OSBE-ODIHR/ Reformat janë prioritet, shpresohet që opozita t’i favorizojë

47

OSBE/ Atmosfera e mosbesimit midis dy forcave politike kryesore njollosi mjedisin zgjedhor në Shqipëri

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, paraqiti sot, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, raportin për gjendjen në Shqipëri dhe veprimtarinë e Prezencës, për periudhën shtator 2012 – tetor 2013. Raporti  evidenton se, “atmosfera e mosbesimit midis dy forcave politike kryesore njollosi mjedisin zgjedhor”.  Ky raport evidenton se “Në një vit të mbizotëruar nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, zhvillimi paqësor i tyre, si dhe kalimi relativisht i qetë i pushtetit shënuan një përparim domethënës në Shqipëri, me gjithë mjedisin e vështirë politik dhe ekonomik. Megjithëse vërejti një “atmosferë mosbesimi midis dy forcave politike kryesore që (njollosi) mjedisin zgjedhor”. Përparimi në axhendën e reformave ngeci, ndërsa armiqësia dhe polarizimi politik u rritën vazhdimisht me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit.  Miratimi, në maj 2013, i dy ligjeve me shumicë të cilësuar, konkretisht i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe atij për nëpunësin civil, si dhe i rregullores së Kuvendit, përmes bashkimit të votave të shumicës qeverisëse dhe opozitës, ishte një përjashtim për t’u shënuar. Kalimi i pushtetit, që pasoi zgjedhjet, ishte relativisht i qetë, ndonëse jo krejtësisht pa akuza për shpërdorim pushteti nga ana e qeverisë në ikje dhe për spastrim të supozuar të administratës publike nga ana e qeverisë në ardhje. Prezenca dhe bashkësia ndërkombëtare më gjerë kanë vijuar t’u theksojnë të gjitha palëve nevojën për t’u angazhuar plotësisht në institucionet demokratike të vendit. Klasa politike shqiptare ka rastin që të përqafojë një stil të freskët politik për të përballuar sfidat thelbësore dhe për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të saj.  Kjo klimë politike i dha trajtë Raportit të Progresit të vitit 2013 të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe “Komunikimin nga Komisioni për Parlamentin dhe Këshillin Evropian” rreth strategjisë së zgjerimit, botuar më 16 tetor 2013 dhe kontribuoi në vendimin e Komisionit për të rekomanduar dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.

 5 kushtet   e KE-së, për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

të vijojë reformën në administratën publike;

 të forcojë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore;

të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër korrupsionit, përfshirë drejt vendosjes së një bilanci solid; të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë drejt vendosjes së një bilanci solid;

dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të romëve, dhe politikat kundër diskriminimit, si dhe të zbatojë të drejtën e pronës. Këto përparësi pajtohen shumë me mandatin e Prezencës dhe përfaqësojnë fusha kyçe të pikave të forta dhe përvojës së Prezencës.

Vlerësimi për zgjedhjet e 23 Qershorit

Zgjedhjet e 2013-s qenë konkurruese, me pjesëmarrje aktive qytetare gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjithsesi, atmosfera e mosbesimit midis dy forcave politike kryesore njollosi mjedisin zgjedhor dhe vështirësoi administrimin e gjithë procesit zgjedhor. Retorika ndezëse dhe herë-herë përçmuese, që karakterizoi një pjesë të madhe të diskursit politik gjatë viteve të shkuara, nuk e rriti besimin e qytetarëve tek udhëheqja politike e vendit, institucionet apo procesi zgjedhor. Duket se po lindin fusha të reja tensioni politik, duke qenë se opozita nuk ka pranuar të marrë pjesë në disa nga punimet e Kuvendit.

Retorika nacionaliste

Periudha përpara festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2012, , u shoqërua nga një rritje e retorikës nacionaliste, duke krijuar shqetësim te disa prej fqinjëve të Shqipërisë dhe te bashkësia ndërkombëtare. Kryeministri i asokohe,  Berisha, u mundua që, nëpërmjet toneve të larta nacionaliste, të fitonte simpatinë edhe të një spektri ekstrem të elektoratit nga të dy kahet politike, për të minimizuar ndikimin e AK-së, mirëpo, votat e   23 Qershorit dëshmuan që nacionalizmi nuk e ndikoi ndjeshëm fushatën dhe nuk u pasqyrua në rezultatin e zgjedhjeve.  Po kështu, edhe AK-ja nuk fitoi asnjë mandat, edhe pse platforma e saj politike u mbështet e tëra në  retorikën nacionaliste.  Tani që Komisioni Evropian ka rekomanduar dhënien e statusit kandidat Shqipërisë për në BE dhe në pritje të vendimit të Këshillit Evropian, klasa politike dhe qytetarët e Shqipërisë  kanë rastin që ta përdorin këtë inerci pozitive për të kërkuar transformim në atdheun e tyre, në mënyrë që të mbyllet kapitulli i tranzicionit.

MJEDISI PROGRAMATIK DHE VEPRIMTARITË

Dimensioni politiko-ushtarak

Ristrukturimi i Ministrisë së Brendshme

Me gjithë përpjekjet e bashkërenduara për asistencë dhe përmirësimet graduale, standardet profesionale institucionale të policisë kërkojnë përforcim të mëtejshëm., Ministria e Brendshme ka ndërmarrë një përpjekje të madhe ristrukturimi për ta modernizuar dhe profesionalizuar shërbimin policor. Opozita, megjithatë, ka pretenduar për emërime të paligjshme në majën e Policisë së Shtetit.  Si ushtria, ashtu dhe policia, kanë konstatuar nevojën për t’u përmirësuar në barazinë, diversitetin dhe përfshirjen e pakicave, sidomos në lidhje me bashkësinë rome.. Drejtuesit e lartë të policisë njohën nevojën për të përmirësuar aftësitë e brendshme drejtuese. Policia ende ka nevojë për një  ndryshim në kulturën e udhëheqjes nga lart-poshtë dhe për një fuqizim më të madh të vendimmarrjes operative. Shumë mbetet për të bërë për të zvogëluar dhe goditur grupet kriminale të organizuara transnacionale, të cilat kalojnë mallra të paligjshme përmes Shqipërisë, si dhe për të çrrënjosur qendrat e njohura të prodhimit vendas.

Dimensioni ekonomik dhe mjedisor

Reforma e pronës mbetet për Shqipërinë një çështje thelbësore

Reforma e pronës mbetet për Shqipërinë një çështje thelbësore, nga e cila kushtëzohet zhvillimi në fusha të tjera. Mungesa e një kuadri të qëndrueshëm politikash ka sjellë një pasiguri ligjore sa u përket të drejtave të pronarëve, shtimit të ndërtimeve të paligjshme dhe zhvillimit të parregulluar të tregut të pronave të paluajtshme, me pasoja negative për gëzimin e papenguar të së drejtës së pronës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Reforma e pronës ka ngecur në pjesën më të madhe të vitit të shkuar. Konsensusi kombëtar dhe qëndrueshmëria e kuadrit institucional dhe ligjor janë të domosdoshëm për suksesin e kësaj reforme.

Lufta kundër Korrupsionit

Në luftën kundër korrupsionit, me gjithë angazhimin e qeverive të njëpasnjëshme dhe reformën ligjore përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, perceptimi i korrupsionit në terren është rritur, sipas Transparency International. Gjatë vitit të shkuar u vërejt përgjithësisht një përparim i kufizuar në çështjet kundër korrupsionit. Në një hap për t’u përshëndetur, Kuvendi miratoi, në shtator 2012, një paketë ndryshimesh kushtetuese që kufizon imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale të deputetëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Megjithëse ndryshimet e miratuara nga Kuvendi hoqën një pengesë madhore për hetimin e rasteve të supozuara të korrupsionit, procedurat hetimore ende kërkojnë qartësim. Sfida mbetet për t’i shndërruar angazhimet në zbatim efektiv, me nivelin e duhur të transparencës dhe llogaridhënies dhe një bilanc bindës, përfshirë procedime të nivelit të lartë. Organet shtetërore që merren me korrupsionin nuk janë ende plotësisht të mbrojtura nga presioni politik dhe vuajnë nga kufizimi i burimeve njerëzore dhe financiare.

Lufta kundër trafikimit në njerëz

Në luftën kundër trafikimit në njerëz, në një notë pozitive, në maj 2013 Shqipëria përmirësoi legjislacionin e saj penal kundër trafikimit, duke e sjellë gjerësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Këshillit të Evropës për Veprim kundër Trafikimit. Përpjekjet për të ndjekur penalisht krimet e trafikimit në njerëz dhe për të mbrojtur personat e trafikuar kanë mbetur gjithsesi në nivel të ulët. Reagimi i zbatuesve të ligjit në hetimin e të gjitha formave të trafikimit në njerëz ka qenë i dobët, më së shumti për shkak të zëvendësimit të punonjësve të policisë të specializuar kundër trafikimit. Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit në Njerëz ngriti një grup pune për hetimin dhe gjykimin e çështjeve të trafikimit në njerëz, i cili konstatoi boshllëqe serioze në përgjigjen institucionale ndaj kësaj dukurie. Mbrojtja e personave të trafikuar është kryer më së shumti nga OJF, përmes projekteve të financuara nga donatorë.

Reforma territoriale dhe administrative

Qeveria e re e ka renditur reformën territoriale dhe administrative si një përparësi kryesore, ndonëse kjo do të kërkojë konsultim të gjerë publik për të zhvilluar një vizion strategjik dhe plan veprimi të dakordësuar dhe një metodë për matjen e përparimit. Në vijë me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore të Këshillit të Europës, reforma duhet të garantojë pavarësinë politike, administrative dhe financiare të qeverive vendore. Më tej, është thelbësore që të merren masa që procesi i vendimmarrjes për këtë reformë të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual. Mekanizma konsultimi mes qeverisë vendore dhe shoqërisë civile rreth hartimit të politikave po zënë fill, sikurse dhe transparenca në procesin vendimmarrës. Njësitë e qeverisë vendore përballen me sfidën e ushtrimit të funksioneve të transferuara pa përgatitje dhe me burime financiare shumë të kufizuara. Sfidat më të mëdha kanë të bëjnë me zbatimin e politikave kombëtare në lidhje me planifikimin territorial, menaxhimin e ujit dhe mbetjeve dhe mirëqenien sociale.

Qeverisja mjedisore

Në qeverisjen mjedisore, u vërejtën zhvillime në përafrimin e legjislacionit, megjithëse sfidat vijojnë lidhur me zbatimin e ligjit në terren. Përmirësimet në Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe në përpjekjet e shtuara për konsultime me publikun do ta lehtësonin ndikimin e investimeve qeveritare në fushën e energjisë, minierave dhe infrastrukturës. Një raport i analizës së situatës për praktikat ekzistuese dhe sfidat e industrive nxjerrëse, tregoi se të pakta janë ato kompani që respektojnë standardet mjedisore dhe se institucionet qeveritare nuk janë plotësisht të afta të sigurojnë respektimin e detyrimeve mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e burimeve natyrore. Megjithëse problemi i menaxhimit të mbetjeve është pranuar gjerësisht dhe numri i kompanive ricikluese në Shqipëri u rrit vitin e fundit, kjo nuk ka sjellë ende një përmirësim të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në nivel kombëtar.

OSBE/ODIHR-i : Shkarkimi i Mihos nga KQZ-ja  ishte e diskutueshme

Konstituimi i vonuar i KQZ-së vështirësoi përgatitjet në kohë për zgjedhjet, veçanërisht lidhur me përdorimin e teknologjive të reja të votimit. Projektet pilote për numërimin elektronik dhe identifikimin elektronik të zgjedhësve kaluan një fazë fillestare planifikimi kryer nga një kompani e specializuar, e kontraktuar për këtë qëllim. Pas testimit të të dyja sistemeve, KQZ-ja vendosi të mos i përdorte në zgjedhjet e 2013-s. KQZ-ja miratoi pjesën më të madhe të akteve lidhur me administrimin teknik të zgjedhjeve me vendimmarrje të njëzëshme. Megjithatë, një numër i vogël vendimesh të rëndësishme u mor sipas vijave partiake, përfshirë shpërndarjen e mandateve të deputetëve sipas qarqeve dhe përcaktimin e numrit të ZAZ-ve. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vërejti se baza ligjore për shkarkimin e Muhos nga KQZ-ja ishte e diskutueshme. Në vijim, KQZ-ja i administroi zgjedhjet vetëm me katër anëtarë. Megjithëkëtë, ndër sfidat kryesore qenë atmosfera e mosbesimit mes dy forcave më të mëdha politike; mjegullimi i vijës ndarëse mes institucioneve shtetërore dhe partive politike; mungesa e zbatimit efektiv të rregulloreve për median, si dhe mungesa e një procesi ndreqës efektiv dhe të rregullt ligjor për të zgjidhur ankesat zgjedhore. Ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore, cilësia e përgjithshme e listës së zgjedhësve nuk u kundërshtua.

Barazia gjinore

Situata e barazisë gjinore u përmirësua gjatë vitit të shkuar. Qeveria e re ka bërë një përpjekje të veçantë në këtë drejtim: nga 20 ministrat aktualë, gjashtë janë gra. Në parlament ka tani 25 deputete (18%).

Shoqëria civile

Kapaciteti i shoqërisë civile është përgjithësisht disi i ulët, veçanërisht në zonat rurale. Po ashtu, OJF-të perceptohen shpesh si të lidhura politikisht, duke dobësuar kështu legjitimitetin e rolit të tyre ruajtës. Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, e financuar nga shteti, themeluar në 2010-n, ende nuk ka mundur t’i trajtojë kënaqshëm këto sfida.

Sistemi i Drejtësisë

Arritjet në sistemin e drejtësisë, vitin e shkuar, konsistuan, në thelb, në miratimin e legjislacionit të ri. Në tetor 2012, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, që reformoi procedurën disiplinore për avokatët. Prezenca bëri komente të shumta për këto ndryshime, të cilat u morën parasysh pjesërisht. Në prill 2013, Kuvendi miratoi ligjin “Për administratën gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Po në prill, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. Ndonëse ndryshimet mund ta rrisin efikasitetin e Gjykatës së Lartë, ka ende dyshime nëse ato do të sjellin përmirësimet e parashikuara në pavarësinë e Gjykatës së Lartë, për shkak të mundësisë së vazhdueshme të ndikimeve politike në proces.

Në qershor 2013, hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal. Ato shtuan apo ndryshuan 41 nene me synim përforcimin e luftës kundër krimit, duke përfshirë, ndër të tjera, dënime më të ashpra për autorët e vrasjeve të punonjësve të policisë dhe për vrasësit e bashkëshortëve, vrasjet e motivuara nga gjakmarrja dhe për zotërimin e paligjshëm të armëve. Kodi Penal tani përmbush një sërë detyrimesh ndërkombëtare të Shqipërisë, të cilat nuk qenë të pasqyruara në ligjin vendas, si Konventën e Këshillit të Evropës për Veprim kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Reforma e Administratës Publike

Ligji i ri pritet të formojë bazën për një administratë publike meritokratike dhe transparente, ndër të tjera përmes parashikimit të procedurave konkurruese të punësimit, të bazuara te meritat, për të frenuar punësimet dhe pushimet nga puna për motive politike e personale.

Ish të përndjekurit politikë

Riintegrimi i plotë në shoqëri i ish-të përndjekurve politikë mbetet shqetësim.

VËSHTRIM DREJT SË ARDHMES

Publiku shqiptar ka tani pritshmëri të mëdha, veçanërisht për standardet demokratike, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik. Qeveria e re ka paraqitur një program ambicioz për t’i realizuar këto pritshmëri. Sfidat që mbeten për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar janë të brendshme, në mendësi dhe në funksionim: trajta e ardhshme e vendit, shpejtësia, efikasiteti dhe qëndrueshmëria e reformave varen shumë nga vullneti dhe përkushtimi i të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri.

Ligji i Medias

 AMA dhe RTSH-ja vegla politike të shumicës qeverisëse

Ligji i medias, i cili rrinte pezull prej shtatë vjetësh, u kalua, më në fund, nga parlamenti, në mars 2013. Rekomandimet e Prezencës për të depolitizuar organin e mbikëqyrjes së medias audiovizive dhe transmetuesin publik, fatkeqësisht, nuk u morën parasysh, duke krijuar kështu rrezikun që të dyja institucionet të bëhen vegla politike të shumicës qeverisëse, sikurse vuri në dukje edhe Përfaqësuesja e Lirisë së Medias, fill para miratimit të ligjit.