OSBE: Prokuroria të ndjekë rastet e ditura të blerjes së votës

584
OSBE i bën thirrje komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të zbatojë rekomandimet e zyrës ODIHR pas dy zgjedhjeve të fundit. 
“Jemi të gatshëm të ndihmojmë Komisionin dhe i nxisim fort të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ta bëjnë këtë qëllim kryesor të punës së Komisionit” deklaroi ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt i cili nënvizoi se çështjet në lidhje me perceptimet për blerjen e votës, financimin e fushatës, ndjekjen penale të rasteve të shkeljeve në zgjedhjeve të denoncuara në Polici dhe Prokurori, si dhe administrimi profesional i zgjedhjeve, duhet të jenë çështje prioritare, dhe jo vetëm në punën e Komisionit të Posaçëm.
Pjese nga fjala e ambasadorit në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë “Teknologjitë e reja të votimit: standardet, praktikat më të mira dhe sfidat e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje”. 
Bernd Borchardt: Komisioni i posaçëm sapo ka filluar punë. Për ne në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri të ofruarit e mbështetjes për reformat zgjedhore është një traditë e gjatë dhe një nga shtyllat kryesore të punës sonë është ndjekja e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Jemi të gatshëm të ndihmojmë Komisionin dhe i nxisim fort të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ta bëjnë këtë qëllim kryesor të punës së Komisionit.
Kjo nxitje nuk i drejtohet vetëm Komisionit të Posaçëm. Raporti i fundit për zgjedhjet e qershorit theksoi nevojën për veprime solide për të trajtuar çështjen e blerjes së votës dhe abuzimit me burimet shtetërore, edhe me ndjekje penale. Në këtë aspekt, teknologjitë e reja të votimit nuk mund të ndihmojnë shumë. Ne mirëpresim faktin që prokuroria ka hapur çështje për abuzimin me burimet shtetërore dhe ne i bëjmë thirrje prokurorisë të ndjekë edhe rastet e ditura të blerjes së votës.
Disa Shtete pjesëmarrëse të OSBE-së po përdorin teknologjitë e reja, ndërsa disa të tjera e kanë ndaluar përdorimin e tyre dhe i janë kthyer metodave zgjedhore të bazuara te letra. Madje, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë arriti deri aty sa t’i ndalonte teknologjitë e reja të votimit si jotransparente. Prandaj, duhet të diskutojmë gjerë e gjatë për të mirat dhe të këqijat e teknologjive të reja të votimit.
Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së që filluan të përdorin teknologjitë e reja të votimit e bënë këtë për shkak të potencialit të tyre: rritjes së pjesëmarrjes së votuesve, përfshirjes së qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, kostos më të ulët të administratës zgjedhore në planin afatgjatë, përmirësimin e saktësisë së numërimit. Megjithatë, përfitimet janë vetëm të mundshme dhe sigurisht që përdorimi i teknologjive të reja të votimit për zgjedhjet është kompleks dhe i shtrenjtë. Për të mos përmendur se proceset demokratike janë të fundit që ne do të dëshironim të shihnim nën sulme kibernetike. Ka rreziqe në përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe të gjitha duhet të merren parasysh. Teknologjitë e reja të votimit nuk mund të krijojnë besim dhe nuk mund të zëvendësojnë besimin te sistemi zgjedhor. Por unë ju rekomandoj të shqyrtoni numërimin elektronik, i cili nuk do të kërkonte shpenzime financiare të pamata, do të ishte offline, pra nuk do të sulmohej lehtë nga piratët e kibernetikës, si dhe mund të kontribuonte në depolitizimin e një pjese të administratës zgjedhore.
Në konferencën e sotme, ne do të shohim më afër kontekstet e ndryshme në të cilat janë aplikuar teknologjitë e reja të votimit. Ne do të diskutojmë për besimin e publikut te zgjedhjet si bazë për teknologjitë e reja të votimit, nevojën për t’i testuar ato përpara se të vihen në përdorim përmes projekteve pilote dhe nevojën për informim të mjaftueshëm publik, edukimin e zgjedhësve dhe trajnim të stafit të zgjedhjeve.
Besoj se kjo është koha e duhur për të diskutuar aplikimin potencial të teknologjive të reja në zgjedhje, sepse ka ende mjaft kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, por vendimet duhet të merren shpejt. Gjithashtu, dua të nënvizoj se është se është e domosdoshme të vijojmë të kemi në fokus rekomandimet e tjera të ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshmet. Çështjet në lidhje me perceptimet për blerjen e votës, financimin e fushatës, ndjekjen penale të rasteve të shkeljeve në zgjedhjeve të denoncuara në Polici dhe Prokurori, si dhe administrimi profesional i zgjedhjeve, duhet të jenë çështje prioritare, dhe jo vetëm në punën e Komisionit të Posaçëm.
Autoritetet shqiptare duhet që të shqyrtojnë me kujdes opsionet për çdo zbatim të ardhshëm të teknologjive të reja të votimit. Për këtë arsye, rekomandimet dhe konkluzionet e kësaj konference do t’i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë.
Nga ana jonë në OSBE, ne jemi të gatshëm të vijojmë të japim mbështetjen tonë për proceset e reformës zgjedhore dhe për të siguruar zbatimin e qëndrueshëm dhe efektiv të legjislacionit përkatës.”
Konferenca organizohet nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe mbështetet financiarisht nga ambasada e Suedisë. Përfundimet dhe rekomandimet e dala nga konferenca do t’i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë, për t’u marrë në konsideratë gjatë diskutimeve për reformën zgjedhore.
Sigal