OSBE organizon Konkursin e Dytë “Gjyqi Imitues” me studentë të Avokatisë

61

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Shkollën Kombëtare të Avokatisë, përmbylli më 19 Dhjetor 2016 Konkursin e Dytë të Gjyqit Imitues, me një veprimtari të mbajtur në Gjykatën e Lartë. Tetë skuadra, secila e përbërë prej katër avokatësh të rinj, studentë të Shkollës Kombëtare të Avokatisë, konkurruan në mes tyre në këtë veprimtari. Synimi i kësaj veprimtarie është rritja e aftësive profesionale të avokatëve të rinj shqiptarë. Bernd Borchardt, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i kujtoi të pranishmëve angazhimin e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi dhe të Prezencës së OSBE-së në veçanti për të ndihmuar dhe kontribuuar për përmirësimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. “Përpjekjet në këtë fushë përqendrohen te gjyqtarët dhe prokurorët, ndërkohë që avokatët kanë të njëjtën rëndësi thelbësore si ata, veçanërisht në çështjet civile, ku ata janë motori i gjithë shqyrtimit gjyqësor”, tha Borchardt. “U bëj thirrje të gjithë avokatëve, veçanërisht atyre që janë të rinj në profesion, që të punojnë fort, me qëllim që të rriten profesionalisht, por mbi të gjitha, të mos harrojnë kurrë parimet bazë të këtij profesioni fisnik: ndershmërinë, pavarësinë, integritetin, përkushtimin dhe besnikërinë ndaj klientit”.  Finalistët e Konkursit të Dytë të Gjyqit Imitues i përshëndeti edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhevahir Zaganjori. Konkursi i parë u mbajt vitin e kaluar në kuadrin e një projekti më të gjerë të Prezencës së OSBE-së. Duke pasur parasysh vlerësimin e lartë për këtë veprimtari nga vetë Shkolla dhe nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Prezenca vendosi ta përfshinte këtë veprimtari si një instrument për rritjen e efikasitetit të shqyrtimit të çështjeve gjyqësore brenda projektit të saj të përgjithshëm për zhvillimin e sistemit gjyqësor. Veprimtaria e sotme është një prej përpjekjeve të shumta të Prezencës për të rritur efikasitetin e proceseve gjyqësore. Falë mbështetjes së donatorëve dhe në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Prezenca ka botuar një manual për shqyrtimin e çështjeve civile, si dhe ka zhvilluar trajnime të aftësimit profesional për një numër të madh avokatësh të rinj në mbarë vendin.