Oriola MUSA/ Barazia gjinore në zgjedhjet e 2015

953
Sigal

E ndërsa zgjedhjet lokale po afrojnë, kambana e fushatës elektorale ka filluar të tingeëllojë. Pavarësisht se është ende herët për të folur për kandidatura zyrtare apo emra konkretë nga ana e partive politike, deri më tani, një fakt dallohet qartazi: përfaqësimi i grave në politikë edhe në këto zgjedhje duket se fle në harresë. Më kujtohet fushata elektorale e zgjedhjeve vendore të majit 2011, kur u debatua jo pak dhe nga shumë aktorë, respektimi i kuotave gjinore në listat zgjedhore të partive politike. Asokohe trupi diplomatik i OSBE-së në Tiranë i bënte thirrje partive politike që  të merrnin masa ndëshkuese më rigoroze për subjektet zgjedhore te cilët nuk zbatonin Kodin Elektoral për përfaqësimin e grave në proces. Po ashtu edhe kryetarja e atëhershme e parlamentit, znj. Jozefina Topalli, i bënte thirrje grave që të angazhoheshin e të merreshin seriozisht me fushatën duke garantuar ne unanimitetin e plotë te liderëve polik të asaj periudhë, kur vinte fjala për çështjen e përfaqësimit të gruas. Por gjoba 300$ si masë sanksionuese për palët kundërvajtëse, nuk ishte shume efektive në fakt, pasi na rezultoi që ligji për të përfshirë 30 % femra në zgjedhjet lokale të atij viti nuk u zbatua asnjëherë. Dhe ja ku jemi sërish katër vjet më vonë, në vigjilje të fushatës se re elektorale të 21 qershorit 2015. Më ngazëllyen fjalët ekryeministri Edi Rama në aktivitetin që u mbajt për 23-vjetorin e themelimit të FRESSH, i cili, pasi shpalosi platformën e PS-së dhe LSI-së, tha se në këshillat e ardhshëm bashkiak, pjesëmarrja femra dhe meshkuj, do të jetë 50 me 50. E nuk mbetet mbrapa premtimi i kryetarit të PD-së, z. Lulzim Basha, i cili shkon edhe me larg se deklarata e kryeministrit Rama, duke u zotuar se jo më pak se 1 në 5 kandidate për bashkinë do të jetë grua. Nga ana tjetër lidhur me këtë çështje është shprehur edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, sipas të cilit ne Parlament nga 140 deputet 70 duhet  të jenë gra. Nga ana e saj, znj. Albana Vokshi,  deputete e PD-së, deklaroi disa jave më parë se, në këto zgjedhje, Partia Demokratike do të jetë përfaqësuar  në 20% të numrit të përgjithshëm të bashkive nga gra. Po ashtu, muajin e kaluar u mbajt dhe takimi me temë “Gruaja dhe rinia shqiptare sa larg dhe afër Europës”, me nismëtar  Fondacionin Konrad Adenauer, ku qe e pranishme ministrja e integrimit, znj. Klajda Gjosha, e cila ishte mjaft e ashpër në qëndrimin e saj, duke deklaruar deri në përjashtimin nga procesi zgjedhor të të gjitha partive politike që nuk respektojnë kuotat gjinore të zgjedhjeve lokale. Ajo gjithashtu me një mesazh sensibilizues i bëri apel të gjithë shoqërisë, por sidomos rinis që të mbështesin dhe ndihmojnë për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave pasi kjo lidhet drejtpërdrejtë me procesin e integrimit. Por fakti mbetet ky; edhe pse Kodi Zgjedhor përcakton se partitë politike duhet të respektojnë kuotat gjinore në listat e tyre në masën 30%, fatkeqësisht, përvoja e zgjedhjeve të fundit na dëshmoi se shumica e subjekteve politike, ishin të gatshme edhe të gjobiteshin, vetëm e vetëm të mos kishin kandidate femra në listat e tyre emërore. Mësimi që nxirret nga kjo eksperiencë është i qartë dhe i kuptueshëm për të gjithë: duhen marrë masa dhe bërë ndërhyrje imediate në Kodin Zgjedhor. Sanksionet e aplikuara deri më tani dhe vlera monetare e gjobës aktuale ne fuqi janë qesharake dhe nuk e përmirësojnë aspak çështjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë. Duhet një mekanizëm i fortë ligjor që të jetë efektiv dhe ti refuzohen listat të gjitha atyre partive që nuk plotësojnë kriterin e barazisë gjinore në zgjedhjet lokale, apo qoftë edhe ato parlamentare. Çështja  e pozitave të gruas dhe e fuqizimit të rolit të saj, është mbi të gjitha një fenomen social, i cili prek çdo sferë të shoqërisë, që ndikon jo vetëm në përmirësimin e jetës sociale, por gjithashtu në zhvillimin ekonomik të atij vendi. Në kontekstin shqiptar, një vend demokratik dhe europian si i yni, i cili aspiron aderimin deri në strukturat më të larta të BE-së, duhet ta ketë prioritet jo vetëm politik por edhe moral, çështjen e angazhimit të femrës në politikë. Për rrjedhojë, shtrohet si detyrë jo vetëm e politikanëve por e mbarë shoqërisë që, pavarësisht pikëpamjeve politike, të përkrahin e ti bashkohen iniciativës së gjithë atyre grave dhe të rejave, të cilat në vorbullën e madhe të paragjykimeve dhe etiketimeve të shumta që jo rrallë herë ato marrin, guxojnë e i futen politikës me dëshirën e mirë për të qeverisur vendin përkrah me kolegët meshkuj, ashtu dhe siç i takon një shteti të civilizuar e modern.