OSBE-ja bashkon maxhorancën dhe opozitën në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

492
Sigal

Berisha ikën nga pritja, sa merr fjalën e rastit kryeministri Rama, në shenjë proteste

Dje, me rastin e Ditës  Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, OSBE-ja në Tiranë organizoi një pritje, ku morën pjesë (për herë të parë) edhe maxhoranca edhe opozita.

Raunig: Ende asnjë zyrtar i lartë i dënuar për korrupsion

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Florian Raunig u shpreh dje, pak orë më parë nga pritja që dha  OSBE-ja, me rastin e Ditës  Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, se nuk ka ende asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion. Duke folur gjatë Forumit Kombëtar kundër Korrupsionit, Raunig u shpreh se, strategjia kundër korrpsionit është me shumë rëndësi, por shtoi ai, strategjitë janë pa rezultat nëse bëhen pa mjetet e duhura.

Rama: OSBE-ja rol  në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e OSBE-së në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Shefi i qeverisë theksoi se OSBE-ja ka barrën e një ure dhe sipas tij, “nuk ka vend më të përshtatshëm për të këmbyer se sa kjo urë, në këmbët e së cilës qëndrojnë të drejtat e njeriut”. “Paqja dhe siguria janë gjithmonë në pikëpyetje dhe të lidhura pazgjidhshmërisht me të drejtat e njeriut. Sot duhet të vlerësojmë lart ndihmesën e OSBE në kalvarin e gjatë që na u desh të kalonim deri në çlirimin e zgjedhjeve. Sot kemi mundësinë të vlerësojmë gatishmërinë e OSBE edhe në ndihmën ndaj Kosovës, edhe sa i takon të drejtave të pakicave. Duhet të bëjmë në Ballkan ato që janë të nevojshme. OSBE na përcjell ekspertizë, këshilla dhe mbështetje në këtë rrugë dhe proces. OSBE ka pasur qysh në krye të herës një barrë jo të lehtë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut”, -deklaroi Rama.

Kryeministri falenderon (ironikisht) opozitën

Në pritjen e OSBE-së ishin të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës shqiptare, të cilët kanë dëgjuar deri në fund fjalën përshëndetëse të kryeministrit. “Nuk e kisha pritur kurrë që opozita të rrinte dhe të dëgjonte fjalën time dhe falënderoj opozitën që dëgjoi fjalën time këtu në praninë e OSBE-së”, -u shpreh kryeministri Rama.

Ikja e Berishës

Kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Berisha kanë zgjedhur të japin shfaqen e tyre të radhës të mos honepjes së njëri-tjetrit. Berisha ka braktisur aktivitetin sapo Rama ka marrë fjalën e rastit. Lidhur me këtë qëndrim ai ka dhënë këtë argument për mediat:

“Largohem se flet dhunuesi më i madh i të drejtave të njeriut në vend. Sot Shqipëria në vendin e parë në botë për të paraburgosurit. Shqipëria sot ka më shumë të paraburgosur se Siria e Iraku”tha ai.

Dule: Në Europë nxënës të përkushtuar, në Shqipëri mësues prepotentë

Vangjel Dule kryetari i PBDNJ në një tryezë me temë “Të drejtat e minoriteteve”,  e vuri theksin tek respektimi i këtyre të drejtave.  “Ne kemi dështuar si klasë politike herë nga vullneti, herë nga përvoja që ti kthejmë të drejtat në një realitet ligjor, pa këtë nuk mund të çojmë të drejtat e minoritetit në standarde të reja që kërkohen nga evropianët. Pa këtë realitet ligjor nuk mund të ruajmë marrëdhëniet ndëretnike në nivelin ekzistues dhe as ti kultivojmë më tej”.