Oreksi i aleatëve revolton demokratët

557
Sigal

Kur ka mbetur edhe një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, dy kampet e mëdha të politikës kanë filluar të mendojnë seriozisht për aleancat që ata mendojnë se do t’i shpallin fitues. Nuk është momenti i premtimeve elektorale, që në fushata janë më se normale, por flitet për diçka më konkrete. Flitet për poste të larta shtetërore që i fiton ose jo. Për opozitën tani për tani mund të flitet në mënyrë hipotetike, pasi selia rozë jo vetëm që është ende larg pushtetit, por edhe marrëdhëniet me aleatët I ka të ftohta, duke mos u premtuar ndonjë gjë kushedi nëse e merr pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Por ndryshon krejtësisht puna në kampin blu, ku ky është një realitet i prekshëm. Partia Demokratike dhe Kryeministri Berisha kohët e fundit janë bërë shumë dorëlëshuar dhe shumë xhymertë ndaj aleatëve të vegjël, duke u dhënë pushtet ndoshta më shumë nga ç’meritojnë. Dhe këtë dihet pse e bën. PD ka një numër të pamjaftueshëm votash në parlament për të qëndruar e vetme në pushtet. Prandaj dhe aleatët e vegjël të Berishës në këto kushte duken të mëdhenj dhe vetëm kërkojnë e kërkojnë pushtet. Në qoftë se LSI-ja me katër deputetë zotëron 20 për qind të pushtetit në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, këtë e sanksionoi që në fillimin e marrëveshjes së qeverisjes me PD-në. Tashmë LSI-ja mendon për më shumë pushtet që të vazhdojë të mbetet në koalicion me PD-në për zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo gjatë rrugës, aleatët e Berishës u shtuan, sikurse ishte rasti i PDIU-së, së Idrizit. Dje, për shembull, nga marrëveshja për bashkëqeverisje mes PD-së dhe PDIU-së shtrihet edhe në tri drejtori të rëndësishme, atë të ALUIZNI-t, AKKP-së dhe Rezervat e Shtetit. Nga ana tjetër është çështje ditësh, krijimi i Komitetit Kombëtar i Diasporës, të cilin do ta drejtojë PDIU. Mësohet se deri tani është studiuar modeli i disa vendeve dhe i është përqasur modelit italian. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi thotë se, marrëveshja me PD-në përfshin katër zëvendësministra e disa drejtori kyçe, përfshi edhe atë të Sigurimeve Shoqërore. Por ai nuk është i kënaqur me kaq. “Pasi mbaruan zgjedhjet ne kemi dizajnuar një marrëveshje që ka të bëjë me 4 zv.ministra. Jo se kjo është e kënaqshme nga ana jonë, por pas 70 vjetësh për herë të parë shteti shqiptar do të ketë zv.ministra nga ky komunitet. Kemi marrë deri tani 3 drejtori të përgjithshme, po diskutojmë edhe 2-3 të tjera. Ne nuk e kemi kondicionuar qëndrimin tonë në maxhorancë me postin e zv.ministrit. Nga mënyra se si po ecën marrëveshja ne nuk jemi të kënaqur, mund të ecte me shpejtësi shumë më të madhe”, ka deklaruar Idrizi. Por, kreu i PDIU-së herë pas here ka vënë në dukje se, kësaj partie i takon një post ministror duke përjashtuar mundësinë që vet ai të jetë pjesë e kabinetit “Berisha”. Por nuk është vetëm PDIU-ja e tillë në raport me qeverinë e Berishës. Janë edhe republikanët të tillë. Janë edhe ballistët e legalistët që, ndonëse nuk kanë përfaqësim në Parlament, zotërojnë poste drejtorësh e zëvendësministrash. Janë edhe parti të tjera që vetëm emri u dihet, por drejtuesit e tyre i janë qepur pushtetit dhe gëzojnë poste të larta në administratë. Dhe Berisha vetëm fal e fal pushtet që ata të qëndrojnë rreth tij dhe të jenë pjesë e aleancës së ardhshme. Në fakt këto dhënie postesh ngjajnë më shumë si peshqeshe. Por ndërkaq vërehet një frymë pakënaqësie në radhët e PD-së, e cila ndjen dobësimin dhe sheh se po humbet gjithnjë e më shumë terren. Militantët e PD-së janë të pakënaqur me këto lëshime ndaj aleatëve të vegjël. Po vazhdoj kështu, kot sa jemi në pushtet, shprehen ata.