Opozita: Qeveria teknike me mbështetje të gjerë, e vetmja rrugëdalje

514
Koalicioni opozitar konfirmoi dje se rruga e vetme e daljes nga kriza është krijimi i qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të punojë për të realizuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Duke përshëndetur hapin e hedhur dy ditë më parë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, koalicioni opozitar rikonfirmoi “gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij”.

“Koalicioni opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për: 

1 -Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit; 
2 – Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës; 
3 – Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme; 
4 – Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”,

thuhet në deklaratën zyrtare, pas takimit të krerëve të PD-së dhe partive të tjera opozitare. Sipas opozitës, kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet.

Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh dy ditë më parë se do të vinte në dispozicion të zgjidhjes së krizës mandatin e kryetarit të Kuvendit dhe të ministrave, si garanci për opozitën. Gjithashtu, sipas LSI-së, është i nevojshëm krijimi i një qeverie të besimit, ndërsa vetë Rama duhet të japë garanci për opozitën. 
Sigal