Orët e ankthit për qeverinë, mes tymit të bardhë dhe blozës

549
Në Kryesinë e Kuvendit përfundoi takimi me dyer të mbyllura, i thirrur nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta për Reformën në Drejtësi, i cili zgjati rreth 1 orë e 45 minuta. Në takim morën pjesë, Kryeministri Rama dhe kreu i PD, Lulzim Basha, të cilët u larguan pa dhënë asnjë deklaratë. Ambasadorët e BE dhe SHBA, Romana Vlahutin dhe Donald Lu, me anë të një njoftimi për shtyp patën deklaruar se nuk marrin pjesë në takim nëse nuk nisen diskutimet nga propozimi hibrid bërë nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland. Takimi i tre liderëve nuk mori asnjë vendim, por ranë dakord që ekspertët të vazhdojnë negociatat. Diskutimi është zhvilluar mes Ramës që mbron të plotë propozimin e fundit të Nuland, pra që gjykatësit dhe prokurorët të kalojnë në sitën e ndërkombëtarëve dhe Bashës, i cili këmbëngul që një rol i tillë për përfaqësuesit e SHBA dhe BE bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe me rekomandimet e komisionit të Venecias. Basha, që doli i dyti nga takimi tha se do punohet për të gjetur një kombinim mes Venecias dhe propozimit të Nulandit. Pra, me një fjalë palët edhe pas takimit kanë mbetur aty ku ishin para tij.
Rama mënjanon Xhafajn si negociator, Meta përzgjedh Manjanin

Dalja e djeshme e Xhafajt, shumë më herët se të përfundonte tryeza trepalëshe Rama- Meta -Basha, duket se ka qenë mesazhi që ai ishte “flakur” nga kryeministri si negociator i një marrëveshje të mundshme për reformën në drejtësi. Sikurse është rënë dakord midis tre drejtuesve të lartë të politikës shqiptare, Rama ka përzgjedhur si përfaqësues të tij, për negocime Ëngëll Agaçin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë. Kreu i Kuvendit mësohet se ka përzgjedhur ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, ndërsa Lulzim Basha rikonfirmoi deputetin demokrat Oerd Bylykbashi.
Kryeministri braktis tryezën për Akademinë Politike

Kryeministri Edi Rama ishte i pari që u largua nga takimi trepalësh në selinë e kryesisë së Kuvendit. Ai la takimin rreth orës 19:45 minuta pa bërë asnjë koment për gazetarët e shumtë që prisnin te dera. Pak çaste më vonë shkroi një fjali në Twitter, ku lajmëronte se për takimin do të shprehej në orën 19:00. Shkaku që kishte gjetur Rama për t’u larguar nga takimi ishte mbledhja me Akademinë Politike, një organizim i të rinjve, që duan të anëtarësohen në politike brenda PS. Pra, Rama la një tryezë të madhe të politikës, ku ishin përqendruar vëmendja e gjithë politikës, por edhe e shqiptarëve të interesuar për një takim me disa vajza dhe djem që duan të bëhen politikanë. 
Ministrat Tahiri e Bushati komentojnë propozimin e Ilir Metës
Deri tani, të vetmit që nuk “ju bën goja” të artikulojnë togfjalëshat “qeveri teknike” dhe “zgjedhje të parakohshme”, janë ministra socialistë të qeverisë “Rama”. Pas Arben Ahmetaj, edhe ministrat e Brendshëm dhe të Jashtëm, respektivisht Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati, kanë qenë kundër propozimit të aleatit të tyre Ilri Meta. “Axhenda tani ka një pikë, reformën në drejtësi, pastaj të tjerat”, u shpreh Tahiri, i pyetur për një koment për propozimet e Ilri Metës. “Jam shumë dakord me Saimirin”, ka qenë komenti “racional” i ministrit Ditmir Bushati.
Balla: Reforma në Drejtësi, sot në Komitetin e Politikës së Jashtme të PE
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi dje se reforma në drejtësi në Shqipëri, do të diskutohet nesër në Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian (AFET). “Reforma në Drejtësi në Shqipëri, çështje e rëndësishme edhe në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), e cila do të zhvillohet sot”, shkruan Balla në statusin e tij në Facebook.
Votimi i reformës, Rama mbledh ministra dhe deputetë

Kryeministri Rama ka thirrur në vilën qeveritare ministrat e deputetët. Ky takim ndodh në limitin e kohës për konsensusin e reformës, 3 ditë përpara seancës parlamentare, kur do të bëhet votimi. Ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste janë njoftuar për mbledhjen nga zyra e kryeministrit mëngjesin e së hënës, por nuk janë dhënë detaje të tjera.
Sigal