Opozita: Nuk kemi besim për zgjedhje të lira me kryeministër Rama. Pastrimi i zgjedhjeve nga lobimi me grupet kriminale

473
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Presidenti Meta nis konsultat me partitë politike për caktimin e datës të zgjedhjeve të pushtetit vendor 2019

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nisi konsultat me partitë politike për caktimin e datës të zgjedhjeve për pushtetin vendor, të cilat duhet të zhvillohen në qershorin e 2019-s. Sipas Kodit Zgjedhor, caktimi i datës së zgjedhjeve bëhet 9 muaj përpara mbarimit të mandatit të kryetareve të qeverisjes vendore. Zgjedhjet e fundit vendore u zhvilluan në 25 qershor 2015 dhe pritet që data e zgjedhjeve të reja të jetë një nga dy të dielat e fundit të qershorit 2019, praktikisht 23 ose 30 qershor. Dje, Presidenti Meta u takua fillimisht me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, më vonë me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së Edmond Spaho, e pastaj edhe me zëvendëskryetarin e LSI-së Luan Rama.

Lobimi në zgjedhjet parlamentare dhe vendore me …grupet kriminale

Në raportet e OSBE-së dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare monitoruese të fushatave zgjedhore në Shqipëri, në 2015 dhe në 2017, theksohet (midis të tjerave) se elementë, grupe të caktuara të subjekteve zgjedhore kanë ushtruar presion, kërcënime, shantazh ndaj elektoratit, kanë shpenzuar miliona lekë për të blerë votat. KQZ-ja në monitorimin e saj për shpenzimet elektorale në fushatat zgjedhore, nuk mundi të evidentojë shkelje të ligjit “Për financimin e partive politike” dhe “Për shpenzimet elektorale”. Mirëpo, përgjimet e fundit (sidomos nga shërbimet e fshehta të Gjermanisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit) zbardhën, se në fushatat zgjedhore në 2015 dhe në 2017 janë bërë lobingje me grupet kriminale për të mbledhur votat, nëpërmjet shantazheve, kërcënimeve ndaj elektoratit, por edhe blerjeve të votave. Kohët e fundit, kryetari i PD-së Lulzim Basha, deklaroi se në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, PS-ja, duke lobuar me grupet parlamentare ka fituar 10 -15 mandate në parlament.

Ngërçi i Reformës Zgjedhore

Reforma e re Zgjedhore ka mbetur në sirtarët e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, edhe pse bashkëkryetari i këtij komisioni parlamentar Bledi Çuçi kohë më parë ka pohuar se janë shkruar draftet e reformës së re dhe pritet vetëm miratimi edhe nga PD-ja. Ndërkohë, Opozita nuk merr më pjesë në këtë komision dhe nuk dihet se kur do të kthehet. Edhe pse nga mazhoranca pohohet se në reformën e re zgjedhore janë reflektuar të gjitha kërkesat që ka parashtruar OSBE, sikurse pjesëmarrja 50 % e gjinisë, futja e teknologjisë në procesin e votimit, depolitizomi i administratës zgjedhore, problemi i financimit të fushatës zgjedhore nga paratë e botës së krimit, ndryshimi i sistemit zgjedhor, siç e kërkojnë partitë e tjera, përveç PS-PD, ende nuk dihet nëse do të futen në reformën e re zgjedhore. Ka shumë mundësi, që edhe futja e pjesshme e numërimit elektronik, siç u premtua edhe nga PS, është vështirë të realizohet, sepse zvarritja në kohë e miratimit të reformës zgjedhore e bën të pamundur kohën që duhet për të zbatuar numërimin elektronik të votimit. Zvarritja në kohë e miratimit të reformës zgjedhore është në interes vetëm të PS dhe PD, sidomos të mazhorancës, e cila, duke e lënë miratimin në çastin e fundit kohor, do të sanksionojë në reformën e re, që mund të miratohet, të gjitha privilegjet zgjedhore, që përfiton deri tani, nga sistemi zgjedhor aktual, duke bërë retushime politike, që do të përforcojnë privilegjet zgjedhore.

Lojërat politike me KQZ-në

Edhe pse afron afati i zgjedhjeve vendore të 2019-s, KQZ-ja është ende me 4 vende vakante. PS-ja ka paraqitur në Kuvend 2 kandidatura, mirëpo opozita pretendon se këto 2 kandidatura i takojnë asaj dhe akuzon mazhorancën se kërkon që të marrë (peng) edhe KQZ-në dhe, njëkohësisht, opozita nuk paraqet deri tani, asnjë kandidaturë të saj. Pak a shumë, në KQZ mund të krijohet një klimë analoge si në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, ku KQZ ishte vetëm me 3 anëtarë dhe opozita e atëhershme (PS-ja) nuk pranoi që të çonte kandidatët e saj. Lojërat politike në KQZ nxjerrin në pah edhe hipokrizinë politike të palëve politike, të cilat pretendojnë se në reformën e re zgjedhore kërkojnë të depolitizojnë administratën zgjedhore, duke bërë fjalë për emërimin e anëtarëve të KZAZ, e të strukturave të tjera të Administratës Zgjedhore pa anëtarësi partiake, por nuk duan që depolitizomi të fillojë që nga KQZ-ja. Sipas Kodit Zgjedhor, anëtarët e KQZ zgjidhen nga partitë politike dhe raporti i anëtarësisë në KQZ varet në proporcion të drejtë me raportin e partive parlamentare në Kuvend. Një KQZ, ku anëtarët e saj janë thjesht militantë të partive që i caktojnë aty, detyrimisht nuk mund të marrë vendime jashtë interesave të partive dhe kjo në njëfarë mënyre është në dëm të së drejtës elektorale. Është propozuar që në krye të KQZ-së të jetë një administrator jo partiak dhe KQZ të mos jetë në përbërje raport i partive në parlament, por ky propozim për depolitizimin e KQZ nuk është marrë në konsideratë nga Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore.

PD: Jo zgjedhje me Edi Ramën kryeministër

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha disa herë e kanë theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër. Para disa ditësh, Basha deklaroi: Zgjedhje të ndikuara apo kontrolluara nga krimi nuk do të ketë. Zgjedhje me shërbëtorë të krimit në qeverisje nuk do të ketë. Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Një pikëpyetje e madhe shtrohet: A do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore Opozita? Kryetari i PD përgjigjet: PD dhe aleatët po përgatiten për zgjedhje, po përgatitin për zgjedhje lokale dhe zgjedhje të përgjithshme. Ne po i kërkojmë qytetarëve shqiptarë që të bashkuar të kalojmë këtë situatë pa një gusht shteti. Qëllimi është që me zgjedhje të lira dhe të ndershme me dëshirën e shqiptarëve për të qeverisur vendin.

Taulant Balla: Ne nuk propozojmë datë sepse datën e përcakton Presidenti dhe kodi zgjedhor.

 Duke e falenderuar Presidentin për vijimësinë e një tradite shumë vjeçare. Kodi zgjedhor është i qartë në përcaktimin e sezonit zgjedhor prill-maj-qershor, duke përcaktuar dy të dielat e fundit të qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Ka pasur nga operatorët turistikë një kërkesë të kahershme për një datë më herët se fund qershori, por sigurisht kjo është një çështje që i takon dakordësisë mes të gjithëve. Presidenti i Republikës do të bëjë këtë proces konsultash dhe shumë shpejt do të kemi datën. Ne nuk propozojmë datë sepse datën e përcakton Presidenti dhe kodi zgjedhor. 

Edmond Spaho: Misioni ynë, ndalja e kriminelit Edi Rama

‘Misioni parësor i opozitës është shkërmoqja e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama’, – deklaroi kreu i grupit parlamentar i PD-së, Edmond Spaho, i cili tha se vrasësi dhe shkatërruesi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kryeministri Edi Rama. “Shqetësimi më i madh për Partinë Demokratike është standardi i zgjedhjeve. As mos të keni dyshim se PD do të hyjë në zgjedhje. Në Shqipëri në 6 vitet e fundit është votuar, por nuk ka pasur zgjedhje normale. Përpara se të arrijmë në zgjedhje vendore apo të përgjithshme së bashku, së pari duhet të garantojmë zgjedhje të lira. Mazhoranca ka uzurpuar kompetencat e të tjerëve. Kjo klikë duhet të çmontohet, dhe më pas do të hyhet në zgjedhje normale dhe të ndershme. “, tha ai.

Luan Rama: Ja çfarë i propozuam Presidentit Meta

Pas përfundimit të takimit me presidentin Ilir Meta, zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama u shpreh se për politikën shqiptare nuk duhet të ketë rëndësi se kur do të vendoset data e zgjedhjeve vendore, por pastrimi i këtij procesi nga krimi.. Luan Rama: Unë ndava me të shqetësimin e LSI se problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data, por pastrimi i zgjedhjeve nga interferenca dhe lobimi nga grupet kriminale. Problem ka qenë dhe blerja e zgjedhjeve dhe ka qenë në kolaps. Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale, do i kthejë reston grupeve kriminale. Jam këtu për qëndrimin e LSI dhe atë çfarë unë i kam thënë Metës, dhe s’mund të bëhem zëdhënës i presidentit. Ky vend i mbytur nga informalitet nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por për zgjedhje reale që të shprehen vullnetin qytetar dhe jo kriminal.