Orjola Pampuri: PS pa program të qartë në fushatë, Lulzim Basha kryeministër i ardhshëm

696
Alma Çuka
Psikologia Orjola Pampuri, garon e dyta në listën e Partisë Demokratike, në qarkun e Tiranës. Është e bindur për fitoren e së djathtës. Dënon dhunën ndaj simpatizantëve të LSI-së 
Emri i saj u bë i njohur, pikërisht në momentin kur nga çadra e Partisë Demokratike, u foli qytetarëve duke mbështetur kauzat e Lulzim Bashës. Për gazetën “Telegraf” Orjola Pampuri, psikologia e njohur, rrëfen se vjen nga një familje e djathtë dhe se mbështet me të gjithë forcën programin e Lulzim Bashës. Është e bindur se PD do të marrë shumicën e mandateve në 25 qershor duke i dhënë mundësinë kështu Bashës të jetë kryeministër i ardhshëm. Ndërkohë nuk është dakord me retorikën e përdorur nga liderët e partive në fushatë. Dënon aktet e dhunës ndaj simpatizantëve të LSI-së dhe shton se kjo është një çështje e cila duhet të zbardhet nga organet kompetente. 
Kandidoni në Qarkun e Tiranës, e dyta në listë pas liderit PD-së Lulzim Basha. Çdo të thotë për ju?
Për mua është përgjegjësi e jashtëzakonshme. Unë jam në këtë garë si psikologe dhe fakti që kam një profesion të tillë do të thotë që qëllimi mbetet i njëjtë. Gjatë punës sime unë i dedikohem qytetarëve, edhe në këtë sfidë për mua është e njëjta gjë, garoj për të ndihmuar qytetarët , për të mbrojtur kauzat e tyre. Do te jem pranë tyre me qëllim që të ngre hallet, problemet që i shqetësojnë ata në jetën e përditshme. Jam për të mbështetur politikat në ndihmë të qytetarëve. 

Ju nuk keni qenë e angazhuar më parë në politikë. Pse pikërisht tani dhe pse kjo zgjedhje, pra kandidimi nën siglën e Partisë Demokratike?
Është e vërtetë që unë nuk kam qenë e angazhuar deri tani në politikë. Por po kaq e vërtetë është se unë rrjedh nga një familje e djathtë, Gjyshi im nga nëna ka qenë i persekutuar, Babai im ka mbështetur gjithmonë të djathtën. Pra e gjithë familja ime, edhe bashkëshorti po ashtu ka mbështetur politikat e djathta. Jam rritur në një familje të persekutuar dhe me bindje të djathta. Kemi qenë mbështetës të liderit Sali Berisha gjatë gjithë këtyre viteve dhe tashmë mbështesim fort Lulzim Bashën dhe programin e tij. 

Tashmë jeni në fund të fushatës elektorale. Dy javët e para kjo fushatë u karakterizua nga qetësia dhe fjalimet pa fyerje. Ndërkohë tashmë duket qartë një retorikë ndryshe. Si e konsideroni këtë fakt?
Është e vërtetë që fushata nisi e qetë dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Ka ardhur koha që cilado parti qoftë, duhet të dalë në fushatë dhe të flasë për programin e saj, ta mbështes fortë atë. Por fakti që kemi një gjuhë të acaruar mes liderëve kryesor në këtë fushatë, kryesisht mes LSI dhe PS-së, ka të bëjë me programin. Ndoshta mungesa e programit të qartë është pjesë e ashpërsimit të gjuhës në fushatë. Partia Socialiste përmes gjuhës së përdorur, kërkon të fshihet nga programi i saj, madje më keq akoma, ajo me anë të gjuhës së pazakontë, kërkon të mos përballet me qytetarët për premtimet e pa mbajtura në katër vite qeverisje. 

Keni një shpjegim për akuzat dhe kundër akuzat që përdoren më së shumti mes PS –së dhe LSI-së?
Ndoshta puna që bëjmë ne në terren na ka bërë aq shumë të fokusuar tek programi sa nuk na kanë lënë kohë të fokusohemi te debatet. Një gjë kisha për të thënë. PS dhe LSI kanë qeverisur së bashku, gabimet nëse i kanë bërë i kanë bërë në bashkëpunim. Më mirë këtë gjë e gjykon populli në 25 qershor. 
Çdo të thoshit për qeverisjen e Rilindjes në katër vite?
Në vitin 2013 Rilindja e kryesoj fushatën me premtimin e madh për shëndetësi falas. Sot jemi në një situatë krejt ndryshe, Në katër vite një gjë e tillë nëse do të ishte vullneti i duhur mund të arrihej shumë mirë, por Rilindja nuk e bëri. Ajo kërkon edhe katër vite të tjera, por kjo është e kot. Partia Demokratike do të bëjë gjithçka të realizueshme. Do të fokusohemi tek një shëndetësi më e mirë, pensionet, punësimi, arsimi. Do të bëjmë më shumë për familjet në nevojë duke rritur ndihmën ekonomike, e cila është më se e realizueshme. Do të bëjmë shumë për shtresat e varfra. Pra Partia Demokratike nuk do të punojë për të ndërtuar fasada, nuk do japim koncesione. Populli është varfëruar në maksimum dhe ne do të jemi aty për të qenë sa më pranë tyre.
Fjala më e përdorur në këtë fushatë është timoni dhe tepsia. Si e vlerësoni?
Nuk do të them asgjë për atë se çfarë thotë Edi Rama në fushatë. Unë di të them që partia demokratike ka një timon dhe atë do e drejtoj pas 25 qershorit lideri i saj Lulzim Basha. PD ka një slogan dhe ai është “ekonomi e fortë e nesërme e sigurt”. Kjo është pika më e fortë e jona.
Po sondazhet?
I besoj vetëm rezultateve të zgjedhjeve të 25 qershorit dhe nuk do i besoj këtyre sondazheve deri në ditën e fundit.
Si i shihni koalicionet pas zgjedhjeve?
PD është e djathtë dhe përfaqëson qytetarët që besojnë tek programi i saj. Kam bindjen e plotë se Partia demokratike do të jetë fituese dhe do të kryesoj e vetme pas 25 qershorit. Unë kam hyrë në këtë rrugë dhe jam e bindur për fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në këto zgjedhje. 

Nëse matematika flet ndryshe?
Nuk shikojmë koalicione për momentin në horizont. Jemi fitues të vetëm. Të dhënat e deritanishme që dalin nga sondazhe të ndryshme nuk janë të vërteta, janë thjesht aludime. E vërteta e madhe është se Lulzim Basha do të jetë kryeministër, do të qeverisë vetëm dhe pa koalicione. 

Sa mandate parashikohet të marrë PD në kryeqytet ku jeni në garë?
Në Tiranë mendojmë të marrim maksimumin e mandateve që do të na bëjnë fitues. 

Unë jam çdo ditë në terren dhe zhvillojë takime të ndryshme me persona të profesioneve të ndryshëm. Takoj intelektualë, biznesmenë, qytetarë të thjeshtë. Në të gjitha takimet flas për programin Basha, Dhe nëse qytetarët e mbështesin fortë atë unë them se PD do jetë partia fituese. Unë do të jem në Kuvend në katër vitet e ardhshme. Por premtoj se një herë në javë do të jem pranë banorëve të njësisë zërin e të cilëve do të përfaqësoj në parlament dhe do të bëj që problemet dhe hallet e tyre të dëgjohen në Kuvendin e madh. 

Ditët e fundit ka pasur shumë raste ku simpatizantë, kryesisht të LSI-së janë dhunuar. Keni një mesazh?
Në fakt kundrejt simpatizantëve të PD-së nuk ka pasur probleme. Për sa i përket dhunës ndaj simpatizantëve të LSI nuk është normale, është një akt i paprecedent dhe këtë duhet ta zgjidhin organet kompetente. Fushata është vendi ku partitë politike duhet të shpalosin programin e tyre, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve. 
Sigal