhe të korrupsionit masiv, si dhe të akteve vandaliste në jetën e qytetareve, reforma e drejtësisë duhej të ishte parësore në përsosjen e legjislacionit dhe të forcimit të kulturës juridike në sistemin e drejtësisë. Kjo prapambetje, ka vetëm një përgjigje; për të lejuar nga partitë politike në pushtet, liberalizmin dhe kultivimin e pandëshkueshmërisë ndaj shkelësve të ligjit, livadhisjen me vjedhje të pronës së popullit dhe krijimin e kastave dhe te “elitave” sundimtare me pushtet të pa kontrolluar, dhe që sollën si rrjedhoje edhe krijimin e një pushteti të drejtësisë aq të korruptuar që aktualisht paraqet mjaft vështirësi për ta pastruar vetveten nga gjendja skandaloze ku është katandisur. I parë në këtë kënd vështrimi, reforma e drejtësisë që po kryhet aktualisht, përbën një problem madhor kombëtar. Reformimi i kësaj hallke të shtetit, ka dy anë te saj mjaft të mprehta. Ajo nuk mund të kryhet me një të rënë të lapsit dhe as nuk duhet të bjerë në pozitat e një veprimi juridik të thjeshtë, për të rënë në pozitat e retushimit të disa ligjeve dhe për tu marr me vogëlsira të rastit, kjo reformë kërkon një qilizmë të thellë në koka të njerëzve, në radhë të parë, të politikanëve të çfarëdo ngjyre apo kahe qofshin ato, nëse e konsiderojnë veten qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Në qofte se kjo reforme gjithëpërfshirëse radikale, katandiset në fund me disa retushime legjislacioni, “helmi”, i trashëguar nga pandëshkueshmëria ligjore, përsëri do të mbetet brenda shtetit dhe do ta vuajë kurrizi i qytetarëve. 
Gjendja alarmante, për shkak se klasat politike kanë zotëruar dhe komanduar në piramidën shtetërore
Një problem tepër i ndjeshëm i kësaj reforme mbetet shëndoshja e situatës brenda sistemit të drejtësisë. Në gjykata, në prokurori dhe në të gjithë piramidën e drejtësisë punojnë një armatë e tërë intelektualësh, që nga punonjës të thjeshtë e juristë e deri intelektualë të dëgjuar me grada e tituj shkencorë. Mendoj, se nga kjo pikëpamje nuk mund të justifikohemi vetëm me faktin, se në sistemin e drejtësisë tonë kemi vetëm juristë të pa aftë që kanë sjellë një gjendje të tillë alarmante në mosfunksionimin e këtij sistemi jetik në vendin tonë. Shkaqet e kësaj situate të pakëndshme, kanë si burim kryesor, klasat politike që kanë zotëruar dhe komanduar në piramidën shtetërore, qofshin këta demokrate apo socialiste. Ata kane lejuar me dashje katandisjen e sistemit të drejtësisë, duke rënë në llumin e një korruptimi masiv të trupit të shëndoshë të vetvetes. Është kjo arsyeja, që për gati 25 vjet të demokracisë së gjykatës e prokurorë, avokatë e punonjës të tjerë, të këtij sistemi, kanë livadhisur dhe po livadhisin akoma me moszbatimin e ligjshmërisë, me vendimet përkatëse të padrejta e të vonuara, deri edhe me mbulimin e korrupsionit e të krimit nga pushtetar e qytetar, të cilët i kanë sjellë dhe po i sjellin një dëm shumë të rrezikshëm demokracisë Shqiptare. Mendoj se nuk kanë shpëtuar nga kjo sëmundje infeksioni në drejtësi edhe disa nga ato ekspert, të cilët të atashuar nga lobime apo fondacione që kanë financuar këtë reformën në drejtësi, kanë studiuar dhe paraqitur variante që akoma vuajnë “nga patologjia partiake e sundimit të pushtetit mbi drejtësinë”, se si mund të kryhet ajo në Shqipëri. 

Prandaj ndër variantet e studiuara dhe të paraqitura deri edhe në komisionin e posaçëm parlamentar “nga ekspertë” të palëve politike, jepet edhe ideja që zbatimi i kriterit për zgjedhjen e gjykatës kushtetuese të ndiqet varanti i votimit të këtij institucioni me 2/3 e votave të parlamentit, deri në fund të kësaj legjislature të Parlamentit dhe me zgjedhjet e reja të parlamentit të ri në vitin 2017, të ndryshohet ky kriter në zgjedhjen e këtij institucioni dhe të bëhet me 3/5 te votave të parlamentit të ardhshëm. Ja pra edhe në kushtet e kësaj situate të rëndë që gjendet drejtësia jonë, ekspert e politikane të kaheve të ndryshme politike, bien edhe në pozita të tilla denigruese ndaj popullit të tyre. Vlen për të theksuar gjithashtu, që piramida e ndërtimit të sistemit të drejtësisë, të reformuar të mosburokratizohet me shumë hallka, të cilat në procesin e zbatimit të vendosjes së drejtësisë mund edhe të pengojnë njëra-tjetrën për të mos dhënë atë drejtësi që kërkon populli si në luftën ndaj krimit, ashtu edhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Në të njëjtën kohë, mendoj se kjo reformë fondamentale e shtetit ligjor duhet të shoqërohet me doemos me zëvendësimin e drejtuesve dhe të institucione të gjykatave dhe prokurorisë, sepse ato mbartin frymën e vjetër të korrupsionit dhe të një metode pune të papërshtatshme që i ka kaluar koha. Më e keqja e lënies së këtyre drejtuesve në detyrat funksionale ekzistuese mbart edhe rrezikun më të madh të eksperiencës shumë të dëmshme të varësisë së sistemit të drejtësisë nga politika e ditës. 
Ka ardhur koha që klasës politike t’i jepet shkelmi i merituar me ligjet dhe drejtësinë që do të vendoset nga strukturat e reformuara të drejtësisë
Mendoj se ka ardhur koha që të flaket edhe frika e qytetarëve dhe e gjithë intelektualëve që punojnë kudo në hallkat e shtetit, për t’i thënë faktet ashtu siç janë, kur bëhet fjalë për deformimin e zbatimit të legjislacionit të shtetit dhe të denoncohen pa hezitim vjedhjet, krimet, shpërdorimet e tjera shkeljet, për ta shqyer tashme atë “rrjete merimange” që mbron te pandreqshmin apo kriminelin, hajdutin apo kontrabandistin etj. Ka ardhur koha që kësaj klase banditeske që “sundon” mbi shpinën e popullit të kërrusur, tu jepet shkelmi i merituar me ligjet dhe drejtësinë që do të vendoset nga strukturat e reformuara të drejtësisë. Në të njëjtin kohë për ta thënë hapur nëse edhe zbatimi i kësaj reforme do të katandiset gjatë zbatimit të saj në kapjen “vetëm të pleshtave të vegjël” si ajo e burgosjes se një qytetari për një kupon kafeje, dhe do të vazhdoj përsëri mbyllja hermetike e kupolave korruptive antishtetërore duke “vulosur” pandëshkushmërinë e pushtetarëve, qytetarët shqiptarë kanë të drejtën e tyre të rebelohen. Ato me greva dhe demonstrata të pa ndërprera, u lind e drejta për të shkallmuar themelet e këtij shteti korruptiv, që e ka kthyer dhe e mban drejtësinë për të mbrojtur interesat monopoliste të pushtetarë te korruptuar e inkriminuar. Prandaj edhe pritshmëria e kësaj reforme është shumë e ndjeshme për të gjithë popullsinë. Ajo përbën një revolucion të vërtet në vendosjen e një bazamenti të shëndosh shtet-formues, për edukimin qytetar, nga njëra anë dhe për të ndëshkuar shkelësin e ligjeve, nga ana tjetër. Përvoja na tregon se vërtetësia e këtyre dy anëve të shtetit ligjor, krijon premisat e emancipimit qytetar, frymën e shëndoshë te optimizmit dhe për të hapur shtigje të reja në rrugën e demokracisë dhe të lirive të individit e të mbarë shoqërisë në Shqipëri. 
Sigal