Opozita: Reforma në Drejtësi ishte burg për qytetarët dhe mbulimi i çdo zullumi për qeverinë

626
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Deputeti Balla vazhdon paditë në prokurori, Basha: Prokuroria refuzon të hetojë Ramën, Veliun, Ballën

Prokuroria është bërë protagoniste e politikës në Shqipëri me vendimet e saj, për të thirrur dëshmitarë të padive penale nga deputetët e mazhorancës, ndërkohë që pushon çështjet e padive penale që kanë bërë deputetët e opozitës ndaj kryeministrit Rama, ndërkohë, që çështje shumë të rëndësishme, të hetimeve për korrupsion nga deputetët, sikurse është “çështja Hysenaj për përvetësimin e tokave në Dhërmi”, ende nuk hetohen, si edhe denoncimet e tjera që kanë deponuar në prokurori opozita.

Basha: Në Shqipëri janë instaluar 2 drejtësi

Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se në Shqipëri janë vendosur dy drejtësi, një për Edi Ramën dhe kriminelët dhe një për pjesën tjetër të popullit. Reagimi i kryetarit të PD-së vjen pasi Prokuroria pushtoi hetimet për Edi Ramën në lidhje me deklaratat e tij për ekspertizën e audio-përgjimit të publikuar për Agron Xhafën. Reagimi i Bashës: Prokuroria ka refuzuar të hapë hetimet për Edi Ramën, edhe pse ai mashtroi publikisht se kishte bërë ekspertizë private të audiopërgjimit, me qëllim të qartë që të mbronte një kriminel dhe për të ndikuar dhe kërcënuar organet e drejtësisë që të mos hetonin. Gjithashtu, sot, prokuroria ka refuzuar të marrë nën hetim Ardi Veliun dhe Taulant Ballën. Po sot, prokuroria ka lëshuar përmes mediave të pushtetit lajmin se Saimir Tahiri e ka të ligjshëm gjithë luksin në të cilin jeton. Është e njëjta prokurori që burgosi kuksianët, që burgos përditë njerëzit e thjeshtë për shkeljet më të lehta, që heton gazetarët kritikë dhe kundërshtarët politikë. Në Shqipëri janë vendosur dy drejtësi: një për Edi Ramën dhe kriminelët dhe një tjetër për popullin. Edi Rama dhe kriminelët janë mbi ligjin, kurse mbi popullin ushtrohet dhunë duke abuzuar ligjin. Kësaj “drejtësie” do ti vijë fundi shumë shpejt!

Salianji: Taulant, Prokuroria është vendi ku jepet llogari për krimet, jo faltore

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji shkruan se Prokuroria nuk është foltore për “shpëlarjen” e krimeve, ndërsa i kujton kreut të grupit socialist, Taulant Balla 57 udhëtimet me charter me një të akuzuar për trafik droge. Reagimi i Salianjit: E ke ngatërruar Taulant! Prokuroria është vendi ku jepet llogari për krimet, jo faltore për shpëlarjen e krimeve! Kështu jemi ndarë, ne japim llogari për denoncimin e krimit, ju jeni të ngrehur nga lidhjet me krimin!?

Taulant Balla nuk i ndahet derës së Prokurorisë, cilët do kallëzojë sërish nesër

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla nuk i ndahet derës së Prokurorisë. Balla kërcënon opozitarët me një tjetër padi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Nesër (sot) tek Prokuroria e Krimeve të Rënda depozitoj kallëzim të plotë për vepra penale të kryera në bashkëpunim për Lulzim Bashën, Ervin Salianjin dorë për dore me Florenc Hoxhën, pazarxhinjtë e sëmurë që ranë brenda në kurthin që ngritën vetë me ca personazhe qesharakë e që nuk ka alibi që i shpëton. Lulzim Basha është zyrtarisht në hetim për “kallzim të rremë të kryer në bashkëpunim” me shpifës Nuhun. Pse nuk shkon PD t’i shohë kamerat e komisariatit dhe praninë time në komisariatin e Fushë-Krujës, apo edhe të vetë Nuhut? Ti Lulzim si person në hetim ke të drejtë t’i shohësh. Apo hajt se do harrohet. Nuk e le unë në harresë, Lulzim! Edhe Ervin Salianji është zyrtarisht në hetim bashkë me Babale&Co.

Vasili: Prokuroria i dorëzohet përfundimisht krimit dhe i mbyll çështjen Edi Ramës

Prokuroria pushon hetimin për padinë e opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama. Vendimi është publikuar nga kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili. Padia u depozitua në Prokuroria nga dy kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe LSI, përkatësisht Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama për “përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një nga laboratorët më serioz të botës”. Vendimin e Prokurorisë, Vasili e konsideron si dorëzim. Reagimi i Vasilit: Prokuroria i dorëzohet përfundimisht krimit dhe i mbyll çështjen Edi Ramës. Prokuroria e dorëzuar kokë e këmbë te krimi dhe që pacipësisht dënon me arrest gazetarët që denoncojnë të vërtetat e mëdha. Prokuroria, që thërret kryetarin e PD-së për çështje ordinere. Prokuroria që mbulon provat në audiopërgjimin e Agron Xhafës. Sot prokuroria, pas kallëzimit të opozitës ndaj Edi Ramës, që gjoja kishte kryer ekspertizën e audipërgjimit ja mbylli pacipësisht sot çështjen. Gazetarët në burg Edi Ramës i mbyllet çështja. Prokuroria i mbylli më parë çështjen Edi Ramës me një falje me facebook, kur i bëri thirrje policisë të hiqte uniformat e të bënte vota për Rilindjen. Qytetarë. Reforma në Drejtësi ishte burg për ju dhe mbulimi i çdo zullumi për Edi Ramën. Turp, Turp, Turp!

Berisha: Kalbësira kundërmon në Parlamentin Evropian!

Ish-kryeministri Sali Berisha, thotë se ajo që ndodhi pardje Parlamentin Evropian është e pashembullt në historinë e atij parlamenti, sepse kurrë ndonjëherë një vend nuk i ka lejuar vetes të përfaqësohet nga një njeri me pesë mbiemra, siç është rasti Yaris/Bego/Hoxha Gjura/ Jaupllari. Reagimi i plotë i Berishës: Kalbësira kundërmon në Parlamentin Evropian! Një akt tjetër fatal kundër integrimit në Bashkimin Evropian. Të dashur miq, ajo që ndodhi dje në Parlamentin Evropian është e pashembullt në historinë e atij parlamenti, sepse kurrë ndonjëherë një vend nuk i ka lejuar vetes të përfaqësohet nga një njeri me pesë mbiemra, siç është rasti Yaris/Bego/Hoxha Gjura/ Jaupllari. Ky akt i denoncuar nga opozita, e cila ka paraqitur fakte dhe dokumente se vetëm me famozin Bego, Taulant Yaris ka bërë 24 rrugë jashtë shteti, ka tronditur thellë PE dhe mjerisht edhe shanset e Shqipërisë, që kërkon të integrohet, duke përdorur pasaportat diplomatike të politikaneve në shërbim të trafikantëve dhe ngarkesave të tyre të drogës! Ngjarja e djeshme në PE është një apel, kushtrim për mbarë shqiptarët të përmbysim sa më parë këtë klikë kriminale në pushtet për të çelur rrugën e mbyllur prej saj të integrimit evropian. sb