Opozita: Takime në Londër dhe Itali për krizën politike

439
Sigal

Mesazhi i fortë i Bashës nga Parlamenti Britanik: Nuk ka zgjedhje pa u ndëshkuar politikanët që vodhën me krimin zgjedhjet e 2017!

Vetëm një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira mund të luftojë krimin e organizuar

Kryetari i PD Lulzim Basha dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilluan një takim me kryesuesit e Grupit Parlamentar bipartizan për Shqipërinë në Parlamentin Britanik, deputetët John Grogan (kryetar i grupit) dhe Martin Vickers (nën kryetar). Në këtë takim u diskutua gjerësisht për shkaqet e krizës politike në Shqipëri, për krizën kushtetuese, mungesën e Gjykatës Kushtetuese, mungesën e Gjykatës së Lartë, mungesën e një Prokurorie të pavarur që nuk i mbyll, por i heton dosjet e krimit të lidhur me pushtetin. “Zgjedhjet e diktuara nga krimi janë rrënja e krizës, sepse kanë prodhuar një parlament të diktuar nga krimi dhe jo nga vota e shqiptarëve. Politikanet që janë kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet e 2017-ës, duhet të ndëshkohen dhe jo të promovohen. Pa shkëputur lidhjet e krimit me politikën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Largimi i qeverisë dhe kryeministrit të kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin për të shkatërruar procesin zgjedhor të 2017 dhe krijimi i një qeverie tranzitore janë mënyra e vetme për zgjidhjen politike të krizës” – theksoi zoti Basha.

Basha nga Londra: Nuk do të lejojmë taksë në rrugën Tiranë-Durrës. Do të anulojmë taksën në Rrugën e Kombit.

Me lekët e shqiptarëve tani u kërkojnë shqiptarëve të paguajnë 2-3 fish. Paguajnë edhe taksën e rrugës, edhe taksën e qarkullimit. Asnjëra prej tyre nuk do të ekzistojë kur PD të jetë në pushtet. Pse nuk do të ekzistojnë? Sepse të dyja varfërojnë shqiptarët. Duke i hequr këto të dyja, ne mundësojmë që të ketë më shumë qarkullim.

Basha në takimin me anëtarë të Dhomës së Lordëve

Në mbyllje te vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, lideri i opozitës Basha ishte i ftuar i nderit në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër. Në fjalën e tij gjatë darkës, kryetari i opozitës shprehu mirënjohjen për ndihmën e çmuar të Britanisë së Madhe për kapërcimin me sukses të sfidave jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, në veçanti, në luftën e Kosovës dhe procesin e pavarësimit të saj, në konfliktin e armatosur në Maqedoni e Marrëveshjen e Ohrit dhe, së fundmi, Marrëveshja e Prespës që shërben për të konsoliduar perspektivën afatgjatë euroatlantike të rajonit, duke garantuar anëtarësimin e saj në NATO. Zoti Basha ndau me miqtë e shquar britanikë qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Partisë Demokratike se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe minuar perspektivën evropiane të vendeve dhe popujve të rajonit.“Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtësia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës. Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Evropë dhe Lindjen e Mesme.