Opozita: TVSH për biznesin e vogël do të rrisë çmimet

766
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kritikojnë propozimin e qeverisë. Flasin për “Telegraf” Jorida Tabaku dhe Majlind Lazimi
Qeveria ka propozuar vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe për biznesin e vogël, por kjo masë kundërshtohet nga opozita. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bashkohen në një mendim për efektet që mund të ketë një masë e tillë për biznesin, buxhetin dhe masën e informalitetit. Mbi të gjitha, përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së shprehen për “Telegraf”, se vendosja e TVSH-së do të sjellë rritje të çmimeve. Jorida Tabaku, deputete e PD-së dhe zëvendëskryetare e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, u shpreh se “nëse TVSH vendoset, kjo do të sjellë, të paktën një rritje të çmimit me 20 %, që do të transferohet te konsumatori, sepse kjo ka qenë tendenca”. “Sa herë që është rritur një taksë, ajo është transferuar te konsumatori”, tha Tabaku. Gjithashtu, Majlind Lazimi, sekretar për çështjet ekonomike i LSI, nënvizon se “biznesi i vogël është në kufijtë e mbijetesës dhe aplikimi i TVSH-së do të ketë efekt në rritjen e çmimeve”. “Për shkak të konkurrencës mund të kemi një ‘skenar të terapisë së shock-ut’ për biznesin e vogël, ku mbi 60 mijë biznese, për shkak të rritjes së kostove të administrimit apo rritjes së çmimeve mund të rrezikojnë falimentimin, sikurse mbi 100 mijë të punësuar mund të dalin në rrugë”, u shpreh Lazimi. 

Në të njëjtën kohë, PD dhe LSI mendojnë se masa për vendosjen e TVSH-së nuk do të ketë ndonjë efekt shumë pozitiv për uljen e informalitetit dhe mbushjen e arkës së buxhetit të shtetit. “Këmbëngulja e qeverisë për vendosjen e TVSH-së edhe tek bizneset e vogla, mikro-bizneset, është çmenduria e radhës fiskale. Ky grup biznesi kontribuon me 0.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në të ardhurat e buxhetit, por është punëdhënësi për 40% të punësuarve. Do taksohen 105 mijë biznese të vogla që nuk paguajnë TVSH-në, por shumica e tyre janë biznese familjare që mezi nxjerrin të ardhurat në fund të muajit”, thotë Tabaku. Ndërsa Lazimi nënvizon se “përsa i përket efektit buxhetor, sikur mos të kemi asnjë biznes të mbyllur, sërish ka një efekt mininal rreth 6 milionë euro (sipas disa përllogaritjeve edhe të Ministrisë së Financave)”.

Jorida Tabaku, deputete e PD:
“Megjithëse taksat janë rritur me 1.5 miliard dollarë mbledhja e tyre vazhdon të jetë e ulët në krahasim me vendet e rajonit. Kjo lidhet së pari me paaftësinë, së dyti me faktin se rritja e taksave ka shkaktuar informalitet dhe së treti, lidhet me korrupsionin, siç kanë qenë edhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Këmbëngulja e qeverisë për vendosjen e TVSH-së edhe tek bizneset e vogla, mikro-bizneset, është çmenduria e radhës fiskale. Ky grup biznesi kontribuon me 0.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në të ardhurat e buxhetit, por është punëdhënësi për 40% të punësuarve. Do taksohen 105 mijë biznese të vogla që nuk paguajnë TVSH-në, por shumica e tyre janë biznese familjare që mezi nxjerrin të ardhurat në fund të muajit. Janë biznese që u janë ngarkuar tarifa të çmendura nga pushteti vendor, sidomos i Tiranës. Vendosja e TVSH-së është taksimi i padrejtë i sipërmarrjes, zhvendosje e taksës tek qytetarët dhe politikë anti-treg. Fatura që një biznes lokal paguan është pothuajse pesëfish më e lartë. Nëse TVSH vendoset, kjo do të sjellë të paktën një rritje të çmimit me 20 %, që do të transferohet te konsumatori, sepse kjo ka qenë tendenca. Sa herë që është rritur një taksë, ajo është transferuar te konsumatori. Gjithashtu, do të ketë edhe një rritje të kostove për biznesin. Kjo ndodhi kur u rrit taksa e qarkullimit, kur u rrit tatim-fitimi, kur u rrit tatimi për të ardhurat personale, pra pati një transferim te konsumatori dhe rritje të çmimit”. 

Majlind Lazimi, sekretar për çështjet ekonomike i LSI:
“Unë besoj se ky është një propozim i parakohshëm dhe kundra-produktiv për luftën kundër informalitetit, sidomos për ekonominë tonë anemike në kushtet kur kemi një informalitet të lartë (mbi 40%) si pasojë e taksave të larta. E kam thënë edhe më parë, sot të kushton më tepër të jesh i formalizuar sesa informal, për shkak të barrës së lartë fiskale. Nga ana tjetër mos të harrojmë se biznesi i vogël është në kufijtë e mbijetesës dhe aplikimi i TVSH-së do të ketë efekt në rritjen e çmimeve dhe për shkak të konkurrencës mund të kemi një ‘skenar të terapisë së shock-ut’ për biznesin e vogël, ku mbi 60 mijë biznese, për shkak të rritjes së kostove të administrimit apo rritjes së çmimeve mund të rrezikojnë falimentimin, sikurse mbi 100 mijë të punësuar mund të dalin në rrugë. Për sa i përket efektit buxhetor, sikur mos të kemi asnjë biznes të mbyllur sërish ka një efekt mininal rreth 6 milionë euro (sipas disa përllogaritjeve edhe të Ministrisë së Financave). Ky ndryshim drastik në regjimin e taksave nuk mund të bëhet pa informimin e biznesit, pa edukimin fiskal të tyre dhe pa një studim të thellë të efekteve ekonomike, financiare dhe sociale në këto kushte të vështira të ekonomisë shqiptare. Akoma nuk kemi një version të shkruar të kësaj nisme, por nëse është ashtu siç deklarohet se nuk do të ketë asnjë përjashtim, qoftë të paktën për biznesin ambulator, realisht Shqipëria do të jetë nga pak vende në Europë me këtë regjim TVSH-je kaq të lartë”.
Sigal