Orë pas ore nga dita e fundit e ekzistencës së Partisë së Punës deri te autobusi elektoral i socialistëve të Ramës

836
Sigal

Si u zhvillua Kongresi i 10 i PPSH, ku u përjashtuan byroistët dhe ku u ndërrua përfundimisht emri i partisë

Kanë kaluar 22 vjet, që nga dita kur pesë reformatorët kryesor të Partisë së Punës, të cilët janë: Dritëro Agolli, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Moikom Zeqo dhe Spiro Dede, nën konsultimin e Ramiz Alisë, kaluan një provë tepër të vështirë për t’i mbushur mendjen botës, se kjo parti i kishte shkëputur lidhjet me të kaluarën. Dhe se përveç emrit kishte ndryshuar edhe programin, apo thelbin. Atë ditë të 12 qershorit, kjo parti kishte plot 2 muaj e 12 ditë që kishte fituar zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit, por duke humbur thuajse në të gjitha qytetet kryesore përfshi këtu edhe Tiranën. Fill pas kësaj fitoreje, Ramiz Alia u shpall President i sistemit të parë pluralist dhe dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Parë.

Mbledhja e 12 qershorit

Shqetësimi i parë ishte se ku do qëndronin anëtarët e Byrosë Politike? Pra, në presidium, si gjithmonë apo diku në rreshtat e parë. Dhe problemi i dytë ishte busti i Enverit. Ku do qëndronte ai, kur më 20 shkurt monumenti i Enverit ishte rrëzuar dhunshëm nga sheshi. Problemi i byroistëve u zgjidh menjëherë dhe asnjeri prej tyre nuk hipi në presidium, me përjashtim të Xhelil Gjonit, i cili prej kohësh gjendej në grupin e reformatorëve.  Ndërsa busti i Enverit u vendos në hyrje të sallës, në mënyrë që delegatët ekstremistë ta shihnin atë prezent dhe nga ana tjetër, delegatët reformatorë mos ta kishin nëpër këmbë në sallë. Aty ishin 1518 delegatë, ku pjesa më e madhe shihte akoma nga prapa. Raporti i përgatitur nga grupet e punës, të monitoruara rregullisht nga Ramiz Alia, u lexua në kongres nga sekretari i KQ, njëkohësisht sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, Xhelil Gjoni. Në raport pasqyroheshin gabimet në rrugën e PPSH, por mbahej qëndrim edhe për figurën e Enver Hoxhës. Po aty, thureshin lavde për figurën e Enver Hoxhës, nxirreshin në pah të gjitha vlerësimet që ishin bërë më parë, ndërsa si e metë e vetme u pranua ekzistenca e kultit të Enver Hoxhës, për të cilën sërish u gjet fajtore byroja politike.

Moikom Zeqo

O fol tani, ose hesht përgjithmonë!”. Kjo ishte motoja e reformatorit Moikom Zeqo, i cili foli atëherë kur duhej, duke sulmuar rëndë gabimet e byroistëve shqiptarë si edhe figurën e  Enver Hoxhës. Në atë kohë Zeqo ishte zgjedhur si kryetar i komitetit të kulturës e arteve, dhe ai sulmoi figurën e Enver Hoxhës. Kritika ishte bërë madje qysh më 13 prill dhe tanimë Zeqo kishte hyrë në emblemën e 4-5 reformatorëve më të spikatur të asaj partie. Në thelb, ishte fat i PS-së dhe i shoqërisë shqiptare, që Agolli dhe Zeqo u gjendën atje, pikërisht për të luftuar nga brenda gangrenën që po i kanosej PPSH-së.

Dritëro Agolli

Padyshim dritën dhe ndriçimin e atij takimi, e solli me vete në fjalimin e tij, shkrimtari dhe poeti Dritëro Agolli. Ishte pikërisht, dita e dytë e punimeve, kur poeti u ngrit për të folur, ndërkohë që ekstremistët, pro Enver Hoxhës, nisën nga thashethemet kundër tij. Fjalimi I Dritëro Agollit ishte një fjalim brilant në kuptimin e vërtetë të fjalës. Edhe nëse dikush, ose ai vetë do të ulej ta shkruante një raport të tillë, sot, pas 22 vjetësh, përsëri nuk do të kapte dot atë lartësi analizimi në përmbajtje dhe atë profesionalizëm gjuhësor në ndërtimin  e fjalive. Dritëro Agolli sulmoi PPSH-në dhe Enver Hoxhën. Por të pranishmit nisën t’ia ndërprisnin fjalën, duke i bërë thirrje të ulej. Madje, Agolli, la edhe disa fjali pa lexuar, sepse reagimet ishin të ashpra. Pas fjalimit, një delegat nga Shkodra ngriti dorën dhe e pyeti Agollin, në mënyrë provokative: Pa na trego ti, shoku Dritëro, çfarë privilegjesh ke pasur nga PPSH-ja dhe Enver Hoxha? Agolli nuk iu përgjigj atij, por pas zhurmës së krijuar kundër shkrimtarit, Dritëroi tha këto fjalë: “Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që iu polli ju, po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë, kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët! Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit”. Me gjithë reagimet e ashpra të shumicës, Dritëro Agolli u mbështet nga disa figura të tjera të rëndësishme të partisë. Moikom Zeqo, Servet Pëllumbi, etj, dolën në podium për të mbështetur Agollin.  Ata kritikuan të shkuarën komuniste të PPSH si dhe udhëheqësin e saj. Ndërkohë në sallë kishte brohoritje për Enverin dhe partinë, ndërsa byroistët ishin vrerosur sepse Ramiz Alia i kishte lënë ata nën sulmin e të rinjve. Në fakt, ky skenar ishte realizuar me parapëlqimin e Ramizit. Jo më kot, sulmi kryesor mbi byroistët iu la delegatëve të Fierit. Ata e bën leckë fare Byronë Politike për gjendjen e krijuar.

Seancë pa gazetarë

Kjo u quajt seanca e mbyllur e kongresit të 10-të. Aty plasi një sherr i madh me pyetje dhe kundërpyetje, me sharje dhe fyerje të rënda. Madje, gjatë një momenti, Fatos Nano tregon, se Haxhi Lleshi vuri dorën në brez për të nxjerrë pistoletën. Kjo seancë vazhdoi më shumë se tetë orë.  Ajo ishte një luftë e vërtetë midis komunistëve të vjetër dhe socialistëve të rinj. Ramiz Alia nuk doli publikisht, në mbështetje të asnjërës palë, por dihej se gjithçka ishte kurdisur prej tij. Në këtë seancë Petro Koçi, me disa fierakë, kërkuan  përjashtimin e byroistëve nga partia e re. Sipas dëshmive mësohet se Ramiz Alia propozoi për kryetar të partisë Maqo Lakrorin.

Kush  e propozoi Fatos Nanon?

Disa thonë se Nanon e propozoi vetë Ramizi, ndërsa të tjerë dëshmojnë se, atë e propozoi, Agolli, Lakrori, Xhelil Gjoni, Servet Pëllumbi, Spiro Dedes, apo Musa Ulqini. Por Agolli diku ka thënë se në fillim, Nano nuk pranoi të bëhej kryetar, por pastaj u bind. Nano pranoi dhe vuri si kusht që të kishte tre nënkryetarë, Servet Pëllumbin, Spiro Deden dhe Ismail Lleshin. Emri i Partisë Socialiste u vendos megjithëse disa militantë nuk donin që kjo parti të emërtohej me një parti analoge si ajo e Serbisë.  Gjëja e fundit që u bë aty ishte leximi i një letre nga Spiro Dede, ku thuhej se:  “Tani nuk ka më Parti Pune. Jemi si të tjerat, parti, por kemi prioritet të madh, se i bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Partisë së Punës, të vijnë në PS, do të krijojmë organizatat e reja nga e para”. Ndërsa fjalia e fundit e Fatos Nanos ishte: “Të distancohemi nga e kaluara.  Kjo ishte pikënisja e rrugës së Partisë Socialiste, e cila aktualisht vazhdon në mjedisin politik, simbolikisht me një  autobus elektoral për zgjedhjet e 23 Qershorit, ku në krye të këtij autobusi, është ulur kryetari aktual Edi Rama.