Opozita, protesta kundër vendimit të maxhorancës

502
PD dhe LSI deklarojnë se për qëndrimin në raport me Parlamentin do të merret vendim në interes të shqiptarëve
Opozita premtoi se do të nisë në janar një seri protestash për të reaguar ndaj vendimit të kryeministrit Rama dhe shumicës socialiste për zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalin në protesta për të kundërshtuar zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm nga ana e maxhorancës. Ky është vendimi i marrë nga këto dy forca politike pas mbledhjes së përbashkët të grupeve parlamentare, të zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike, menjëherë pas përfundimit të protestës para Kuvendit. PD dhe LSI kanë vendosur se janari është vënë si afat për nisjen e protestave. “Nisja e një vale protestash popullore në ditët e para të janarit për të ndalur çmendurinë e narko-kyreministrit që sot është edhe kryeprokuror i vendit, duke rrezikuar stabilitetin, demokracinë dhe integrimin e vendit. Nisja që sot e përgatitjes për një valë protestash popullore”, tha Basha. Vendimi i tij u mbështet edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Gjithashtu, Sali Berisha propozoi djegien e mandateve si formë proteste ndaj vendimit të shumicës, por Lulzim Basha nuk e përjashtoi edhe këtë veprim në javët e ardhshme, ndërsa Kuvendi do të rinisë punë në javën e tretë të janarit 2018. “Në raport me Parlamentin e delegjitimuar do të marrim vendimin më të mirë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi ai. Basha përsëriti akuzat ndaj Edi Ramës, që sipas tij, synon kapjen e kryeprokurorit për të mbyllur hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të maxhorancës. “Për të mbyllur dosjet e krimit dhe korrupsionit, për të mbyllur dosjen e Saimir Tahirit dhe të sigurojë imunitet për veten dhe familjarët e tij, për të mbyllur dosjen për Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, për të mbyllur akuzat për korrupsion për Arben Ahmetajn e Damian Gjiknurin e të tjerë”, u shpreh kryetari i PD-së.

Opozita kundërshtoi dje në Kuvend dhe jashtë tij zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, ndërsa pritet të ketë konsulta të vazhdueshme për të përcaktuar hapat e tjerë që do të hedhë në strategjinë e saj politike. 
Sigal