OSBE publikon raportin final për zgjedhjet e 21 qershorit

414
OSBE ka publikuar sot raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 21 qershorit, ku janë renditur mangësitë dhe problematikat. Në raport OSBE kërkon që të rishikohet legjislacioni i kuadrit zgjedhor dhe të rritet pavarësia dhe paanshmëria e KQZ-së. Gjithashtu OSBE rekomandon që të eliminohen mangësitë e paqartësitë e identifikuara dhe të rritet transparenca e procesit zgjedhor.
Në raport OSBE thekson se, “megjithëse e drejta e lirisë së shprehjes dhe të mbledhjes në përgjithësi u respektuan, politizimi i vazhdueshëm i insitucioneve shtetërore minoi administrimin efektiv të procesit zgjedhor”.
Raporti përfundimtar vlerëson me ton pozitiv vetëm ditën e zgjedhjeve, pavarësisht disa parregullsive të rëndësishme proceduriale dhe disa votimeve në grup, që u vunë re. Për pjesën e përgatitjes së zgjedhjeve, OSBE/ODIHR rendit disa kritika, që lidhen me politizimin e KQZ-së dhe veçanërisht me mungesën e vullnetit të partive politke për të zbatuar me korrektësi kornizën ligjore.
Pavarësisht disa mangësive, kjo kornizë ligjore do të kishte siguruar bazat për zgjedhje demokratike, thotë raporti përfundimtar, por siç theksohet aty, partitë kryesore e keqpërdoren pushtetin dhe përgjegjësitë e tyre brenda administratës. “Mungesa e vullnetit politik për të zbatuar ligjin bashkë me politizimin e insitucioneve të përfshira, vazhdoi të minojë zgjedhjet”, thuhet në raportin përfundimtar të OSBE-së për zgjedhjet lokale në Shqipëri.
Kjo përbën edhe pohimin më të drejtpërdrejtë për standardin e zgjedhjeve lokale. Pjesa tjetër e raportit është detajim i parregullsive ose moszbatimit të ligjit nga administrata zgjedhore në të gjitha nivelet e saj, ose nga përdorimi i burimeve shtetërore për fushatë elektorale.
Raporti përmend sesi kryeministri Rama, kryetari i Kuvendit, Meta me kandidatet e tyre bashkiakë, përdorën dhënien e certifikatave të pronësisë për fushatë elektorale, duke thyer një nga rregullat kryesore demokratike të ndarjes së shtetit nga partia.
Raporti përmend gjithashtu si thyrje të një prej standardeve demokratike të kritereve të Kopenhagenit për votën e lirë, pa frikën e ndëshkimit. Raporti flet për presion të ushtruar nga koalicioni qeveritar mbi nëpunësit publikë, kryesisht mësues, punonjës të kujdesit shëndetësor dhe bashkive për të marrë pjesë në aktivitet, përndryshe kërcënoheshin me humbjen e vendit të punës.
Raporti i OSBE/ODIHR përmend edhe blerjen e votës si një nga problemet e këtyre zgjedhjeve, siç thuhet atje, ka patur akuza për blerje direkte të votave të familjarëve ose marrjen e kartave të identitetit ditën përpara zgjedhjeve.
Të gjitha parregullsitë e përmendura, përfshirë edhe ndikimin politik dhe vetcensurën që ushtrohet në media gjatë zgjedhjeve, raporti i OSBE/ODIHR i trajton për zgjidhje në formen e 23 rekomandimeve, të cilat duhen trajtuar nga Parlamenti për zgjedhjet e ardhshme.
Sigal