Orë pas ore, ja kalendari i nxehtë për politikën shqiptare

511
Në Kuvend, të martën votohet për komisionet parlamentare, të mërkurën për Kreun e Shtetit, ndërsa në mesnatë mbaron afati për koalicionet
E marta dhe e mërkura do të jenë ditët vendimtare për të kuptuar nëse kriza politike në Shqipëri do të zgjidhet apo do të thellohet më tej. Votimi i komisioneve parlamentare të vetingut, zgjedhja e Kreut të Shtetit dhe firmosja e koalicioneve do të duhet të përcaktohen në harkun e 24 orëve. 

Vetingu, 18 prill, ora 18:00
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, përmes një letre dërguar kryetarëve të grupeve parlamentare, i ka njoftuar se më datën 18 prill, Parlamenti do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme lidhur me vetingun. Në rendin e ditës së seancës do të jetë miratimi i projektvendimit te Kuvendit “Për krijimin dhe përbërjen e Komisionit ‘ad hoc’ me 12 anëtarë, të përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit, si dhe miratimi i projektvendimit të Kuvendit “Për krijimin dhe përbërjen e Komisionit ‘ad hoc’ me 6 anëtarë, të përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit. Këto komisione përbëhen respektivisht nga: 

a) 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës;

b) 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.

Në bazë të ligjit, një deputet mund të jetë anëtar vetëm në njërin nga komisionet “ad hoc” të përzgjedhjes. Anëtarët e komisionit “ad hoc” të verifikimit të kandidatëve nuk kanë pengesë për të qenë edhe anëtarë në një nga komisionet “ad hoc” të përzgjedhjes. Kuvendi ka miratuar javën e shkuar, në një seancë të jashtëzakonshme, tre nga emrat e komisionit “ad hoc” për komisionin e vetingut. Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja nga PS dhe Luan Rama nga LSI janë emrat e parë të votuar nga Kuvendi, ndërsa Shpëtim Idrizi i PDIU mbeti jashtë komisionit për shkak të mungesës së mbështetjes nga deputetët e Partisë Socialiste. Pavarësisht këtij votimi në Kuvend, komisioni “ad hoc” nuk mund të jetë funksional, pasi mungojnë tre emrat e opozitës, e cila ka bojkotuar Kuvendin prej muajit shkurt.

Nga Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë marrë vlerësim pozitiv për t’u zgjedhur në organet e vetingut 67 kandidatë, ndërsa do t’u takojë komisioneve parlamentare që të hartojnë një listë përfundimtare dhe ta dërgojnë për miratim në seancën plenare. Ngritja e strukturave të vetingut është edhe kusht për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, të parashikuara në Kushtetutë dhe në paketën përkatëse të ligjeve.

Presidenti, 19 prill, ora 18:00
Kuvendi është thirrur të mërkurën për të nisur raundin e parë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Megjithatë për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend dhe mosdakordësisë PS-LSI duket se raundi do të digjet dhe nuk do të ketë një emër kandidati. 

Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Sipas Kushtetutës, votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

Kushtetuta përcakton se Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

“Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij”, thuhet në Kushtetutë. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Koalicionet, 19 prill, ora 24:00
Fundi i së mërkurës është edhe afati i fundit për deklarimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Është ky afati limit brenda të cilit PS dhe LSI duhet të deklarojnë pjesëmarrjen ose jo së bashku në zgjedhjet e ardhshme. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka kushtëzuar firmosjen e një marrëveshjeje të ardhshme me socialistët, duke kërkuar garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, që është një nga kërkesat kryesore të opozitës. Ndër të tjera, LSI është shprehur edhe për nevojën e një qeverie besimi, ndonëse nuk ka artikuluar plotësisht nëse kjo mund të realizohet nëpërmjet një largimi të kryeministrit Rama, siç kërkon Partia Demokratike. Pas deklarimit të koalicioneve, më 29 prill është afati i fundit për deklarimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Pavarësisht afatit për regjistrimin e koalicioneve, ende Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kushtëzuar këtë hap me krijimin e një qeverie teknike. Afati i regjistrimit në KQZ skadoi më 9 prill, ndërsa është lënë hapur mundësia e pranimit të regjistrimeve edhe pas këtij afati.
Sigal